QEVERI QE DHUNON EDHE “SKENDERBEUN”, EDHE KUSHTETUTEN

0
22

Andrea Stefani

Andrea Stefani

Në orvatjen tipike autoritariste për t’i vënë shkopinj nën rrota zbatimit nga pushteti vendor i Bashkisë së Tiranës i projektit të sheshit “Skënderbej”, Kryeministri Berisha, ministra dhe institucione të varura prej tij, po dhunojnë hapur Kushtetutën e Republikës, duke sulmuar në emër të Kushtetutës. Pak ditë më parë, ministri Sokol Olldashi u kap gafil në emisionin “Opinion”, kur pretendoi se plani për punimet në sheshin “Skënderbej” duhet të paraqitet në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës (KRRTRSH).

Një të tillë gënjeshtër e përsëriti dy ditë më vonë, në një Konferencë për shtyp, edhe Kryeministri Sali Berisha. Themi gënjeshtër sepse, që nga viti 2006, një vendim i Gjykatës Kushtetuese e ka shpallur antikushtetuese kërkesën e ligjit “Për Urbanistikën”, që detyronte marrjen në KRRTRSH të lejeve të ndërtimit për objekte të rëndësishme në qendrat e qyteteve.

Dhe çdokush që respekton shtetin ligjor, vendimet e gjykatave dhe Kushtetutën, nuk mund të mos skandalizohet kur shikon që, 4 vjet më vonë, qeveria kërkon të pengojë realizimin e një projekti nga një pushtet lokal, bazuar pikërisht në atë frazë të ligjit që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si antikushtetuese dhe në kundërshtim me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore. Por nuk habitet, sepse sabotimi i punës së rivalëve politikë duke mashtruar publikun, duke dhunuar vendimet e gjykatave në emër të “Ligjit” dhe Kushtetutën në emër të “Kushtetutës”, është tashmë thelbi i pushtetit autoritarist të Berishës dhe njëherazi, taktika e vetme e mbetur për t’i zgjatur jetën vetes.

* * *

Ndërsa ka bllokuar transparencën e zgjedhjeve me pretekstin e “respektimit të vendimit të një gjykate” qeveria dhe shumica po bllokojnë punimet e Bashkisë së Tiranës për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”, duke dhunuar hapur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit u detyrua, rreth 4 vjet më parë, të gjykojë konfliktin mes qeverisë “Berisha” dhe Bashkisë së Tiranës lidhur me ndërtimin e një mbikalimi në “Zogun e Zi”.

Edhe në atë kohë ishte po qeveria që këmbëngulte të mos lejonte zbatimin e projektit me lloj-lloj pretendimesh e yçklash burokratike e “ligjore”. Madje ajo, me arrogancën tipike që i karakterizon autoritaristët, e shkatërroi atë çka qe ndërtuar në “Zogun e Zi”, duke i shkaktuar publikut një humbje prej 1.3 milionë dollarësh. Më pas u provua se vendimet e qeverisë nuk kishin lidhje as me të drejtën, as me ligjin dhe as me interesin publik dhe të qytetarëve të Tiranës, por vetëm me interesat destruktive të Kryeministrit Berisha, përpara fushatës për pushtetin lokal që afronte.

Dhe ishte Gjykata Kushtetuese që në shqyrtimin e konfliktit për mbikalimin e “Zogut të Zi”, i shpalli si antikushtetuese, si dhunim të autonomisë së pushtetit vendor, kërkesën e ligjit “Për Urbanistikën” që KRRTRSH të miratojë edhe “lejet e ndërtimit për objekte të rëndësishme në qendrat e qyteteve, studimet urbanistike të të cilave miratohen prej tij”. Kjo kërkesë e ligjit, që në fakt kish qenë edhe gjeneruese e konfliktit për “Zogun e Zi”, u shpall antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Që do të thotë se që nga viti 2006, ajo është shfuqizuar dhe nuk është më pjesë e ligjit. Por a marrin vesh autoritaristët arrogantë nga drejtësia?

Ministri Sokol Olldashi, në kundërshtim flagrant me Gjykatën Kushtetuese, kërkon t’i japë jetë një fraze të ligjit që është shpallur antikushtetuese prej gjykatës, duke i kërkuar publikisht Bashkisë së Tiranës të miratojë planin për sheshin në KRRTRSH. Të njëjtën kokëfortësi antikushtetuese shfaq edhe Kryeministri Berisha, kur deklaron se “një plan i tillë që kap sipërfaqe të mëdha duhet t’i nënshtrohet me patjetër shqyrtimit në KRRTRSH”. Kemi të bëjmë me një mashtrim të hapur të publikut nga Kryeministri në deformim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, shoqëruar me veprime në dhunim të këtij vendimi.

