Që integrimi të mos jetë teatër

0
60

Preç Zogaj, 18.07.2010

Kur, afërsisht, Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Europian? Përgjigjen e kësaj pyetjeje nuk e di njeri. As në Bruksel, as në Strasburg, as në Tiranë. Është një shaka e hidhur që BE-ja ka ardhur duke u larguar, sa më shumë i jemi afruar! Drejtuesit politikë të vendit tonë kanë qenë më të sigurt për kohën e integrimit para pesëmbëdhjetë vjetësh se sa janë sot. Prandaj nuk përmendin më afate, por mjaftohen me optimizmin tipik, që konsiderohet një ushqim i mirë për fukaranë.

Ashtu si dielli që lind, edhe ëndrra e integrimit do të realizohet! Kthehet pyetja: Kur? Kur afërsisht? Se dielli këtë punë ka! Në qeverinë e Tiranës, rëndom, sundon kjo retorikë: “Ne i kemi kryer detyrat tona”! Për edukatë, nuk thuhet se tani e ka në dorë Europa. Por s’ka nevojë të thuhet sepse kuptohet. Nga ana tjetër, Brukseli që flet në emër të Europës, përgjigjet kështu: “Integrimi është në dorën tuaj! Ju i dini detyrat. Ne jemi në dispozicion për t’ju ndihmuar”!
Ne jemi gati, por ju nuk doni – fjala e Tiranës.

Ne duam, por ju nuk jeni gati- fjala e Brukselit. Ky është pingpongu që luhet dhe natyrisht, duam, s’duam, e drejta është me “të zotin e dyqanit”, siç thotë populli. Ne duhej ti kishim të gjitha gjërat në vijë për të gjykuar me objektivitet se sa e hapur është dera e Europës për ne. Ç’t’i themi Europës, kur nuk jemi në rregull për vete.

Ka shumë mundësi – dhe kjo u bie në sy edhe nga atyre që nuk janë ekspertë të fushës- se qeveria shqiptare ka një konceptim shkollaresk për ato që quhen “detyrat e shtëpisë”, duke i konsideruar pak a shumë si detyra me shkrim, me shumë faqe, që shoqërohen me ndonjë mësim tregues në praktikë, sa për t’ua treguar ekspertëve, vëzhguesve apo monitorëve të BE-së. Kuptohet se me kaq vetëm i bëjmë qejfin vetes. Koncepti i integrimit apo i “detyrave të shtëpisë” është shumë i gjerë. Kryefjala e integrimit quhet implementim. Domethënë, vënia në praktikë e standardeve të Europës dhe europianizmit.

Sa kohë që Shqipëria, edhe pse kaluan njëzet vjet, nuk ka zgjidhur apo krijuar ende, në përputhje me standardet e botës së lirë, tri çështje të mëdha- zgjedhjet, drejtësinë dhe pronën- rruga e saj drejt Europës vazhdon të jetë e gjatë, ndërsa “sukseset” e saj në fushën e integrimit nuk janë të dorës së parë.

Mund të flasim gjerë e gjatë për vonesat apo “fajet” e Shqipërisë, por edhe Europa që ka luksin të vendosë kritere, të gjykojë dhe të mbajë në pritje vendet kandidate, ka normalisht përgjegjësinë e vet për demokracinë e këtyre vendeve. Europa, kur ka dashur, e ka liruar dorën si me rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë dhe mirë ka bërë. Vitin e ardhshëm pritet pranimi në BE i Kroacisë. Më tej, Europa ka vendosur të pushojë disa vite. Në samitin e para pak javëve në Sarajevë, drejtues politikë të vendeve të fuqishme të Europës, folën për një “pauzë” dhjetëvjeçare pas hyrjes së Kroacisë.

