Qeni im Jessy

0
23

Arjan Th. Kallço

Prej kohësh kisha dëshirë të kisha në shtëpi një qenush, jo për të ndjekur një lloj mode që plasi pas viteve ’90, njerëzit ecnin me qen të lidhur me një zinxhirr të shkëlqyeshëm nëpër rrugë apo bënin xhiron e natës dhe kjo do të thoshte se edhe ti po ndiqje gjurmët e një mode perëndimore, majmunët na lanë trashëgim një zakon të keq, por për një shkak të thjeshtë se po kujdeseshe për dikë pasditeve dhe në fundjavat e njëpasnjëshme, meqë mëngjeseve isha i zënë në shkollë me dhjetra fëmijë. Të jesh mësues në një shkollë fillore nënkupton që përveç mësimit dhe njohurive që duhet t’u transmetosh, duhet edhe t’i edukosh me respektin për jetën, me dëshirën për ta jetuar atë mirë dhe pa shumë vuajtje. Zanati i edukatorit nuk e përjashton edhe botën e kafshëve, meqë vogëlushët dhe konkat ngjajnë si dy pika uji dhe kanë gjithmonë nevojë për përkujdesje. Në fillim u duhet të mësojnë të ecin, duke bërë hapat e parë, duhet të mposhtin frikën e rënies dhe të lëndimit, duhet të mësojnë të hanë, të pastrohen, të bëjnë shumë gjëra fiziologjike, por edhe të kujdesen për shpirtin, mendjen, sjelljen dhe që t’i biem shkurt, të formohen dhe orientohen për të ardhmen, kur prindërit e tyre nuk do të jenë më, ose kur do t’u duhet të vendosin që të jetojnë jetën e tyre. Më thoni, a ka profesion më miklues?
Disa kohë më parë erdhi në shtëpi, një vogëlush si drita e diellit kur lind në mëngjes, i shkathët, i hedhur dhe që nuk linte dy gurë bashkë. Mëngjeseve sapo ora trokiste 6.00, ngrihej dhe nga një dhomë tek tjetra, na bënte zgjimin.
Çohu, xhaxhi, të shkojmë tek mali! – ishte zëri i tij i sapozgjuar.
Do shkojmë të takojmë edhe patat? – sepse edhe ato janë zgjuar tani. Pastaj do të shkojmë të pijmë edhe kafen, apo jo xhaxhi.
Nuk desha ta zhgënjeja që në ditët e para, prandaj ia plotësoja dëshirat dhe nuk më vinte keq që e mbaja për orë e orë pas. Ishte vetëm 2 vjeç atëherë.
Tek zbriste shkallët bashkë me mua mëngjeseve, të kapur përdore, hapin e hidhte të sigurtë, pa frikën e rënies, bile symbyllur. Besonte tek mbështetja, besonte tek ajo llojë bese e pashkruar në lidhjen mes brezave se nuk do ta braktisja që më pas të binte dhe të vritej. Nëse një fëmije ia shkatërron imazhin që ti vetë ia krijon mbi botën që e rrethon, mosbesimi do kohë që të rifitohet dhe nuk është e lehtë.
Një kafshëzë nuk është kurrë një fëmijë dhe midis tyre kanë rrugë të ndryshme për të bërë në jetë. Por kanë të përbashkët atë periudhë të vështirë të mësimit që të përballen me të gjitha furtunat, shpesh të dhunshme, të ashpra që pësojnë në jetë. Do të ishte fantastike të lindje i ditur, gati për gjithçka, pa ato “mësimet e mërzitshme” ditore për njohuri mbi botën dhe jetën, por natyra ka ligjet e veta dhe askush nuk mund t’i anashkalojë ato. Ndoshta ndonjë i plotfuqishëm, por i fundit që lindi, daton 2000 vjet më parë dhe qysh atëherë ky privilegj nuk i njihet më asnjë qënie të gjallë.
Po ata që delirojnë – më thoshte një mik?
Janë vegime që e shmangin përkohësisht trurin, duke besuar se janë të tillë, por për fat të keq hiqen mënjanë menjëherë sa e kuptojnë se nuk janë të tillë, sepse nuk është e lehtë të kryqëzohesh për mëkatet e të tjerëve – përgjigjesha unë.