Sipas ligjit ekzistues të urbanistikës, KRRTRSH ka mjaft kompetenca ndër të cilat edhe miratimin e studimeve për qendrat e qyteteve mbi 50 mijë banorë. Pra ka të drejtë të miratojë edhe studimin për Qendrën e Tiranës. Dhe ky është ai që quhet “plani francez”, që është miratuar tashmë nga KRRTRSH. Ndërkaq sheshi “Skënderbej” është vetëm një nga objektet e shumta të qendrës së Tiranës ashtu sikundër brenda tij, ka edhe shumë objekte të tjera. Lejet e ndërtimit apo planet për të gjitha këto (pra edhe për sheshin “Skënderbej”) pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2006, nuk janë më objekt shqyrtimi i KRRTRSH, por e këshillave lokalë të rregullimit të territorit.

Në rastin konkret, leja e ndërtimit për sheshin “Skënderbej”, është miratuar në KRT të Bashkisë së Tiranës, ku ka pasur përfaqësuesit e vet edhe qeveria qendrore. Ata kanë qenë prezentë edhe në jurinë ndërkombëtare për vlerësimin e disa projekteve konkurruese për sheshin. Dhe kanë dhënë miratimin. Sot kanë ndryshuar qëndrim dhe kundërshtojnë, duke futur në lojë si të gjithë sharlatanët e kësaj bote edhe nacionalizmin, atë që kanë aprovuar dje. Përse?

* * *

Të gjitha piruetat e qeverisë lidhen skandalisht me planet e Berishës. Politika e kësaj qeverie s’ka të bëjë me ligjin, por me Kryemaliqin. Në kohën kur urbanisti i qeverisë, Marin Biçoku, aprovonte në jurinë ndërkombëtare dhe në KRT të Tiranës projektin belg, që sot kundërshtohet si “antishqiptar” nga “patriotët” e qeverisë, ishin kohë të tjera politike. Bëhet fjalë për vitin 2008. Marrëdhëniet mes PS dhe PD ishin në “konsensus”, deri edhe “historik”, për amendimin autoritarist të Kushtetutës së Republikës. Prandaj edhe Kryeministri Berisha i bënte me shenjë të vetëve që të tregoheshin më “konsensualë”, edhe lidhur me projektin për sheshin “Skënderbej”.

Berisha po e bënte Kushtetutën ashtu si ia donin planet e sundimit e përse të mos e kënaqte opozitën me një thërrime, duke i thënë OK një plani të saj për sheshin “Skënderbej”? Por sot janë të tjera kohë. Mjalti i konsensusit ka mbaruar. Berisha e arriti atë që deshi me anë të butësisë hipokrite dhe “konsensusit” mashtrues me opozitën. Duke u shtirur si i zbutur, ai i mbijetoi pasojave politike që duhet të kish pasur për shkak të tragjedisë kriminale të Gërdecit madje, arriti të manipulojë edhe zgjedhjet duke mbetur në pushtet.

Dhe tani që opozita proteston për votën, tani nuk ka më vend për konsensus. Putra e qeverisë është hapur dhe kthetrat despotike shihen qartë. Tani opozita, çdo pushtet i saj, duhet të pengohet në çdo hap dhe projekt të sajin. Prandaj edhe projekti belg, të cilit deri dje ju dha një OK, shpallet sot deri edhe piramidal nga kryemjeshtri i piramidave më shkatërruese në historinë e Shqipërisë. Dhe i gjithë ky sabotim i projektit të sheshit “Skënderbej” është bazuar mbi dhunimin e Kushtetutës dhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Por a mund të ndodhë ndryshe me një qeveri që kryesohet nga një autoritarist i betuar? Prandaj më shumë se një konflikt urbanistik, konflikti për “Skënderbeun” është politik. Është përplasja e autoritarizmit me konstitucionalizmin. Prandaj dhe mbrojtja e “Skënderbeut” nga opozita është njëherazi mbrojtje e pavarësisë së gjyqësorit dhe vendimeve të tij, është mbrojtje e Kushtetutës nga dhuna autoritariste e pushtetit.