Qelbësira jonë e dashur

0
49

TemA

Nuk kaloi shumë dhe në ekranin e televizorit u shfaq sërish kryeministri ynë, z. Sali Berisha, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, për të mbajtur njërin prej atyre fjalimeve tashmë të zakonshme e bajate, monologje të stërgjatura përpara një Këshilli gojëkyçurish që ia kanë marë dorën dhe rrinë e bëjnë sikur dëgjojnë me kënaqësi sa kohë i le rehat në zullumet e tyre e broçkullis për projektet fantastike që i sheh natën në ëndërr e i nxjerr ditën nga goja si pa të keq si prioritete shtetërore e kombëtare; me një stil që sa vjen e i ngjan atij enverist post-sëmundje e pre-mortem, aq sa ka nisur ta imitojë në mënyrën e të menduarit e në të folur e që i tradhëtohet në gjeste; me një shkathtësi politike që do të ishte për t’u admiruar në rast se do të kishte minimumin e frymës perëndimore të të bërit politikë, por që s’e ka e që qelbet tejembanë frymë bizantiniste. Fjalime që mediat tona, të blera a të marra frymet nga presioni, na i transmetojnë herë të plota e herë pjesë-pjesë, s’i t’u vijë për mbarë atyre dhe kryeministrit.

E pra, kryeministri ynë mblodhi qeverinë dhe foli për sukseset e tij në fushën e notit. Qelbesira jonë e dashur notoi plot 133 minuta – dhe kjo s’është hiçgjë, se mund të kishte notuar edhe një orë më shumë. Ky ishte lajmi i madh që dëgjova nga kryeministri i vendit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Tani e di që do dalë ndokush e do thotë: Pse i thua ashtu ti kryeministrit?! Arsyeja e parë është se është tamam qelbësirë. U besuam njëherë fjalimeve të tij të fryra me sigurira e garancira për ekonominë e vendit më ’96-ën dhe e pamë ku përfunduam. Tani kur ekonomia jonë sa vjen e përkeqësohet dhe fjalimet e tij sa vijnë e bëhen më të fryra sërish me arritje, sigurira e garancira e projekte, seç më vjen një erë e keqe sërish.

Unë nuk dua të hap televizorin të dëgjoj kryeministrin tek flet me një gjoja-modesti për arritjet e veta në sport në mbledhjen e Këshillit të Ministrave e me superlativa boshe për arritjet ekonomike. Unë dua që në atë mbledhje të dëgjoj kryeministrin të më shpjegojë se përse do të jem i shtrënguar të paguaj taksën e re të karburantit, që e shpiku nga hiçi për të mbushur arkën që sa vjen e zbrazet të buxhetit të shtetit – një maskarallëk që na e paraqiti si gjoja modifikim të heqjes së doganës për makinat. Unë dua që kryeministri të dalë e të thotë që heqja e doganës për makinat është pjesë e procesit përafrues ekonomik me Evropën dhe pjesë e kërkesave të kësaj të fundit, ashtu siç ishte dhe heqja e taksave doganore për veshjet si mallra konsumi të blera në vendet evropiane.

Dhe nuk pranoj që ky qelbësirë të më verë një taksë të re nga hiçi – me argumentin se është thjesht një konvertim i detyrimit doganor të hequr tashmë, i shtrirë në vite, pasi heqja e doganave për makinat është një veprim nga i cili përfitojnë disa qindra veta që fusin makina tash e tutje nga perëndimi, ndërsa taksa e re mbi karburantin është një detyrim mbi dhjetëra mijëra qytetarë të cilët e kanë paguar njëherë detyrimin doganor. Dhe në rast se kjo taksë e re qenka e domosdoshme, unë dua të dëgjoj shpjegime të detajuara se si do të harxhohen paratë që do të më marrë mua dhe qytetarëve të tjerë nga kjo taksë në shërbimin tonë.

Unë dua që kryeministri i vendit të më shpjegojë se përse do harxhohen paratë e taksapaguesve për të mbjellë me miliona rrënjë ullinj e drurë arrorë, kur ne jemi një vend që po shkon drejt BE-së dhe Bashkimi Evropian ka kuota për importet bujqësore të vendeve anëtare. Dhe qelbësira kryeministër nuk po paraqet ndonjë plan a strategji se si do t’ia hedhim ne BE-së për t’i kaluar nesër, kur pemët të nisin të prodhojnë, këto produkte bujqësore në tregun evropian, i cili është tregu më i afërt dhe natyral dhe i përfitueshëm ekonomikisht që ka Shqipëria. Veç në pastë ndërmend t’i blejë e t’i hajë vetë të tëra prodhimet. Se Shqipëria tërë atë prodhim nuk e konsumon dot brenda vendit.