Me bindjen se bëja detyrën time, edhe pse ishte një kafshëzë, shkova në fshat një ditë dhe i kërkova një kushëriri që të më bënin një dhuratë të çmuar. Ishte stina që lindnin konka, kështu i quanim qysh të vegjël, dhe mund të zgjidhje mes shumë prej tyre. Përkundrazi është mizoria e jetës që i vë në provë të gjitha krijesat mbi tokë, sepse mbijetesa të mund të vazhdojë pandërprerje. Deri më tash, na tregon historia, nuk ia dolën mbanë, bile edhe ata që ishin dredharakë, edhe për ta fati ishte i pamëshirshëm. Dikur të rinj në universitet në Tiranë këndonim shpesh, kishte ditët kur dhe shpirti e kërkonte një harmoni të tillë pas ndonjë trishtimi apo zhgënjimi, një këngë me shokun tim Leka, Na pret të gjithëve një kryq mbi var, pak dashuri, pak dashuri… Nuk bëjnë përjashtim edhe vogëlushët, pa asnjë dallim, nga kjo ndjenjë e bukur humane.
Nata e shkëputjes nga nëna e vet ishte një rit makabër dhe tronditës për çdo lloj gjallese që merr frymë në këtë botë, por ishte i tillë edhe për ne që na u desh të vuanim ferrin deri në agim. Është e drejtë që secili të paguajë për gabimet e veta, sepse nuk vumë sy në gjumë. Duhej t’i dilja zot situatës dhe konkës, pasi ia kisha hequr mëmës të birin nga gjiri, një gjest që nëse zonja Mëmë do të kujtohej një ditë, do të na e kishte marrë hakun. Por bota e kafshëve është një botë tjetër që dallon shumë nga e jona. Ndoshta ajo nuk e kuptonte se çfarë po ndodhte, se nuk do ta shihte më të birin e saj, por nëse fati do ta ndihte vogëlushin e saj, të rritej dhe jetonte në një familje, zemërimi nuk do të mbretëronte kurrë në zemrën e saj. Cila nënë nuk do të lumturohej kur ta shihte krijesën e vet të lumtur? Ishte një fat i shkruar, një dënim i çastit, i pazakontë disi për një nënë, por e paqartë sesi do të shkonin ditët në vazhdim.
Udhëtimi nga Polena zgjat pak, 10 minuta me makinë dhe këlyshi po braktiste jetën e fshatit dhe po hynte në atë të qytetit, larg nga dashuria e nënës në ditët e para, por i rrethuar nga shumë të tilla, ndoshta më i llastuar, përkëdhelës dhe që nuk i kishte menduar kurrë. Nëse do ta kuptonte, gjë që në atë çast përjashtohej, ishte vetëm disa ditësh, do t’ia kishte vlejtur bara qeranë ta bënte atë sakrificë deh nuk duhej që të ankohej. Edhe pse fati i kishte ndryshuar përgjithmonë jetën, ishte më mirë se në fshat, Jessy, ky ishte emri që kisha zgjedhur për të, e kishte një konak ku të banonte, rritej, flinte dhe të ftohtit nuk do të ishte më problem. Nuk do të kishte ajrin e fshatit në qiell të hapur, natyrën e bukur në stinë të ndryshme, miqtë dhe shokët me të cilët do të luanin e ziheshin ndonjëherë, por do ta kishte tasin e vet ku të hante dhe pinte, shoqërinë dhe vëmendjen e dikujt çdo ditë. Ishte i vogël dhe për një krijesë të tillë, edhe më i egri, i patundur nga mëshira, do t’i siguronte minimumin e nevojshëm derisa mbijetesa të mos ia rrezikonte jetën. Po të ngjante, fati i mbrapshtë ndjek gjithmonë më të dobëtin dhe më të voglin, jeta do të merrte tjetër rrugë. Ditët e para ishin të tmerrshme për të gjithë edhe në qytet, netët e qeta ishin të pakta: i detyruar të qëndroje zgjuar deri në