Që politika të mos fusë duart në shkollë

0
47

Mentor Kikia

(Një ftesë për debat mbi idenë e Alternativës Civile)

Gjatë fushatave elektorale, këto janë skena të zakonshme. Drejtori i arsimit në qytet urdhëron drejtorin apo drejtorët e shkollave, që në orën e caktuar shkolla të mbyllet dhe nxënësit bashkë me mesuesit të dalin në miting. Ose, mësuesit të grumbullohen në qendër të qytetit ku presin autobuzët për ti nisur drejt Tiranës, ku sërish ka një miting(mund të jetë përmbyllësi i fushatës ky dhe duhen sa më shumë njerëz). Kjo është tyërësisht e paimagjinueshme, është tërësisht skandaloze dhe e dënueshme me ligj në çdo vend demokratik.

Por jo vetëm kaq. Me rrotacionin e forcave politike, sektori i arsimit pëson një transfuzion me përmasa traumatike për sistemin. Në krye të arsimit në rrethe vendosen njerëzit që bëjnë pjesë në skalionin e parë të militantëve partiakë dhe detyra e parë e tyre është të sistemojnë në punë mësuesit që kanë kontribuar në fushatat elektorale. Eshtë e pakonceptueshme, që me ndërrimin e pushteteve ndërrohen të gjithë drejtorët e arsimit në qytete, drejtorët e shkollave dhe të kopshteve, e madje deri edhe roja i portës së jashtme.

Politikën e kuadrit nuk e bëjnë më zyrat e burimeve njerëzore, por dega e partisë në rreth, e cila harton dy palë lista; e para me mësuesit që duhet të shkarkohen, që i përkasin tashmë opozitës dhe e dyta, me mësuesit që duhet të emërohen, që i përkasin mazhorancës. Diploma dhe dëshmitë kualifikuese, në shumë raste, zëvendësohen nga rekomandimet partiake. Burime prënë opozitës thonë se pas ndërrimit të pushtetit në vitin 2005, 35% e mësuesve u largusan nga puna apo u transferuan. Në Kamëz, pak ditë para zgjedhjeve vendore të Majit 2011 u futën në shkolla 65 mësues, për tu shkarkuar pas disa muajsh. Një dëshmi kjo se sa përdoret politikisht arsimi.

Ky lloj rrotacioni trondit nga themelet profesionalizmin në arsim dhe stimulon politizimin e mësuesve, të cilët, për ti shpëtuar shkarkimeve apo transferimeve të tipit internim, detyrohet të atashohen pranë partive politike duke u ndarë në rozë dhe blu. Drejtuesit e shkollave, më shumë se profesionalisht, zgjidhen të jenë së pari militantë partie. Dhe, në këtë drejtim janë bërë hapa prapa edhe se në kohën e regjimit komunist ku drejtori ishte një specialist dhe menaxher shumë i mirë, ndërsa me çështjet politike merrej sekretari i partisë.

Kështu ka ndodhur sa herë ka ndërruar qeveria në Tiranës, dhe kështu do vazhdojë të ndodhë edhe në rrotacionin e ardhëshëm politik, nëse nuk e kuptojmë se guri që hedhim me rradhë mbi kokën e kundërshtarit, në realitet bie mbi kokën e fëmijëve tanë dhe të së ardhmes tonë.

Ky realitet nuk ka nevojë për dëshmi për ta besuar dhe as nevojë për të kuptuar pasojat e rënda për të ardhmen e shoqërisë. Faktori politik jo se nuk e di këtë, jo se nuk ia di koston këtij operacioni, por i duhet ta kontrollojë në këtë mënyrë sistemin arsimor, pasi ai prodhon vota. Prodhon vota sepse është sektori me numrin më të madh të të punësuarve nga shteti, prodhon vota se çdo mësues ka ndikim tek prindërit e nxënësve.

Çështja është se çfarë mund të bëhet që të zbutet, të zbehet e të ndalohet ndikimi i politikës në arsim?
Alternativa Civile propozoi pak ditë më parë nismën për ndryshime nmë ligjin për arsimin parauniversitar dhe sanksionimin e zgjedhjes së drejtuesve të arsimit dhe shkollave përmes votës. Me konkretisht:

1-Drejtori i Njësisë Arsimore Vendore(drejtori i arsimit të qytetit apo rrethit), të zgjidhet me votim nga komuniteti i mësuesve i kësaj njësie vendore. Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e kërkuara nga ligji dhe trajnimet e nevojshme që kërkon posti. Kandidaturat, nuk duhet të jenë të propozuara nga parti politike apo sindikata, por të jenë individuale. Mandati i drejtorit, të jetë jo më shumë se katër vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë, dhe jo më shumë se dy mandate në gjithë karrierën e tij.

2-Drejtori i Institucionit Arsimor(drejtori i shkollës), të zgjidhet me votim nga komuniteti i prindërve të këtij institucioni. Kandidatët duhet të plotësijnë kriteret e kërkuara nga ligji dhe trainimet e nevojshme që kërkon posti. Kandidaturat, nuk duhet të jenë të propozuara nga parti politike apo sindikata, por të jenë individuale. Mandati i drejtorit, të jetë jo më shumë se katër vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë, dhe jo më shumë se dy mandate në gjithë karierën e tij.

Padyshim se kjo praktikë nuk mund ta zgjidhë përfundimisht këtë ngërç, por ajo mund të jetë një barrierë e mirë dhe një sprovë e parë për ta shkëputur arsimin nga influenca dhe shpërdorimi i politikës.