• Kryeministri i ardhshëm Edi Rama, urdhëron vartësit që të heqin dorë nga sipërmarrjet private. Bizneset e ministrave të ardhshëm Ilirjan Celibashi, Ilir Beqaj, Arben Ahmetaj, Lefter Koka
Arben Rrozhani, 02.08.2013
– Kryeministri i ardhshëm Edi Rama u kërkoi dje ministrave të qeverisë së ardhshme që do të nisë punën në shtator, që të heqin dorë nga bizneset e tyre, duke mos patur “konflikt interesi” me detyrën e anëtarit të Ekzekutivit të ri dhe duke krijuar një model të ndryshëm nga ai që po lë kryeministri në ikje, Sali Berisha. Kërkesa është bërë dje, gjatë takimit që Rama pati me ministrat e ardhshëm që vijnë nga radhët e PS-ssë dhe ku mungonin 5 ministrat e LSI-së. Mbledhja e mbajtur me dyer te mbylluara ishte e para pas prezantimit të ekipit të ardhshëm drejtues, nga kryeministri i zgjedhur, Rama, dy ditë më parë.
Biseda në selinë rozë zgjati rreth një orë, ndërsa tema e tij jozyrtarisht thuhet se kanë qenë sfidat që e presin kabinetin e ri qeveritar. Propozimi i Ramës është një imitim 8 vite më pas i lëvizjes që kryeministri ende në detyrë, Berisha, bëri, por pas mandatimin e qeverisë së tij të parë në shtator 2005, kur u kërkoi ministrave që të mos kishin biznese dhe të qeverisnin “me duar të pastra”.
Zyrtarisht asnjë prej ministrave nuk pranoi se kishte biznese dhe vetëm ish-ministri i atëhershëm i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, u shpreh se do të shiste aksionet e tij te hoteli “Nirvana” te Rruga e Kavajës në kryeqytet. Por pas tetë viteve, ministrat e qeverisjes së parë dhe të dytë të Berishës, jo vetëm që mbajtën bizneset, por edhe i shtuan, duke marrë edhe sipërmarrjet dhe monopolet më të rëndësishme të ekonomisë së vendit. Një javë më parë, duke komentuar koncesionin e skanimitnë dogana, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka akuzoi ministrat se qëndrojnë pas koncesioneve dhe kontratave të shumta multimilionere.
Pasuritë e ministrave të Ramës
Në kabinetin e ri qeveritar të drejtuar nga Edi Rama, nuk mungojnë ministrat me biznese dhe ata duhet të vendosin që të dorëzojnë aksionet e tyre për të qeverisur, siç bënë duke iu bindur vendimit të marrë për të dorëzuar mandatin e deputetit, nëse merrnin post qeveritar. Lefter Koka, ministri i ardhshëm i Mjedisit është aksioner në të paktën dy biznese, sipas të dhënave të QKR-së. Ai është një ndër 186 aksionerët e Kantinës së Pijeve “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”, me seli në Durrës.
Koka është edhe përfaqësues ligjor i shoqërisë “Sucralba”, rregjistruar si biznes që në 1999, dhe që merret me ndërtimin e linjave të prodhimit dhe vënien në shfrytëzim i impjanteve prodhuese, përpunim dhe shitje e sheqerit të konfeksionuar dhe me thasë të gjitha përpunimet plotësuese të domosdoshme ose të nevojshme në varësi të llojeve të ndryshme të prodhimit.
Ilirjan Celibashi, që do të jetë Ministër për marrëdhëniet me Parlamentin, pas largimit nga detyra e kryetarit të KQZ-ssë, hapi studion Ligjore “Celibashi & Associates” dhe në QKR firma e rregjistruar me emrin “Ilirjan Celibashi” në 2006 dhe që ende e ka statusin “aktiv”. Arben Ahmetaj, ministri i ardhshëm i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, vijon të jetë prej vitit 2001, përfaqësues ligjor i firmës “H – COMMUNICATIONS”, me seli në Rrashbull të Durrësit.
Firma ka për objekt telekomunikacione, konsulencë financiare, Softëare, Brokers, çdo operacion financiar, tregtar, industrial, me pasuri të luajteshme ose të paluajteshme që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi me nje nga objektet e shoqerise. Ahmetja që është edhe drejtor Ekzekutiv ka 65 për qind të aksioneve me firmën “Hermes”, ndërsa 35 për qind i ka ortaku tjetër, Vilma Nushi. Ilir Beqaj, i zgjedhur si ministër shëndetësie, vijon të jetë përfaqësues i firmës “INTECH +”, regjistruar në tetor 2001.
Objekti i saj janë tregtimi i sistemeve kompjuterike për perpunim informacioni dhe transmetim, prodhim i programeve aplikative, instalimi i sistemeve të informacionit dhe të ndërlidhjes, sherbim dhe trëegtim i sistemeve elektronike në çdo fushë të ekonomisë. Përfaqësues ligjor ishte Sokol Sinani që kishte 49 për qind dhe Ilir Beqaj 51%, por më pas Beqaj ka mbetur ortaku i vetëm. Beqajt iu hoq mandati i deputetit me akuzën e ngritur nga PD-ja në 2010 se kishte marrë fonde shtetërore, me anë të firmës private. Shembulli është, edhe vetë brenda qeverisjes së ardhshme.
