Bledar H. Prifti, 04.12.2009
Do të ishte e pakonceptueshme për gjithsecilin nga ne që në këtë katrahurë neodiktatoriale dhe imorale të Sali Berishës të mos analizojmë rolin që luan Ilir Meta. Nuk mund të flitet për Berishën pa pasur parasysh Metën.
Duhet të pranojmë se Sali Berisha flet edhe në emër të Ilir Metës (dhe anasjelltas) dhe se ky i fundit nuk është gjë tjetër, por veç një zgjatim i të parit. Duhet pranuar, gjithashtu, se ai që i jep pushtet Berishës për të krijuar situata konfliktualiteti në shoqërinë dhe politikën tonë është Ilir Meta dhe grupimi i tij i pazarxhinjve.
Ilir Meta nuk duhet të konsiderohet thjeshtë si “kukulla” argëtuese në prehrin e kryeministrit. Ai duhet të konsiderohet si një ndër shkaktarët kryesorë të kësaj gjendje, në të cilën ndodhet politika Shqiptare aktualisht.
Pa Ilir Metën, sot ne nuk do të kishim një qeveri të mbushur me individë të kërkuar nga drejtësia, injorantë, hajdutë, taksidarë dhe pazarxhinj. Pa Ilir Metën, sot ne nuk do të kishim këtë soj kryeministri që, përveç rolit të gruas së ligë, ka marrë përsipër edhe rolin e udhëheqësit proletar të lënë bosh nga pararendësi i tij Enver Hoxha. Pa Ilir Metën, sot ne nuk do kishim këtë situatë politike konfliktuale që po gjeneron urrejtje kudo në masën popullore.
Pa Ilir Metën, ne sot nuk do të kishim një politikë që tallet me ne dhe tjetërson vullnetin e popullit. Ndaj, pa Ilir Metën, sot ne nuk do të përjetonim rizgjimin e një neodiktatori, i cili nuk e ka për gjë të sakrifikojë një komb të tërë për të përmbushur epshet e tij për pushtet absolut.
Po përse iu bashkua Meta çetës pushtetare të Berishës? Çfarë i lidhi këta dy politikanë që deri dje nuk lanë gjë pa thënë e bërë kundër njëri-tjetrit? Një arsye është dëshira e tejskajshme e të dyve për pushtetin.
Pas dështimit të 28 Qershorit, të dy menduan se çfarëdo që të merrnin nga njëri-tjetri do të ishte badihava. Fundja fundit të dy humbën, krahasuar me ambiciet e tyre. Për Berishën të mos pranonte kërkesën e Metës për postin e zv.kryeministrit do të ishte irracionale.
Ai do t’i jepte Metës edhe 6 portofola të tjerë nëse do ta kërkonte nevoja për të mbajtur postin e kryeministrit. Badihava e kishte edhe atë post kryeministror. Nga ana tjetër, Meta kërkonte të ringjallte dashurinë e tij të hershme për pushtet.
Për këtë, ai hyri në pazare me Berishën. Nuk dihet me saktësi se si eci pazari, por është e padiskutueshme që edhe në mendjen e Metës ka ekzistuar mendimi se çfarëdo të merrte nga Berisha do të ishte badihava. Dhe kështu të dy së bashku, si Coli dhe Loli, formuan qeverinë e re të badihavasë (mos e ngatërroni me çështjen e kufirit me Greqinë).
Por, dikush do të pyesë se përse e gjithë kjo qeveri e re ishte badihava? Një mall jepet badihava, atëherë kur malli nuk i përket personit që e shet ose kur malli është i trashëguar nga babai dhe personi nuk ka vuajtur për krijimin e atij malli.
Parë nga ky këndvështrim, pas 28 Qershorit, skenari më i mundshëm është se si Berisha ashtu edhe Meta përvetësuan një pushtet që nuk u takonte atyre.
Duke parë se të dy po humbisnin përballë Ramës, ata arritën një konsensus për të vjedhur mandatet e Partisë Socialiste. Së pari, Berisha premtoi t’i dhuronte Metës mandatin e Tiranës në këmbim të mbështetjes së Metës për krijimin e një qeverie me kryeministër Berishën.
Për këtë qëllim, Berisha urdhëroi manipulimin e votave në Tiranë për të bërë të mundur që Meta të fitonte mandatin e tij. Nëse e keni ndjekur me vëmendje, në ditët e para të numërimit, Meta dhe LSI nuk fitonin asnjë mandat në Tiranë. Përqindja e koalicionit të LSI ishte poshtë 5%-it. Befas në fund, Meta fitoi mandatin. Për Metën do të ishte një turp politik që të mos fitonte asnjë mandat në Tiranë.
