Qeveri të tilla idiokratike…

0
42

Naser Aliu

Revista “Spiegel” para disa muajve pat intervistuar blegtorë grekë, që kishin vjedhur subvencione europiane. Ata për kokë bagëtie merrnin ndihma nga fondet e Europës. Grekët deri sa kishin bartur delet nga stalla në stallë dhe kështu kishin arkëtuar të gjithë. Reporteri i pat shtruar këtë pyetje: kur do të bëheni europian? Blegtori grek, i cili këtë nuk e konsideronte vjedhje, por marrje, i pat thënë se brezat e rinj do të europianizohen…

Një reporter i televizorit pyeti në një treg të Athinës pse shitësit nuk kishin edhe arkë, ku regjistroheshin hyrjet. Tregtari grek iu përgjigj kështu: “Kur bie shi, arka mund të laget dhe prishet, prandaj nuk e përdorim…”

Televizori gjerman njoftoi se në Greqi punojnë 4 milionë njerëz dhe një milion prej tyre janë të punësuar nga shteti, nëpër administratë. Nëse në Greqi janë edhe 1 milion pensionistë, atëherë dy veta punojnë për dy veta që nuk punojnë.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” njoftonte se në Greqi në vitet e shkuara, janë harxhuar 8 miliardë euro për pensionet e grekëve të vdekur. Shihet se Greqia nuk kujdeset vetëm për grekët e gjallë të Shqipërisë, por edhe për ata në botën tjetër. Nuk kanë faj, ndoshta në botën tjetër pagat janë më të vogla apo paguhen me drahma e grahma.

Sipas gazetës gjermane “FAZ” 9000 grekë me më shumë 100 vjet, marrin akoma pensione. Kjo është shifra më e lartë në UE e mbi 100-vjeçarëve. Sikur të vazhdohej me këtë ritëm, atëherë pensionistët grekë do të hiqnin dorë nga vdekja. Nuk kanë faj. Në Ballkan vjedhje konsiderohet vetëm nëse thyhet dera apo dritarja, jo nëse shteti të dërgon në bankë.

Nëse falimentojnë bankat greke, do të tërhiqet pas edhe Rumunia, e cila po furnizuaka me kapital të freskët nga bankat greke. Ky është Unioni Europian sot. Kur nisë ndërtimi i shtëpisë nga kulmi, atëherë edhe shembet: fuqia e gravitacionit! Monedha e njëjtë, sisteme të ndryshëm financiare dhe ambasada akoma nëpër shtete pa kufij ndërmjet vete. UE!

Shumë ekonomistë gjermanë mendojnë se Greqia duhet përjashtuar nga Unioni Monetar. Shefi i Bankës Gjermane e kundërshtoi këtë, sepse mund ta bëjnë pastaj edhe vendet tjera: në rrezik janë: Portugalia, Spanja dhe Italia e Berlusconit. Spanja ka gati 5 milionë të pa punë, 22%. Tek brezi i ri papunësia arrin në 45%. Papandreu propozoi referendum. Nuk i shkoi mendja fare se Gjermania mund të bëjë referendum se a duhet të bëhet dorëzanë për miliardat greke. Grekët kanë falimentuar, por protestat nuk pushojnë dhe kërkojnë pagat e njëjta dhe shpresojnë se këto duhet t’ua falë dikush tjetër, e jo të paguajnë tatime… Ata punonin më pak se 11 muaj, por merrnin 14 paga! Mos të gëzohemi me krizën greke, sepse qeveri të tilla idiokratike kemi në tërë Ballkanin. Ballkani është duke krijuar një aristokraci si kishte Europa në shek. XIX dhe për këtë i duhen para nga jashtë. Aristokratët tanë, si edhe tani grekët e pasur, i dërgojnë lekët përsëri jashtë: në Zvicër do të ruhen ato.