Që të mos lagemi kur të plakemi

0
32

Eduard Zaloshnja

Nga: EDUARD ZALOSHNJA

Shumica dërrmuese e të punësuarve në Shqipëri janë të bindur se, po të paguajnë rregullisht kontributet e sigurimeve oqërore, do të kenë në ditët e vona të pleqërisë një çadër financiare për atë kohë me shi. Por shumë nga ata, fatkeqësisht mund të ndodhen para një të papriture të hidhur kur ajo kohë të vijë.

Pse mund të ndodhë kjo? Sepse sistemi i sigurimeve shoqërore funksionon sipas parimit: “Kontributet e atyre që punojnë, sigurojnë të ardhura për ata që janë në pension”. Dhe megjithëse Shqipëria konsiderohet aktualisht si vend me popullsi në moshë relativisht të re, ka filluar dhe do të vazhdojë prirja e padëshiruar e vjetërimit të popullsisë edhe tek ne. Pra në të ardhmen, do të ketë më shumë pleq për t’u mbajtur me pensione nga sistemi i sigurimeve shoqërore.

Kështu, ndërsa në periudhën 1994-2000, pensionistët zinin rreth 14-16% të popullsisë, në vitin 2009 ata zinin 20%. Dhe kjo përqindje pritet të rritet shpejt në vitet që vijnë. Dhe bashkë me të rriten dhe problemet e financimit të sigurimeve shoqërore. Sepse në vitin 1990, për shembull, çdo 10 të punësuar mbanin me kontributet e tyre 3 pensionistë, kurse aktualisht, 10 të punësuarve u duhet të mbajnë 8 pensionistë.
Me gjithë reformat që janë bërë ose synohen të bëhen në përgjigje të trysnisë financiare që ushtron plakja graduale e popullsisë mbi sistemin publik të pensioneve, është vështirë të mendohet se ai mund të mbijetojë në pafundësi.

Kështu, rritja e moshës së daljes në pension, rritja e përqindjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, kalimi i grumbullimit të kontributeve në organet tatimore (për të shmangur informalitetin në tregun e punës) etj, mund të shërbejnë si një qetësues i përkohshëm, por jo si një kurë për shërimin përfundimtar të sistemit publik të pensioneve. Është kjo arsyeja pse buxhetit të shtetit i duhet ta mbajë gjallë këtë sistem me serume të forta, ndërkohë që ai vetë ka dhe do të ketë nevojë për serume të tilla edhe për shumë kohë.

Duke pasur parasysh sa më sipër, tridhjet-dyzetvjeçarët që shpresojnë se nesër do të marrin një pension komod nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore bëjnë mirë të mendojnë që sot për ditën kur pensionet s’do t’iu mjaftojnë as për ushqim, si dhe për ditën kur fëmijët e tyre të martuar nuk do të jenë në gjendje apo s’do të kenë dëshirë t’i ndihmojnë financiarisht. Për t’i dalë kësaj të keqeje përpara, ata mund t’i hedhin sytë nga fondet private të pensioneve.

Në vendet me ekonomi tregu të zhvilluar, fondet private të pensioneve ka kohë që shërbejnë si një suplement i fuqishëm i fondit të sigurimeve shoqërore, i cili nuk ka perspektivë të ofrojë pensione të kënaqshme në të ardhmen. Këto fonde private, në përgjithësi, i investojnë kontributet e individëve me kujdes, duke krijuar kështu mundësinë që çdo kontributor të marrë kur të plaket një pension suplementar privat veç atij shtetëror. Pra, në një farë mënyre, kontributet individuale në këto fonde janë të ngjashme me depozitat që bëjnë qytetarët në llogari kursimesh bankare. Por, në ndryshim nga këto të fundit, kontributet në fondet e pensioneve nuk tatohen. Ndërsa tërheqja bëhet nga depozituesit në formën e një pensioni suplementar mujor pas një moshe të caktuar.

Dhe shtrohet pyetja: “A ka mundësi që fonde të tilla të funksionojnë edhe në Shqipëri?” Përgjigjia e kësaj pyetjeje, fatkeqësisht është një “po” e mbërdhirë.
Humbja masive e kursimeve në skemat piramidale te viteve ’90 është një eksperiencë e hidhur që nuk mund të shlyhet kollaj nga kujtesa kolektive shqiptare. Dhe me atë eksperiencë në mendje, shumë shqiptarë mund ta kenë të vështirë t’ia besojnë kursimet e tyre fondeve private të pensioneve.

Ata ndoshta mund ta mposhtin ndrojtjen në qoftë se shteti bëhet garant i funksionimit të ndershëm të sistemit privat të pensioneve. Pra, në qoftë se shqiptarët e thjeshtë shohin tek shteti një mbështetës serioz të këtij sistemi, ata mund të kandisen të depozitojnë kursimet e tyre në fondet private të pensioneve. Dhe në qoftë se shteti ndërmerr iniciativën e devijimit të një pjese të kontributeve të sigurimeve shoqërore aktuale në drejtim të fondeve private, pjesëmarrja e shqiptarëve të thjeshtë në skemën e pensioneve private mund të shtohet akoma më tepër.

Por, dhe ky është një “por” i madh, forca politike që është sot në fuqi zor se mund të përçojë tek shqiptarët e thjeshtë imazhin e një garanti të ndershëm në marrëdhëniet qytetar-fond privat pensioni, ndërsa partitë opozitare nuk duket të kenë oreks për t’u marrë me të ardhmen e largët; ato thjesht kërkojnë rritjen e pensioneve publike për të fituar sa më shumë vota në zgjedhjet e radhës.

Një problem tjetër për funksionimin e suksesshëm të fondeve private të pensioneve në Shqipëri, është mungesa e alternativave relativisht të sigurta për investim. Aktualisht, kompanitë e mëdha që janë privatizuar ose po privatizohen nuk ofrojnë aksione të tyre në bursë. Si rrjedhim, derisa të fillojë shitblerja e aksioneve të kompanive të mëdha në bursë, investimi më i sigurt që mund të bëjnë fondet private të pensioneve mbetet blerja e bonove të thesarit. Dhe ky investim nuk sjell më shumë se 8-9% fitim në vit, ndërkohë që rritja e çmimit mesatar të mallrave dhe shërbimeve (ose ndryshe, inflacioni) pritet të jetë 3-4% në vit.

Në këto kushte, i bie që një dyzetvjeçar që fillon sot të kontribuojë 2.000 lekë (20 dollarë) në muaj në një fond pensioni privat do të këtë rreth 1.2 milionë lekë (12.000 dollarë) të patatueshme në llogarinë e tij në moshën 60 vjeçare. Por kjo shumë, e cila do të fillojë të disbursohet atëherë gradualisht në formë pensioni, do të jetë e barazvlefshme vetëm me 800 mijë lekë të sotme (8.000 dollarë), sepse rritja e përvitshme e çmimeve e ul fuqinë blerëse të parasë.

Pavarësisht nga vështirësitë e mësipërme, ata që e kuptojnë rëndësinë e fondeve suplementare të pensioneve, duhet t’i bëjnë presion politikës që të ndërmarrë nisma ligjore që do të garantonin një funksionim të ndershëm për të tilla fondeve, e që do të krijonin kushte për pjesëmarrjen e tyre në investimet strategjike në ekonominë shqiptare. Dhe në qoftë se kjo përpjekje do të ketë sukses, çadrës së shpuar të sigurimeve shoqërore mund t’i vihet një arnë e mirë, e cila nuk do ta linte shiun të na lagëte në vitet e vona të pleqërisë.