Unë dua që kryeministri i vendit të dalë e të paraqesë planin për amortizimin e efekteve të krizës greke në ekonominë e vendit, e cila vjen në radhë të parë prej pakësimit drastik të remitancave të emigrantëve shqiptarë në atë vend, si dhe planin e kuadrit ligjor që do të ndërmarrë për garantimin e depozitave të qytetarëve shqiptarë në filialet e bankave greke, të cilat sa vjen e po e ndjejnë edhe më shumë peshën e krizës të degëve qendrore të tyre në Greqi. Edhe pse më vjen keq për fqinjët tanë, nuk do të habitesha aspak sikur në muajt e ardhshëm të dëgjoja që ndonjëra prej bankave andej të ketë shpallur falimentin, pasi bankat greke kanë qenë ndër financuesit kryesorë të borxhit të shtetit grek, një borxh të cilin ky i fundit nuk është më në gjendje ta paguajë. Dhe nuk dua të dëgjoj pallavrat e kryeministrit-qelbësirë, që bashkë me guvernatorin e bankës qendrore dalin e na thonë se paratë janë të sigurta. Këtë këngë-pallavër shqiptarët e dëgjuan një herë më 1996.

E mund të rreshtoj edhe plot gjëra të tjera se çfarë dua të dëgjoj unë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, gjë që mund ta bëj njëherë tjetër – ashtu siç nuk dua të dëgjoj aspak, se s’më bëhet vonë hiç, për arritjet në not a ndonjë tjetër të ngjashme të kryeministrit. Dikush në këtë forum, në njërin nga postimet, thoshte se këto janë fakte që na i bëjnë më njerëzorë politikanët. Këtu, në Shqipëri, nuk është nevoja. Është vend i vogël dhe njerëzit ua dinë politikanëve tërë huqet, veset, veprimet, vjedhjet, grabitjet, jo vetëm të tyret, por edhe të familjarëve, të afërmve e shokëve të tyre. Për këtë anën njerëzore të tyre askush nuk ka nevojë, se ua dinë me rrënjë e dhëmballë. Përkundrazi, njerëzit do të donin të mbanin pak distancë e privaci, pasi era e tyre e qelbur po ua ze frymën. Prandaj, sa herë që kryeministri të dalë me stilin e vet prej qelbësire e të bëjë politikën e vet prej qelbësire duke broçkullisur ç’t’i vijë për mbarë vetëm për të ruajtur karrigen e vet e për të çoroditur qytetarët me çështje që s’kanë lidhje me ofiqin që përfaqëson, në vend që të kryejë punën për të cilën qytetarët e kanë zgjedhur në atë karrige, unë do dal e do t’i them “qelbësirë”.

Mirë “qelbësirë”, po “e dashur” si, do dalë do pyesë ndonjë tjetër me të drejtë. Sepse kryeministrit tonë i kanë mbetur edhe dy vjet kohë për të qeverisur. Jemi qytetarë të një vendi që kemi zgjedhur të përqafojmë udhën demokratike të zhvillimit dhe integrimit me perëndimin, dhe për këtë arsye, e duam apo nuk e duam, do ta respektojmë këtë mandat. (Është kjo njëra nga arsyet pse qelbësira jonë e dashur buzëqesh i vetëkënaqur në ato mbledhje, pasi e di këtë.) Kufoma e tij politike ka kohë që ka nisur ta qelbë erë vendin, por koha për të dhe stilin e tij politik ka marrë fund.

Për dashamirët e tij, që do dalin të thonë se nuk rrëzohet një qelbësirë për të sjellë një tjetër në vend të tij, unë them: po, rrëzohet. Qytetarët duhet të mësohen t’u kërkojnë të zgjedhurve të tyre të respektojnë kontratat, ose, në rast se sillen si qelbësira, t’i rrëzojnë. Dhe, në rast se rrëzohet një qelbësirë dhe në vend të tij vjen një tjetër, edhe ai do të rrëzohet. Dhe po ashtu i treti e me radhë. Kështu ky vend do të mësohet pak e nga pak të zgjedhë më mirë përfaqësuesit e vet, ndërsa qelbësirat do të mësojnë pak e nga pak të veprojnë jo si qelbësira, por si qytetarë të zgjedhur që kanë përgjegjësi. /alx_x6/ peshkupauje.com/