Eduard Zaloshnja, 11.11.2009
Që kur Konti Joseph De Maistre (1753-1821) shkruajti se çdo popull e meriton qeverinë e vet, fjalët e tij janë cituar me qindra herë për të theksuar rolin e vogël të individëve në histori.
De Maistre, në fakt, nuk i përdori ato fjalë në kontekstin e debatit mbi rolin e individit dhe masave në histori ai i shihte qeveritë e këqija si një ndëshkim ndaj popujve që ishin shmangur nga rruga e Zotit.
Por sidoqoftë, fjalët e tij shpesh janë cituar në literaturën politike për të vënë në dukje se nga një popull i pazhvilluar nuk mund të dalin udhëheqës të përndritur. Ndërsa në jetën e përditshme, ato citohen jo rrallë nga njerëz të frustruar me qeveritë e tyre.
Në vitet e fundit, fjalët e De Maistre-së i kanë përdorur edhe shumë shtetas shqiptarë. Për të vërtetuar saktësinë e tyre, ata i referohen psikologjisë së nepotizmit, klientelizmit dhe korrupsionit që mbizotëron në mentalitetin tonë.
Ose i referohen nivelit të ulët të ndjenjës së përgjegjësisë ndaj fateve të vendit ndër shumë shqiptarë. Ata argumentojnë se, ndërkohë që shumica e shqiptarëve janë zhgënjyer me kohë nga dy forcat kryesore politike aktuale, nuk kanë qenë të aftë të nxjerrin në dritë një forcë të re politike që do t’i sfidonte ato.
Pra, thënë ndryshe, këta citues të De Maistre-së nuk shohin asnjë shpresë për ndryshimin e qeverisjes për sa kohë nuk kanë ndodhur ndryshime thelbësore në mentalitetin shqiptar. Dhe, si rezultat, ata rijnë larg procesit politik.
Në anën tjetër të spektrit të njerëzve të frustruar nga dy partitë kryesore shqiptare janë ata që argumentojnë se të presësh deri sa individi më i fundit të jetë emancipuar, do të thotë të ecësh me hapin e më të dobëtit. Ndërkohë, sugjerojnë ata, ndryshimet duhet të vijnë nga më të përparuarit, qofshin ata edhe të paktë.
Ky grup njerëzish shpreson që një udhëheqës energjik e karizmatik të marrë nismën për krijimin e një force të re dominante politike, bërthama e së cilës të përbëhet nga intelektualë me arsimim e mentalitet perëndimor.
Sipas tyre, vetëm një forcë e tillë do të ishte e aftë të shëronte plagët e rënda që kanë mbërthyer qeverisjen në Shqipëri gjatë18 vjetëve të fundit. Dhe përderisa një forcë e tillë akoma nuk ka dalë në skenën politike shqiptare, ata, njësoj si partizanët e ndryshimeve në mentalitet, rijnë larg procesit politik.
Dhe pyetja është se cila palë ka të drejtë. Fatkeqësisht, përgjigjja e kësaj pyetje nuk mund të kënaqë asnjërën nga palët – e drejta ndodhet diku në mes të distancës që i ndan ato.
Ata që thonë se e meritojmë qeverinë që kemi kanë një farë të drejte – po të zhbirilohen thellë shqiptarët që kritikojnë kreun e qeverisë aktuale, shëmbëlltyra të tij mund të gjenden brenda mijëra e mijëra syresh.
Dhe këta shqiptarë punojnë sot ose do të punojnë nesër diku në një zyrë, të cilën e përdorin ose do ta përdorin për të marrë mitë, për t’i bërë favore të pamerituara të afërmve ose të njohurve të tyre dhe për të shkëmbyer favore abuzive me zyrtarë të tjerë.
Por a duhet që ekzistenca e kësaj prirje të theksuar kah korrupsioni e klientelizmi ndër shqiptarët t’i dekurajojë ata që dëshirojnë ndryshime thelbësore në qeverisje? A duhet që ata ta fokusojnë vëmendjen vetëm kah ndryshimi i mentalitetit shqiptar?
Ndryshimi i mentalitetit është pa dyshim formula më e sigurt për arritjen e ndryshimeve thelbësore në qeverisje, por edhe më e ngadalta.
Dhe meqenëse është e ngadaltë, kushdo që dëshiron një qeverisje më të mirë nuk duhet të rrijë larg zhvillimeve politike aktuale. Pasiviteti politik, bazuar në arsyetimin se vlen të votosh vetëm kur ndryshimet në mentalitetin shqiptar të kenë krijuar kushtet për daljen e një alternative që ta meritojë votën, është thjesht joracional për kushtet aktuale.
Në skenën politike shqiptare ekzistojnë alternativa qeverisëse relativisht më të mira se aktualja, të cilat nuk duhet të neglizhohen nga njerëzit që besojnë se çdo popull e meriton qeverinë e vet.
Dhe ato nuk duhet të neglizhohen sepse, edhe në qoftë se nuk meritojmë një qeveri si të Finlandës, për shembull, nuk kemi pse të pranojmë një qeveri që kryesohet nga udhëheqësi më i papërgjegjshëm e ndoshta më i korruptuari ndër të gjithë udhëheqësit politikë aktualë.
Po ata që besojnë se meritojmë një qeveri shumë më të mirë se çdo qeveri që mund të ofrojnë udhëheqësit aktualë çfarë duhet të bëjnë? A veprojnë drejt ata kur injorojnë alternativat aktuale dhe e mbajnë shpresën e tyre pothuajse ekskluzivisht në daljen e një Uashingtoni shqiptar?
Dalja e individëve të tillë të fuqishëm në skenën e historisë së një populli nuk është diçka që ndodh shpesh. Në fillim të shekullit të kaluar, një individ i tillë, Ahmet Zogu, në moshë fare të re, doli në krye të shtetit shqiptar dhe e ktheu atë nga një territor kaotik e krejtësisht të përçarë në një shtet funksional.
Ndërkohë, nuk ka kurrfarë garancie se, edhe në fillim të këtij shekulli, do të dalë në skenën politike shqiptare një udhëheqës i aftë për të sjellë ndryshime dramatike të së njëjtës magnitudë në qeverisje.
Por, edhe po ta kemi atë fat, nuk mund të pritet që niveli i qeverisjes t’i afrohet shumë shpejt atij të shteteve të konsoliduara demokratike – një udhëheqës i mirë ka nevojë edhe për udhë-ndjekës të mirë.
Duke mbajtur parasysh gjasat e vogla të daljes në skenën politike shqiptare të një udhëheqësi që do të sillte ndryshime rrënjësore në qeverisje, të gjithë ata që janë në pritje të tij bëjnë mirë të hedhin një sy nga çfarë e sotmja ofron. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe ata që presin ndryshimin gradual të mentalitetit shqiptar.
Dhe të dyja palët bëjnë mirë ta fillojnë që sot analizën e alternativave që ofrohen në tregun politik. Ndërsa në fund të analizës, bëjnë mirë ta ndajnë mendjen për të mbështetur alternativën më të mirë qeverisëse, pavarësisht nga largësia prej të përkryerës.