Nga Mero Baze, 9 Korrik 2012
Qeveria njoftoi se ka anuluar procedurën e nxjerrjes në ankand për tu marrë në përdorim përmes procedurës së marrjes me qera kundrejt detyrimit për të investuar, konviktin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Procedura kish nisur më parë nga Bashkia e Tiranës dhe të themi hapur ishte një nder që Lulëzim Basha ia bënte Irfan Hysenbelliut, botuesit të gazetës Panorama, i cili donte të transferonte aty kampusin e universitetit privat “Luarasi”, të cilin e ka blerë vitin e fundit.
Anulimi i vendimit në kushte të tjera duhej përshëndetur, por në këto rrethana është një lajm tjetër i keq i pafuqisë që ka qeveria për të kundërshtuar tashmë orekset e klientëve të saj në biznes. Historia është e thjeshtë. Kundër këtij vendimi, i cili po bëhej realitet, u ngrit grupi mediatik Klan, biles më saktë sponsori në hije i këtij grupi, biznesmeni Samir Mane, i cili nuk e pranonte dot që përveç tij dhe bizneseve të tij, Berisha të fuste në oborr dhe një klient tjetër. Profili i Hysenbelliut në raport me grupin Klan, pas të cilit qëndron Mane, natyrisht që është më larg Berishës. Ai ka arritur deri tek ndikimi i plotë mbi grupin e Bashës dhe kontrollin mbi bizneset që varen nga Bashkia, por jo deri tek qeveria.
Vitin që shkoi ai bëri një sforcim për të sulmuar qeverinë se po i jepte Bashkim Ulajt, një biznesmeni më shumë se i Familjes Berisha, një koncesion për të çarë gjithë rrugët e Shqipërisë, duke e quajtur atë skandal të Olldashit dhe duke theksuar faktin se një projekt të ngjashëm e kishte dhe qeveria, e cila po e prokuronte. Me qetësi të madhe Berisha jo vetëm që nuk e cenoi projektin e parë Olldashi- Ulaj, por i dha këtij dhe projektin e dytë, atë të qeverisë, duke i kujtuar Hysenbelliut se ishte duke kritikuar pa leje.
Tani jemi në rrethana të ngjashme. Një objektiv konkret, biznesi i Hysenbelliut për një konvikt publik ku do të zhvillojë një biznes të ngjashëm privat, po sulmohet nga TV Klani dhe sponsorët e tij jo për parimin e ruajtjes së publikes kundër privates, por për të mos lejuar afrimin në oborrin e Berishës të njerëzve të tjerë përveç tyre. Shembulli më skandaloz i zaptimit të pronave publike në Shqipëri dhe përdorimi i tyre për interesa tërësisht private të biznesit të tyre është TV Klan dhe sponsorët e tij.
Ish-kinostudioja ‘Shqipëria e Re’ mund të quhet sot pa mëdyshje “Kulla Aleksandër Frangaj”, pasi ai jo vetëm që ka zaptuar aty pothuaj çdo godinë, por ka nxjerrë jashtë loje dhe pronarët e ligjshëm që kanë pasur të drejtën e parë për privatizim, pas daljes në ankand. Qeveria shqiptare dhe Sali Berisha e kanë ndryshuar VKM për dhënie me koncesion sipas dinamikës me të cilën Frangaj zaptonte këto godina dhe i kalonte për privatizim. Në muajt që i merrte me qira, ulte qiranë, në muajt që i nxirrte në ankand, ndryshonte pjesën e ankandit, në muajin që i privatizonte, ulte çmimet sipas preferencës…
Pra, nëse hetohen ndryshimet e germave dhe neneve të ligjit për koncesionet dhe amfiteozën dhe paralelisht shikoni dhe çfarë ka privatizuar TV Klan, do të shikoni si i ka kapur shtetin ky Klan. Një televizion i vetëm ka mbështetur PD dhe Berishën në opozitë, në luftë me Aleksandër Frangajn, atëherë ushtar i Ilir Metës dhe Fatos Nanos, TV Shijak, dhe Frangaj pati aq fuqi që ta riposhtëronte dhe persekutonte jo vetëm kur ishte në pushtet si socialist, por dhe tani që është në pushtet si demokrat.
Gëzim Ismaili, pronari i atij TV, fitoi një ankand të rregullt për një kapanon të prishur në Kinostudio për të ndërtuar TV e tij që në vitin 2007, por dhe sot e kësaj dite Frangaj e ka bllokuar, e ka rrethuar, e ka penguar ta ndërtojë dhe investojë dhe është duke ia zaptuar, ndërkohë që ai është rrugëve pa lek, pa mbështetje qeveritare, bile dhe pa mbështetje njerëzore për problemet shëndetësore që i kanë ndodhur. Sali Berisha nuk guxon as ta ndihmojë se i zemërohet Frangaj.
Më tej akoma dyshja Manaj- Frangaj kanë një dosje problematike të ndryshimit të destinacionit për ndërtime të një zonë socialkulturore, që ishte aneksi i stadiumit Qemal Stafa në Tiranë. Gjithçka u shkatërrua për shkak të tyre dhe qeveria u përfshi dhe në dhënien e disa njollave toke publike për ta bërë të plotë planin e tyre për grataçiela 25 katëshe.
Në gjithë vijën bregdetare nga Lezha në Himarë ata kanë përfituar tokë nga prona publike për projekte turistike dhe nuk kanë lënë repart ushtarak dhe ndërmarrje pa privatizuar për tu ndryshuar destinacionin në ndërtime. Pra, jemi para një rasti të fëlliqur, kur një grup që ka zaptuar gjithçka nga publikja, sapo shikon një rast të ngjashëm nga një biznesmen tjetër, gjunjëzon qeverinë dhe ia del ta mbajë larg tortës palën tjetër kundërshtare brenda llojit.
Pra, lajmi i vërtetë nuk është se konvikti i Gjuhëve të Huaja do ngelet pronë publike, por që qeveria është aq e pafuqishme të ndalë orekset e klientëve të saj, sa nuk ka fuqi të japë as një konvikt nëse nuk është dakord Samiri ose Sandri. Nëse ambasadori danez pyeste i çuditur se si do shkojë në Evropë një vend që drejtohet nga kriminelët (d.m.th qeveria), pyetja ime është se si mund të kemi shpresë tek një qeveri kriminale, e cila nuk ka frikë popullin dhe ligjin, por tutorët e saj më të mëdhenj, ata biznesmenë oborri që e mbajnë peng dhe e përdorin ketë qeveri si leckë këpuce për luksin e tyre.