Ai do të ishte fundi politik i Metës. Si shpërblim, Meta i premtoi Berishës mbështetje jo vetëm për formimin e qeverisë me kryeministër Berishën, por edhe siguroi atë se do të kontribuonte që të ndalonte rihapjen e kutive, gjë që rrezikonte të nxirrte shumë të palara, si të Metës ashtu edhe të Berishës.
Ky skenar përforcohet edhe nga këmbëngulja e Partisë Socialiste (PS) për të rinumëruar votat në disa zona të Tiranës dhe kundërpërgjigjja agresive e Metës dhe Berishës.
Si rrjedhojë, duke bashkëpunuar të dy, Meta arriti t’i shpëtonte turpit politik dhe të ngelurit pa mandat politik, kurse Berisha shfrytëzoi këtë gjendje të Metës për të përfituar në mënyrë ilegale një mandate tjetër si kryeministër. Kur vajti puna te ndarja e pushtetit të grabitur, të dy nuk e kishin problem ndarjen e “tortës” sepse, fundja fundit, ajo ishte badihava.
Nëse ky skenar do të lidhej me protesta mbarëpopullore për hapjen e kutive dhe krizën e legjitimitetit që ka mbërthyer politikën dhe institucionet politike, do të ishte shumë e vështirë të parashikohej një largim i Metës nga Berisha, pavarësisht kostos.
Nëse Meta do të vendoste të largohej nga qeverisja me Berishën, atëherë ky i fundit mund të reagonte duke nxjerrë të palarat e pazarit.
Duke e parë veten drejt një fundi politik, Berisha do të bënte gjithçka për të dëmtuar kundërshtarët e tij. Për Metën, kjo do të kishte një kosto të lartë politike, por jo aq e lartë sa fundosja bashkë me varkën e Berishës.
Duke qenë përballë këtyre dy zgjidhjeve, Meta do të zgjidhte të dytën, duke menduar se probabiliteti për t’u fundosur bashkë me Berishën do të ishte më i vogël sesa probabiliteti i nxjerrjes së të palarave nga Berisha në rast largimi të Metës.
Skenari i dytë i mundshëm do të ishte bashkimi i Metës me Berishën për shkak të inateve personale me Ramën dhe PS-në.
Parë nga ky këndvështrim, bashkimi i Metës me Berishën do të konsiderohej si një hakmarrje përkundrejt Ramës dhe PS, për arsye të caktuara që pretendojnë palët. Ky është një fenomen që ka ndodhur edhe ndodh në arenat politike, dhe forcat politike marrin përsipër kostot politike të vendimeve të tyre.
Nëse ky skenar do të lidhej me gjendjen aktuale të politikës dhe institucioneve politike, ahere do të kishte shumë mundësi që Meta t’i largohej bashkëpunimit me Berishën. Meta do të kishte shumë arsye për të ndërmarrë këtë veprim.
Së pari, vendimi i tij do të bënte të mundur ç’tensionimin e situatës politike në vend, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme, ku populli të zgjidhte qeverinë e re. Së dyti, kostoja e zgjedhjeve të parakohshme do të ishte shumë herë më e ulët sesa kostoja e prodhuar nga kriza politike dhe institucionale që ka mbërthyer vendin aktualisht.
Së treti, përmes këtij vendimi, Meta do të arrinte të fuste përsëri LSI-në në arenën politike, si një forcë e majtë progresiste, pavarësisht se impakti mund të ishte i vogël. Dhe, së fundmi, Meta, përmes kësaj zgjidhjeje, do të arrinte të rigjeneronte dhe rikonfiguronte në mënyrë substanciale profilin e tij politik.
Pavarësisht arsyeve të mundshme të paraqitura më lart, koha do të tregojë se çfarë e motivoi Metën për t’iu bashkuar Berishës. Nëse bashkëpunimi i tyre është fryt i një pazari të ulët dhe të jashtëligjshëm politik, atëherë ne nuk duhet të presim asnjë ndryshim midis sjelljes së Metës dhe asaj të Berishës. Ata të dy do të jenë plotësues të njëri-tjetrit, dhe derisa populli të arrijë t’i largojë nga pushteti, të dy do të jenë drejtues të një qeverisje badihava.
Nëse bashkëpunimi i Metës me Berishën është thjesht rezultat i një hakmarrje politike e të parit ndaj Ramës, atëherë ekzistojnë të gjitha gjasat që Meta do t’i largohet Berishës dhe populli do të zgjidhë krizën aktuale përmes zgjedhjeve të parakohshme. Kjo do të bëhej edhe më e besueshme dhe realiste, nëse tensioni politik do të përshkallëzohej në të ardhmen. Le të presim dhe të gjykojmë.