Qelia nr. 31 – Alush Gjoci (1919-1982): “Të ishte i mirë komunizmi, Anglia dhe Amerika e mbanin për vete”

0
39

Nga: Prof. Neki Babamusta, Londër, 1 Janar 2012

31 Janar 1945, Prokurori i Gjykatës së Lartë në Tiranë, deklaroi akt akuzë ndaj të pandehurit Alush Gjoci: “Armik i Rrezikshëm i Pushtetit Popullor, armik i popullit dhe bashkëpunëtor i Ballit Kombëtar. Dënimi – 101 vjet burg.” (Ministria e Drejtësisë, Arkiva e të Përndjekurve). Po atë natë, Sigurimi i Shtetit i bastisi dhe i shkatërroi shtëpinë. Fëmijët hidhen në mes të katër rrugëve. Nuk u lejohej që familja të takohej me njeriun e zemrës së tyre. Lidhur me pranga, e marrin nga qelia dhe mbas shumë torturash kërkonin që Alushi të pranonte shpifjet e sigurimi.

Alushi kaloi netë pa gjumë, pa pukë, duke u rrahur me kamxhik. Por ai qëndronte i heshtur dhe nuk përkulej. Pse ky trajtim çnjerëzor? Alushi, së bashku me familjet e Abas Habilit, dhe të Hamit Leçinit kishin marrë pjesë në mbrojten e vendit kudër pushtuesve fashistë, me 7 Prill 1939. Në kohën e Monarkisë së Mbretit Zog të parapërmendurit njiheshin si figura të nderuara të vendit dhe të respektuara nga populli. Ata luftuan dhe punuan për një Shqipëri të lirë demokratike, për të bërë bashkimin me Kosovën, por pa komunistët në krye.

Si humanist e atdhetar, Alushi punoi për vëllazërimin e myslimanëve me të krishterët. Ndihmoi familjet e lidhura me Lëvizjen Çlirimtare. Pikërisht këto njerëz dolën në gjygj, duke mbrojtur figurën e Alush Gjocit dhe akuzat ndaj tij i quajtën shpifje të ulëta.

Alush Gjoci kishte ide perëndimore. Njihej për inteligjencën dhe shkathtësinë e tij dhe përkrahu vendosjen e pluralizmit në Shqipëri. Së bashku me krerët e Ballit Kombëtar, në shkurt 1944 nuk lejuan Gestapon Hitleriane, të pushkatonte 300 banorët e Kavajës tek Manat e Pazarit në qendër të qytetit. Alushi shkoi bashkë me Nazi bej Alltunin dhe këmbyen fjalë të ashpra me gjeneralin e Gestapos, dhe i thanë: “Ne jemi atdhetarë dhe nacionalistë, që nuk pajtohemi me komunizmin. Por, në se do t’i pushktatoni njerëzit tanë, që tani do të hapim zjarr kundër njëri-tjetrit.” (sipas rrëfimit të tim ati, Beqirit, i cili ishte tregar dhe kishte dyqante përballë dy Manave të Pazarit dhe ish-xhamisë në Kavajë).

Duke qenë me vite të tëra në burg, Alushi u lidh me figura të shquara të Kombit tonë, si Ibrahim bej Biçaku, Osman Kazazi, dr. Et-hem Cara, Zyhedi Alushi, etj, me të cilët i lidhte ideali i përbashkët i luftës kundër komunizmit. Duke qëndruar me këto figura fisnike, ai e ndjeu veten më krenar për idealin e përbashkët.

Alushi u dërgua në shumë burgje, si në Burrel, Mamurras (afër Lezhës), Shtyllas (në Fier), në burgun e fushës së Aeroportit Rinas (në Tiranë pas çlirimit) dhe në Kuçovë. Gjithmonë Alushi qëndronte kryelartë sepse ai luftonte për idealin e kombit. Indinjohej së tepërmi kur merrte vesh se priftërinjtë katolikë me të cilët bashkëjetonte burgjeve, i pushkatonin pa asnjë shkak.

Ndjekjet dhe vrasjet ndaj nacionalistëve e revoltuan më shumë. Konkrekisht, ndër të tjera, Alushin e indinjoi së tepërmi helmimi që iu bë djalit të Abas Habilit, Ramës, helmuar nga organet e sigurimit në fund të vitit 1951. (Neritan Kolgjini, Gazeta Dielli, Janar 2011). Familjes Rama, diktatura i vrau pesë anëtarë, ndërsa 15 anëtarë të fisit u internuan nëpër burgje të ndryshme të Shqipërisë.

Nacionistët ishin tmerri i pushtetit komunist. Konferenca e Pezës me 16 shtator 1942, kishte parimin “Kundra okupatorit, pa dallim feje, krahine dhe ideje”. Partia Komuniste Shqiptare (P.K.Sh.) për t’u bërë drejtuese e vendit, i kundërshtoi vendimet e konferencës dhe në Mukje të Krujës me 2 gusht 1943 nacionalistët i shpalli trathtarë.

Në Kavajë, në vjeshtë të vitit 46-të, gjygji komunist dënoi me pushkatim 5 nacionalistë sepse idetë e tyre nuk pajtoheshin me regjimin. Më kujtohet kjo ngjarje shumë mirë sepse e kam përjetuar vetë. Gjygji i 5 nacionalistëve ishte një kurdisje fallco dhe menjëherë, 20 minuta pas dhënies së vendimit, i pushkatuan 30 metra afër kinemasë në Kavajë. Ky akt u krye para qytetarëve, ku prezent isha dhe unë. Një veprim i tillë makabër shkaktoi alarm dhe zemërim të madh në qytet.

Alush Gjoci si patriot që ishte, gjatë qëndrimit në burg, skaliti flamurin me zhgabë dykrenare, pa yllin e kuq, me shënimin: “Kujtim Burgu, Alush Gjoci, 1921.” Regjimi komunist i mohoi fëmijëve të tij, të drejtën e shkollimit, punën dhe iu mohua triska e bukës. Por fëmijët e Alushin gjetën ngrohtësi tek populli patriot i Kavajës.

Në kohën e proçese demokratike ata, së bashku me popullin e Kavajës, ishin në krye të demonstratave për përmbysjen e regjimit. Djali i madh, Hima, tepër human, u zgjodh kryetar i Shoqatës të Persekutuarve Politik në Kavajë. Hima mbrojti interesat e persekutuarve dhe patriotëve. Ai fitoi admirimin e popullit të Kavajës edhe pas ndarjes nga jeta, kujtohet si figurë e nderuar si i ati, Alushi.

Ndërsa, dy djemtë e tjerë, Esat dhe Selim Gjoci, njihen si futbollistë të shquar të skuadrës “Besa”. Esati, pas viteve të Demokracisë u zgjodh Kryeplak i lagjes nr. 2 në Kavajë. Me detyrën e tij i shërbeu halleve dhe kërkesave të popullit.