Nuk ka një vendim të shkruar, sigurisht, por kjo është më keq se të kishte një vendim të shkruar. Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari. Nuk ka pasur as reagime, as komente dhe as sqarime nga autoritetet zyrtare në lidhje me këtë “pauzë” eventuale, edhe pse në përvjetorin e parë të qeverisë Berisha – Meta drejtuesit e LSI-së i mëshuan me tendencë faktin se qeveria e tanishme është qeveria e integrimit, a thua se nuk ka qenë e tillë ajo pa LSI-në dhe nuk do të jetë po e tillë edhe qeveria e opozitës nesër! LSI-ja dhe qeveria duan të bëjnë propagandë, por kjo puna e “pauzës” është vërtetë shumë shqetësuese.

Po të jetë e vërtetë se në Europë kanë vendosur të shtrëngojnë dorën me Shqipërinë dhe me ndonjë vend tjetër të rajonit, apo siç e themi ne shqiptarët, po të jetë se duan t’i fryjnë kosit meqenëse u ka djegur qulli, atëherë i bie që Shqipëria të anëtarësohet një dekadë e gjysmë pas Bullgarisë dhe Rumanisë. Kjo diferencë nuk përligjet as me komunizmin që kemi jetuar deri në vitin 1990 dhe as me demokracinë që jetojmë sot.

Është e qartë se “pauza” pas pranimit të Kroacisë tregon lodhjen e Europës nga debatet e brendshme në lidhje me zgjerimin, debate që nganjëherë po venë në pikëpyetje vetë realitetin e Europës së Bashkuar për shkak të krizës ekonomike. Por fatmirësisht, politika e zgjerimit është ende politika zyrtare e BE-së. Mendjet e ndritura të kontinentit e dinë se nuk mund të ketë dy Europa, një të bashkuar dhe një tjetër jashtë saj. Në këtë kontekst, “pauza” pas pranimit të Kroacisë duhet konsideruar pikësëpari një dështim për qeveritë e ashtuquajtura të integrimit, të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, që janë lënë në listën e pritjes.

Po të kishin këto qeveri arritje konkrete dhe domethënëse, Europa nuk do ta kishte të lehtë t’i ndante kaq gjatë nga Kroacia. Por ndërsa pasqyron dilemat e Europës për mënyrën si do të vazhdohet me vendet e tjera, “pauza” do të inkurajonte frenimin e proceseve integruese në këto vende, shoqëruar me një demagogji akoma më të shpifur të drejtuesve politikë. Kushdo që ka folur e flet për “pauzë” nuk llogarit efektet e dëmshme, deri shkatërruese, që ka kjo fjalë për demokracitë e reja.

Në Shqipëri, por edhe në disa vende fqinje, qeveritë dhe për fat të keq edhe vetë qytetarët, ëndërrojnë të marrin vizat, ndërsa nuk duan t’ia dinë shumë për integrimin, për të mos thënë se e mendojnë me kosto. Integrimi gjithnjë është parë si një lloj teatri që duhet luajtur herë për publikun, herë për Europës, por punë e madhe po u shty në kalandrat greke. Integrimi garanton konkurrencën politike dhe ekonomike, garanton pronën, garanton drejtësinë, garanton liritë dhe të drejtat! Në fakt integrimi nuk u duhet atyre që duan të fitojnë zgjedhjet me manipulime, të pasurohen me monopole, të vënë nën kontroll drejtësinë e kështu me radhë.

“Pauza” do ta bënte edhe me teatrale çështjen e integrimit të vendit tonë në Europë dhe do t’i thellonte sëmundjet e demokracisë që janë listuar në progres raportin e BE- së. Më mirë të mos përmendet fare, të mos ketë fare afate. Plotësimi i kritereve- ky duhet të jetë afati i hapur. Që do të thotë se, në vartësi të arritjeve, vendi mund ta pranohet përpara vitit 2200, por edhe pas vitit 2020.

Pra duhet një kriter motivues dhe ndëshkues njëkohësisht, për ato qeveri që mendojnë ta shtyjnë me demagogji. Europa duhet ta dijë se partneri më i madh i saj në çështjet e integrimit nuk janë qeveritë e
Shqipërisë, por qytetarët shqiptarë. Sa më e qartë dhe sa më e hapur të jetë Europa me qytetarët shqiptarë për integrimin, aq me shpejt këta qytetarë do ta shtyjnë vendin drejt Europës.