mëngjes, sepse shpirti i ndarë nga mëma, nuk qetësohej dot. Ka rrezik që të bëhesh përjetë rebel dhe endacak, nëse besimi, se ke humbur gjithçka, transformohet në urrjetje të dhunshme. Një llogaridhënie e mundshme nënë-bir, nëse jeta do të ishte një zhgënjim, do të nxirrte në shesh një përplasje epokale brezash. Fjalët ofenduese të rënda që për nënën nuk duhet të dalin kurrë nga goja e fëmijës së vet, zemërimi dhe fyerjet që s’do të pushojnë çdo çast ndaj një fati kaq mizor që e kishte sjellë në jetë, do të shfrehen si rrufe mbi fytyrën e nënës. Nëna e mirë nuk mërzitet, nuk ligështohet, por përsëri dora e saj mbi kokën e të birit është gjithmonë gati ta fikë inatin mes shumë ndjesash, përgjërimesh, pasi është e pafuqishme para atij gjykimi, sigurisht asnjë gjykatës nuk do t’i vërtetonte rrethanat lehtësuese. Asnjë nënë nuk e duron dot dhimbjen për fëmijën dhe do të preferonte të vdiste nga turpi, mjaft të mos dëgjonte gjithë dufin e fëmijës së saj, por në zemër e dinte vendimin e trupit gjykues.
Kaluan ditët, muajt dhe këlyshi rritej, ndoshta e kishte harruar nënën e vërtetë, ndoshta nuk e mbante mend, sepse nuk e kishte njohur në realitet, ndoshta edhe folenë prej kashte dhe druri të errët dhe që bie erë e kishte harruar. Në mëngjes dhe pasditeve zbavitej tek vraponte bashkë me mua në lëndina sipër qytetit dhe hapat e parë ishin tashmë një moment emocionesh për ne të dy. Ecja e shpenguar dhe më pas vrapi nuk janë veçse hapi i parë në jetë. Të tjerë do të vinin më pas dhe po përgatitej, në sajë të ndihmës, që t’i hidhte. Në shikimin e tij, në sjelljen e tij, në urdhërat që të bënte gjërat që i thosha, çdo i vogël nuk mund të bëjë pa to, janë ushqimi i përditshëm shpirtëror, ndonjëherë edhe i pabindur, e kuptueshme për një këlysh, tepër i llastuar, lexohej gëzimi i jetës. Dukej se gjithçka po shkonte përsëmbari, i bindur edhe vetë këlyshi disamujor, se ishte në gjendje ta dallonte rrezikun, ta shmangte, por të vegjëlit e konsiderojnë veten shumë shpejt të rritur. Hatërmëdhenj në kulm, padronë të botës që para tyre zvogëlohet dita-ditës nuk i ulin sytë poshtë. Kurthi i ngritur i jetës, i pabesive të saj, atë kërkon, hutimin dhe ia hodhi që në hapat e parë. Naiviteti ndaj tyre është shenja e parë e nxitimit dhe e papjekurisë, sidomos ndaj lojërave të paskrupullta të qënieve që një mendje e kanë. Jo gjithçka që fluturon, hahet. Nuk mundi ta gëzonte lirinë e tij gjatë, pasi nuk kishte nuhatje, i pamësuar dhe mbi të gjitha nuk kishte fituar intuitën e një të rrituri. Një hap i gabuar, mos shkelësh kurrë në dysheme të kalbura dhe fati po e gëlltiste ngadalë, duke ia ndryshuar drejtimin përgjithmonë jetës së tij të njomë. Tek vraponte mbi tarracë që të merrte pak ushqim, ra nga një lartësi prej disa metrash. Nuk arriti që të shikonte përtej hapit të shpejtë mbi tarracë. Disa ditë agonie dhe iku përgjithmonë nga kjo jetë që sapo e kishte filluar. Nuk vlejtën as lutjete e mia, as lotët që ta mbanin në jetë. Kur shpirti i një njeriu, por edhe i një kafshëze gjejnë gjuhën e përbashkët, njëlloj si shpirtërat binjakë mes tokësorëve, jeta ka tjetër shije, tjetër natyrë.