Qëndroni!

0
39


Nga Mero Baze

Dje stacionet kryesore televizive janë gjobitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkak të transmetimit të spotit të Partisë Socialiste për Lulëzim Bashën. Bashkë me gjobën, KQZ ka urdhëruar ndërprerjen e transmetimit të këtij spoti. Argumentet janë më shumë se banale. Sipas tyre konsiderohet fyes fakti që portreti i Lulëzim Bashës shndërrohet për 4 sekonda në portret të Sali Berishës, dhe se kjo është një ide e marrë nga një spot i huaj. Nuk ja vlen të ulësh nivelin në banalitetin e njerëzve që po përdoren për këtë fushatë të pashembullt censure tashmë dhe ndaj lirive politike të opozitës. Asnjë KQZ, asnjë bord i përkohshëm militantësh mediokër të PD-së, dhe asnjë titull ekzekutiv që nuk ka asnjë mbështetje ligjore, nuk mund të zbatohet.

Liria e medies në Shqipëri rregullohet me një nen të Kushtetutës ku thuhet që shtypi është i lirë. Përmbajtja e spotit polik është përgjegjësi e atij që e ka ofruar dhe jo e atyre që e transmetojnë. Nëse dikush ka vërejtje për përmbajtjen e spotit, mund të padisë në gjyq Partinë Socialiste dhe të gjejë të drejtën në shkallët e gjykatave shqiptare. Media shqiptare nuk duhet të dorëzohet në asnjë mënyrë përballë këtij akti të shëmtuar që tashmë tejkalon dhunimin e lirisë së shtypit dhe shkon deri tek dhunimi i lirive politike në këtë vend.

Si koleg ju kërkoj drejtuesve të televizioneve shqiptare të mos tërheqin spotin nga transmetimi. Përveçse se ai është një spot shumë profesional dhe i pakritikueshëm, gjesti i rezistencës ndaj kësaj kryqëzate mesjetare është një shenjë që e keqja nuk mund të triumfojë kaq lehtë. Prej këtij momenti ky spot do të jetë në faqen e internetit të gazetës Tema dhe ftoj në shenjë solidariteti çdo medie të shkruar dhe vizive ta bëjë këtë në faqet e saj të internetit.

Dorëzimi para dhunës mbi liritë politike të opozitës, është dorëzimi i kështjellës së fundit të pluralizmit që i ka mbetur Shqipërisë. Sali Berisha ka gjobitur deri më sot gazetat kritike deri në shkatërrimin e tyre financiar. Ka gjobitur dhe dorovitur televizione duke u përpjekur t’i mbajë nën kontroll. Mjaftoi një fushatë elektorale dhe një spot profesionalisht i përkryer i opozitës ndaj kandidatit të saj që ai të humbasë qetësinë dhe të nxjerrë kthetrat.

Opozita nga ana e vet duhet t’ia kërkojë publikisht medies solidaritetin me këtë rast. Janë po ato televizione që transmetuan për muaj të tëra spote të turpshme nga një organizatë fantazëm me nipt fallco, me pare që paguhen nga një kompani e afërt e PD-së, të cilat tani duhet t’i rezistojnë këtij urdhri absurd. Ashtu siç refuzuan kasetat e gatshme të partive në fushatë, po me aq vendosmëri duhet të injorojnë gjobat dhe urdhrat që bien ndesh me ligjin. Opozita duhet të bëhet garante publike e këtij gjesti, duke i siguruar ata se ajo do ta zgjidhë politikisht këtë atentat ndaj lirive politike në vend.

Çdo dorëzim para këtij akti të rëndë për lirinë e medies dhe liritë politike, do të ishte një dorëzim para dhunës politike në këtë fushatë. Edhe kështu kjo fushatë ka filluar me vrasjen e 4 qytetarëve më 21 Janar, me vrasjen e shpresës për transparencë, me rrahje dhe dhunë të PD-LSI mbi qytetarët dhe mbështetësit e opozitës, me urdhra të policisë së shtetit për “tu shtypur kokën” opozitarëve, dhe tani po kurorëzohet me urdhra për t’i mbyllur dhe gojën opozitës. Është shumë e rëndë ta mendosh se kjo mund të ndodhë. Lajm i mirë është se qenka një spot që paska tmerruar Sali Berishën. Na e ka treguar vetë.

Qysh tani ai spot e ka fituar lavdinë dhe të drejtën për tu parë më shumë se çdo spot tjetër. Të humbur do të jenë vetëm ata që nuk do ta transmetojnë. Opozita duhet ta kthejë atë në himn të fushatës, në kolonë filmike të çdo mitingu, në çdo lagje të Tiranës. Mediat duhet të shpërndajnë në miliona adresa në internet dhe në ballinën e çdo faqeje interneti. Sali Berisha na ka dhënë rastin të bëjmë betejë me të për liritë tona. Kush tërhiqet sot, nesër do ta gjejë veten të copëtuar dhe të pambrojtur nga askush. Kush qëndron sot, nesër do të jetë më i lirë nga Sali Berisha.