Qeveria letër Strasburgut: Mos shqyrtoni “pronat”

0
42

TIRANE – Qeveria Shqiptare i dërgon letër Gjykatës Europiane që të mos marrë më në konsideratë ankesat e pronarëve. “Në emër të qeverisë shqiptare i kërkojmë Gjykatës Evropiane që ankimet e përmendura të deklarohen si të papranueshme, si dhe të pranohen observacionet e palës shtetërore, duke i adresuar palët ankuese që të përdorin mjetin e brendshëm ligjor efektiv që do të zbatohet për kompensimin financiar në Shqipëri”

Kjo është kërkesa e prerë dhe zyrtare e qeverisë shqiptare drejtuar Gjykatës së Strasburgut e cila publikohet sot në Gazeta Shqiptare.

Në dy raportet e ndryshme të firmosura nga Avokati i Shtetit, njëri i prillit 2010 dhe i fundit, më 16 qershor 2010, kërkohet prerazi mosmarrje në konsideratë e të gjitha çështjeve ku ish-pronarët kanë paditur qeverinë për moskompensimin e pronës. Në pritje të 13 vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, në përgjigje të ankesave të bëra nga ish-pronarët për të fituar të drejtën e kompensimit, qeveria ka dërguar një raport në qershor të këtij viti, ku i kërkohet kësaj gjykate që të mos marrë në konsideratë asnjë prej kërkesave.

Ndërsa, duke iu përgjigjur pyetjeve të parashtruara nga ana e Gjykatës Evropiane të Strasburgut, qeveria shqiptare bën të qartë mbi të gjitha dhe mungesën e fondeve të mjaftueshme për të realizuar kompensimin financiar për pronarët. “Shkaku kryesor i mosekzekutimit të vendimeve të komisioneve të Kthimit të Pronave është pamjaftueshmëria financiare e fondit për kompensimin e ish-pronarëve”, thuhet në dy raportet sekrete të qeverisë shqiptare, të përpiluara nëpërmjet Avokatit të Shtetit, drejtuar Gjykatës së Strasburgut, institucioni i cili po detyron shtetin tonë të zbatojë një të drejtë të sanksionuar në nenin 41 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ndërsa, qeveria në këtë raport ka bërë të qartë se deri më tani nuk ka dhënë asnjë vendim për kompensimin fizik. “Deri më sot nuk është miratuar akoma me vendim të Këshillit të Ministrave fondi për kompensimin fizik. Aktualisht në Shqipëri nuk ka filluar akoma kompensimi fizik i subjekteve të shpronësuara. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave po punon për krijimin dhe verifikimin e fondit të pronave shtetërore që do përdoren për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara”, thuhet në raport.

Ajo çfarë qeveria nuk bën të ditur në këto dy raporte është fatura totale financiare që i duhet për të realizuar kompensimin e plotë të ish-pronarëve. Në bazë të informacioneve në muajin shtator, Gjykata pritet të japë vendime për 13 ish-pronarët që kanë paditur qeverinë për moskompensimin e plotë të pronës. Nëse vendimet do të jenë në favor të subjekteve të shpronësuara, atëherë qeveria pritet të përballet me një faturë të konsiderueshme financiare për të përballuar kompensimin.

(e.n/GSH/BalkanWeb)