Damian Gjiknuri, i caktuar si ministër i Energjisë dhe Industrisë, i ka çrregjitruar me kohë aktivitetet e tij private. Ai kishte 25 për qind të aksineve te firma AB – GROUP, regjistruar në 2007 dhe që kishte për objekt import-eksport, tregtim me shumicë e pakicë të artikujve të ndryshëm industrial, konfeksione, tekstile, prodhime lekurë, tregtim të lëndëve të para për prodhimin e mobilieve dhe elementave te tyre, artikuj shkollor, kozmetike, higjeno sanitare, etj dhe që u çrregjistua në dhjetor 2009. Gjiknuri ka çrregjistruar edhe zyrën e tij të avokatisë të regjistruar në shtator 2008. Po ashtu Gjiknuri ka mbyllur aktivitetin e firmës “IMMOAIR”, rregjistruar në mars 2007, ku ishte pronar i vetëm i firmës që merrej me shitblerje të pasurive të patundshme, aktivitetet e ndërmjetesimit dhe zhvillimit të turizmit, shërbime ndërmjetesimi për aktivitete të ndryshme tregtare.
Basha kritikon Ramën për ministrant
Kryetari i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli i vetëm në një konferencë pas mbarimit të takimit me ambasadorin e ri të OSBE-OHIR në Shqipëri, Robert Ëillton. Ai kritikoi ashpër qeverinë e re të Edi Ramës duke thënë se, kryeministri i ardhshëm ka lënë jashtë grupit drejtues shumë socialistë me vlerë dhe në vend të tyre ka marrë persona që i shërbejnë. “Qeveria e re përbëhet nga sharësit dhe shpifësit më të zellshëm kundër Shqipërisë për 8 vitet e fundit, protagonistë të lidhjeve me trafiqe. Një ekip që mbledh paaftësinë, mungesën e eksperiencës shtetërore, mediokritetin intelektual, duke lënë jashtë vlera të PS-së, dhe duke përfshirë kamikazë personal.
Edi Rama shpiku rregulla të paqena në funksion të kapjes dhe mbajtjes së të gjithë pushtetit për veten e tij”- u shpreh Basha. Por partia që ai drejton, PD-ja, tha ai është e vendosur të përballet fuqishëm për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Shqipërisë. “PD-ja është e vendosur, që në respekt të parimeve më të shenjta të demokracisë të përballet fuqishëm me këtë skemë të paralajmëruar të kapjes së pushtetit dhe batërdisjes së shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë”, përfundoi fjalën Basha.
Ministrat e rinj, Berisha: Piktori mblodhi “Ansamblin lukunia”
Kryeministri Sali Berisha ka vijuar akuzat ndaj kabinetit të qeverisë së re. Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, Berisha ka akuzuar edhe kryeministrin e zgjedhur dhe disa nga ministrat e rinj për afera korruptive. “Të dashur miq, sot Piktori mblodhi në zyrën e tij kabinetin e vet qeveritar që është dhe ekipi më i korruptuar që është instaluar ndonjëherë në Shqipëri. Vetë Piktori, përveç aferave si ish-ministër i qeverise Nano dhe kryetar 20% i Bashkisë së Tiranës, është i vetmi kryeministër këto 20 vjet në Europë që ulet në karrigen e kryeministrit me një vile dhe një pallat 5 katësh me burim financiar të panjohur. Ministri i Financave Cani është guvernatori që pasi vodhi apo bashkëvodhi Thesarin e Shtetit dhe pas zhdukjes së tij deklaroi se Banka nuk ka patur në Thesar flori.
Ministrit të Shëndetësisë Beqja është i vetmi qe iu hoq mandati i deputetit sepse me baxhanakun e Piktorit kishte bërë kërdinë me tenderë në bashki. Ai ka falsifikuar mijëra e mijëra pensione për te cilat po ndiqet. Ministri i Brendshëm Tahiri është i vetmi deputet me skaf dhe që iu arrestua i ati në flagrancë për kontrabandë ilaçesh dhe e ëma ndiqet për evazion fiskal në shumën 80 mijë euro. Ministri i Ekonomisë Ahmetaj është në ndjekje për vjedhjen prej 10 milionë euro që i ka bërë kompanisë Albtelekom me kompaninë e tij private Hermes.
Ministri i Mirëqenies Sociale, më mirë të themi i mirëqenies personale, Erion Veliaj është bërë i famshëm si njeriu që me paratë e “Mjaftit” ndërtoi një vilë për vete dhe një vilë për Velicen pa firmosur në jetën e tyre ndonjëherë në bordero. Ai më pas për të zhdukur gjurmët e kësaj afere vodhi vet kompjuterin e financave të Mjaftit. Këto ishin vetëm disa nga aferat e disa prej anëtarëve të “ansamblit lukunia”! Këtij i thonë ndryshim! Përpara drejt Kleptokracisë! Sb”, shkruan Berisha.
Qeveria “Rama”
Kryeministër Edi Rama
Zëvendëskryeministër, Niko Peleshi
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani
Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri
Ministre e Mbrojtjes, Mimi Kodheli
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri
Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina GjermeniMinistrat e shtetit
Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito
Ministër për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi
Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi