Qeveria e re përballë mitit të zaptuesit

0
106

Nga Mero Baze, 23 Gusht 2013

Sot u ballafaqova me dy ngjarje që kanë të bëjnë me pronat dhe pronarët e ligjshëm. Në fillim foli Sali Berisha dhe tha se “Edi Rama do na shkatërrojë shtëpitë dhe do të na marrë pronat”. Ishte një nga ato diaretë e tij të përditshme që i heqin dhimbjet e barkut nga ikja prej pushtetit. Pak më vonë takova një qytetar amerikan me origjinë shqiptare, pasardhës dhe trashëgimtar i Sadete Toptanit, i cili ishte pronar i ligjshëm i territorit në të cilën ngrihet ndërtesa e SHQUP-it dhe ndërkohë kishte të regjistruar në hipotekë një pjesë të territorit, e cila i është njohur dhe kthyer qysh në vitin 1996.

Ai kishte në dorë një shkresë nga Ministria e Brendshme, e cila e urdhëronte një nga pronarët e truallit, të largohej nga territori i SHQUP, pasi ajo do të kalonte si pronë e Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për një urdhër administrativ që e urdhëron pronarin të largohet nga prona që i është njohur, kthyer dhe regjistruar në hipotekë si e tij. Kjo shkresë vinte nga qeveria e Sali Berishës, dhe pronari që ishte në tavolinë me mua, kishte mundësi të dëgjonte dhe Berishën që paralajmëronte shqiptarët se Rama do t’u marrë pronat dhe të më tregonte mua se si Berisha po e përzinte nga prona e vet më keq se Enver Hoxha në vitin 1950.

Në këtë histori të pështirë hipokrizie dhe zaptimi, ka vetëm një dimension konstant, dhe ai është konsiderimi i pushtetit prej Berishës, si një e drejtë për të rrëmbyer çfarë të duash. Pronarët e ligjshëm të SHQUP-it e kanë marrë pronën në vitin 1996 dhe përveçse u është kthyer territori bosh dhe një ndërtesë provizore, kanë marrë të drejtën të parablejnë godinën e SHQUP-it, nëse ajo shkon drejt privatizimit. Godina ka qenë pengesë për t’u marrë, pasi ishte në inventarin e pronave të Ushtrisë dhe si e tillë mund të kompensohej. Tashmë që ajo u hoq nga ky inventar, duhet t’iu ofrohet kundrejt një çmimi natyrisht, pronarëve, para se të kthehet në një pronë të një partie politike.

Por, dhe në këtë histori ka dy fytyra hipokrite të Sali Berishës. Selia aktuale e Partisë Demokratike, në pjesën më të madhe të saj, sipas Berishës, gjendet në një tokë shtetërore. Një parti që mburret se mbron pronarët dhe u qan hallin atyre se po vijnë socialistët në pushtet, pikërisht duke ikur nga pushteti lë një pronë shtetërore, dhe rrëmben pronën e ligjshëm të një pronari, i cili tashmë e ka marrë shumicën e saj. Pra, nëse PD do të ishte tek SHQUP-i, që është pronë private , veprimi normal i saj si parti që mbron ish- pronarët, do të ishte të ikte nga SHQUP-i tek PD-ja e sotme, meqë Berisha thotë se është tokë shtetërore shumica e saj dhe jo kjo që po bën Berisha.

Atëherë lind pyetja çfarë motivi ka Sali Berisha që duhet të lëvizë selinë e partisë nga një pronë shtetërore, duke zaptuar tashmë një pronë private?

Asgjë tjetër veçse zaptimit të një prone. Nuk bëhet fjalë siç tha padashje Edi Paloka, se “do t’ua lëshojmë godinën ish- pronarëve”, por thjesht se Berisha dëshiron të zaptojë një pronë me vlerë në qendër të Tiranës dhe ta përdorë atë si biznes për të mbijetuar me Familjen e tij në opozitë.

Këto rrethana të reja janë një arsye e fortë që qeveria e re të tregohet e vendosur dhe e pakompromis në moslejimin e një paligjshmërie të tillë. Paligjshmërisë së heqjes së pronës nga inventari i Ushtrisë që u bë për interesa korruptive të Presidentit, tashmë i shtohet skandali i zaptimit të një prone private për interesa korruptive të Familjes Berisha. Kjo nuk duhet të lejohet. PD duhet të rikthehet tek godina e saj dhe pronarët e truallit tek godina e SHQUP-it duhet t’i paguajnë shtetit shqiptar vlerën e godinës dhe ta marrin atë, nëse qeveria nuk ka fuqi ta rikthejë pronën aty ku ishte, tek ushtria.

Të legjitimosh një akt që bëhet thjesht për të zaptuar pronën e tjetrit, siç po vepron Sali Berisha, është të nisësh qeverisjen me një paligjshmëri totale dhe duke toleruar një krim ndaj shtetit dhe një krim ndaj qytetarit. PD nuk është as pa zyra dhe as e nxjerrë në rrugë. PD po sillet si një bathoriste që i vë syrin pronës së dikujt dhe e zapton vetëm se i pëlqen dhe vetëm se mendon që askush nuk e prek dot. Miti i zaptuesit në këtë vend duhet të bjerë, duke bërë shembull kryezaptuesin e vendit, Sali Berisha, i cili ka filluar të mobilojë zyrën e tij në SHQUP. Qeveria e re nuk duhet të fokuset vetëm tek ndërtimet pa leje dhe zaptuesit e bregdetit, por tek thelbi i këtij fenomeni, që ka inkurajuar zaptimet në Shqipëri, dhe ky fenomen quhet Sali Berisha. Akti i tij i fundit po luhet tek godina e SHQUP-it në zemër të Tiranës, duke zaptuar prona të ligjshme pronarësh dhe ndërtesa shtetërore.