Qeveri, antipod i vlerave europiane

0
73

Lazër Stani, 01.04.2010

Qeveria shqiptare, në këto ditë të tensionit dhe të krizës së thellë politike, e ka shpallur veten edhe pronare të vlerave të Europës dhe të Integrimit Europian, të liberalizimit të vizave dhe të së ardhmes sonë euro-atlantike.

Me propagandën, deklaratat dhe demagogjinë e saj, qeveria po përpiqet të bindë qytetarët se kush është me qeverinë dhe mazhorancën është me Europën, kush është kundër qeverisë është kundër Europës, kundër integrimit, kundër liberalizmimit të vizave, është i kuq, komunist, pinjoll blloku dhe gjithçka tjetër që u shkon në mendje gojëtarëve.

Po a është e vërtetë se qeveria, kryeministri dhe përfaqësuesit e tjerë politikë të mazhorancës përfaqësojnë gjithçka europiane që ka ky vend dhe ne të tjerët, që nuk jemi pjesë e kësaj mazhorance, përfaqësojmë gjithçka të keqe dhe anti-europiane që ka ky vend?

Nëse do të kishin pak seriozitet dhe pak shqetësim e dhembje për këtë vend, këtë pyetje, kryeministri dhe përfaqësuesit e tjerë politikë të mazhorancës, duhej t’ia shtronin vetes. Por në këto momente krize të thellë, kur Shqipëria përpëlitet në dramën e vet politike, këtë pyetje duhet t’ia shtrojnë vetes edhe qytetarët që të dinë të orientohen më mirë në interes të tyre dhe të së ardhmes së vendit.

Bashkimi Europian, sikurse ka shkruar Vaclav Havel, është e bazuar në një sistem të gjerë vlerash, më rrënjë në qytetërimin antik greko-romak dhe në krishterim që gjatë dy mijë vjetëve kanë evoluar në atë që ne njohim sot si themele të demokracisë moderne, sundimit të ligjit dhe të shoqërisë civile.

Europa, si komunitet i vlerave, ka arritur në standardet ku është sot, pikërisht nëpërmjet ruajtjes dhe pasurimit të këtyre vlerave. Këto vlera janë mishëruar në lirinë individuale dhe në përgjegjësinë shoqërore që sot janë tipare të qytetarit europian. Vlerat kryesore europiane janë të mbështetura në lirinë dhe humanizmin, në zhvillimin e demokracisë, në garantimin të drejtave dhe të lirive të njeriut dhe në sundimin e ligjit.

Mazhoranca e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit dhe qeveria e prodhuar prej saj, pavarësisht kostumit demagogjik europian që përpiqet t’i veshë vetes, në shumë pikëpamje, është antipodi i këtyre vlerave. Mjafton të përmendim vetëm disa fakte për të treguar se sa pak europiane në vlera është qeveria, mazhoranca, politika dhe qeverisja e prodhuar prej saj.

Nëse Europa është një komunitet kulturor me rrënjë në kulturën antike greko-romake, mazhoranca dhe qeveria e prodhuar prej saj prej vitesh sillet më barbarizëm më kulturën dhe njerëzit e saj.

Pothuajse të gjithë njerëzit e kulturës, shkrimtarët dhe artistët u përjashtuan nga institucionet kulturore të vendit, duke ia dorëzuar punët e kulturës në dorë militantëve partiakë, ish-policëve, apo individëve që vijnë nga shtabet okulte të grabitjes së votave. Pothuajse gjysma e njerëzve të artit kanë emigruar, sepse politika kulturore e ndjekur nga kryeministri dhe vartësit e tij ka qenë dhe mbetet politikë e skllavërimit nëpërmjet “kafshatës”.

Nuk është politikë kulturore financimi dhe blerja e librave të ndonjë botuesi të afërt me qeverinë. Në fund të fundit edhe Stalini i pati detyruar anëtarët e Byrosë politike të zbathnin këpucët deri sa gjeti një palë këpucë për t’ia dhuruar Mihail Bulgakovit që po vetë e kishte persekutuar për shumë vite, ndërkohë që po ky diktator firmosi vdekjen, burgosjen, internimin dhe ndëshkimin e dhjetra shkrimtarëve dhe artistëve, kundërshtarë të regjimit. Përjashtimi i njerëzve të kulturës nga jeta publike dhe institucionet shpreh jo vetëm barbarizmin e kësaj qeverie, por edhe fytyrën e vërtetë jo europiane të saj.

Më i përzishëm ende është qëndrimi i kësaj qeverie ndaj lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe sundimit të ligjit. Liritë politike të njeriut marrin fund, kur vota e tij tjetërsohet, kur vota e tij grabitet, kur vota e tij nuk përfillet në qeverisjen dhe mbarëvajtjen e vendit.

Zgjedhjet jo të lira janë skllavëri dhe fyerje për personalitetin e njeriut, shkelje dhe nëpërkëmbje e dinjitetit të tij. Në një vend të qytetëruar do të mjaftonte vetëm masakra elektorale e ndodhur në Ruzhdie që qytetarët ta përzinin këtë mazhorancë nga pushteti, sepse kur shkelet liria politike e një qytetari, është cenuar liria politike e të gjithë qytetarëve.
Një pushtet që vjen jo nëpërmjet votës së lirë është një pushtet që nuk e njeh përgjegjësinë para qytetarëve.

Ndaj këtu nuk qeveriset me ligje, po sundohet mbi ligje. Demagogjia e qeverisë se ne po ju çojmë ne Europë, se ne po ju heqim vizat, se ne ju antarësuam në NATO etj., është absurde, sepse në Europë shkohet me vlera europiane dhe jo me qendrimet primitive dhe antieuropiane që kjo qeverisje i demonstron në secilën ditë të ekzistencës së vet.

Ne mund dhe do të shkojmë në europë , kur sistemi i vlerave europiane të behet sistem edhe i vlerave tona, kur së pari ne të zgjedhim lirisht përfaqësuesit tonë politikë dhe kur askush më të mos guxojë të prekë votën e qytetarëve dhe të shpëtojë i pandëshkuar, siç ndodh në Shqipëri prej më se njëzet vjetësh. Kjo është e vetmja rrugë që ne na bën pjesë të vlerave europiane.