Nga Mero Baze, 18 Tetor 2011
Një tjetër minator ka humbur jetën dhe 8 të tjerë janë plagosur rëndë pasi një xhep gazrash të fjetur ka shpërthyer në një nga galeritë e saj. Viktimat pasojnë dhjetëra të vrarë dhe qindra të lënduar gjatë këtyre viteve, ku në atë minierë punohet si një han pa porta për shkak të politikës së qeverisë ndaj mënyrës se si duhet shfrytëzuar ai masiv kromi. Kur them që këto viktima janë përgjegjësi direkte e Genc Rulit dhe ministrave që e kanë pasuar atë në detyrë, nuk dua të bëj politikë, edhe pse kjo histori në radhë të parë duhet të ndryshojë nga politika.
Për të gjithë ata që e kanë të paqartë se çfarë është miniera e Bulqizës duhet shpjeguar se si mbahet në këmbë një minierë e tillë gjigante, nga më të mëdhatë në botë dhe e krahasueshme nga rezervat me së paku 5 vendburimet më të mira në botë të kromit. Një vendburim i tillë, i cili ka filluar të shfrytëzohet gjatë regjimit komunist, kishte në dispozicion të tij 5 kompani. Në fillim ishte kërkimi gjeologjik, pastaj zbulimi gjeologjik, pastaj Ndërtim-Miniera, pastaj ndërmarrja e Avari- Shpëtimit dhe në fund ishte shfrytëzimi i minierës. Pra, shteti para se të shkohej tek minerali, investonte në katër kompani të tjera që kërkonin, zbulonin, ndërtonin dhe siguronin rrugën e minatorit drejt mineralit. Në atë vendburim ndodhte që punonin 4 mijë minatorë njëherësh dhe nuk ndodhnin gjëma të tilla.
20 vjet pasi miniera ka ndalur funksionimin e saj normal, vendburimi konsiderohet si një mbeturinë në të cilën kanë ngelur ca minerale dhe ato plaçkiten me çdo mjet dhe çdo çmim, përfshi dhe çmimin e jetës. Galeritë kryesore dhe puset janë ato të kohës së komunizmit, ajrimi po ai, ndoshta më keq, masat e sigurisë thuajse nuk ekzistojnë dhe mbi të gjitha nuk investohet më as për kërkim- zbulimin në zonë, përveç atyre studimeve që janë bërë gjatë kohës së komunizmit.
Nja nga shumë arsyet përse ndodh kjo është se qeveria shqiptare, bile duke filluar nga periudha e Genc Rulit si Ministër Ekonomie, ka copëzuar lejet minerare, duke ua ofruar miqve, trafikantëve të rëndomtë, njerëzve të fortë të atyre anëve, gjithkujt që premtonte t’i jepte ndonjë lek nën dorë Ministrit dhe të bënte ndonjë lek në Bulqizë. Me këtë politikë askush nuk ka menduar, dhe realisht e ka të vështirë të mendojë për investimet themelore në minierë, për ato investime që e mbajnë gjallë minierën dhe i japin asaj jetë, si një vend i sigurt ku mund të punohet pa rrezikuar në këto forma ekstreme jetën. Në Bulqizë sot kanë leje minerare së paku nja tre kompani mediatike që shërbejnë për t’i mbyllur gojën qytetarëve, dhjetë gangsterë të zonës, 20 miq ministrash dhe në krye të tyre është ACR me një leje korruptive të lëshuar në mënyrë të paligjshme nga Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, i cili çuditërisht ende nuk po merret i pandehur nga prokuroria për firmosjen e shtyrjes së kontratës pa leje të parlamentit dhe qeverisë. Kjo politikë e shfrytëzimit të atij vendburimi bën që investimet themelore të mungojnë, ajrimi, transporti i brendshëm, armatosja e galerive dhe aspirimi të mos jenë në fokus të investimeve, por të shfrytëzohen minatorët për të shkuar me çdo çmim në ballë të galerisë për të nxjerrë atë krom që ka mbetur aty.
Dhe ndodh siç ka ndodhur dje, që një xhep i fjetur gazrash mes shkëmbinj, i paparashikuar nga askush, ka shpërthyer në një galeri pa ajrosje dhe aspirim dhe ka bërë kërdinë. Herë tjetër ka rënë tavani i galerisë nga mungesa e armatosjes, herë tjetër minatorët dhe fëmijë të tyre janë varrosur në stoqet e mineraleve jashtë e kështu me radhë. Duke munguar një politikë racionale për shfrytëzimin e vendburimit, dhe duke dhënë me koncesion vetëm shfrytëzimin, pa kushtëzuar me rreptësi shërbimet që kërkon miniera, ne jo vetëm sot, por dhe në ditët në vazhdim do të gjendemi para problemeve të tilla që do të marrin jetë minatorësh dhe do të vazhdojnë të fryjnë xhepa ministrash.
Përveç anës teknike dhe sigurisë njerëzore, kjo mënyrë e të shfrytëzuarit të vendburimit është dhe një krim përsa i përket cilësisë së mineralit që shfrytëzohet. Të etur për fitime të shpejta dhe të mëdha “pronarët” e rinj, të cilët në asnjë rast nuk janë inxhinierë minierash apo profesionistë të gjeologjisë, udhëzojnë punëtorët të marrin vetëm kromin me cilësi të lartë, ndoshta mbi 30 për qind, duke varrosur brenda malit përjetësisht pjesën tjetër të kromit që mund të pasurohej dhe të shërbente po aq mirë si pasuri kombëtare. Sistemi i shfrytëzimit të atyre minierave është i tillë që pasi merr mineralin duhet të shembesh galerinë që merr mineralin për të ruajtur strukturën e masivit dhe si rrjedhojë nëse nuk e ke marrë gjithë mineralin, nuk e merr dot më përjetësisht.
Të gjitha këto pasoja të rënda, që nga jeta e njerëzve e deri tek shkatërrimi i pasurisë kombëtare vijnë nga një politikë e ligë qeveritare, e cila ka në qendër të saj dëshirën për miliona në xhepin e zyrtarëve dhe jo dëshirën për të shfrytëzuar pasuritë kombëtare të Shqipërisë dhe për të lehtësuar jetën e minatorëve atje.
Minatorët në kohën që miniera shfrytëzohej normalisht, ishin njerëzit më të paguar të Shqipërisë dhe në Bulqizë, Krastë apo qyteza të tjera minatore kishte deflacion pasi kishte më shumë para se sa kishte mall në qytete. Sot në ato qyteza minatorët marrin bukën me lista dhe një herë në muaj varrosin nga një shok. Në vend të rreth 1 mijë e ca inxhinierëve që punonin në atë masiv dhe zonat përreth, sot ke rreth 40 gangsterë me fuoristrada, që flasin gjithë ditën me ministrat dhe ish ministrat e Ekonomisë në telefon dhe varrosin brenda malit jetë njerëzish.
Kjo histori duhet të ndalet sot dhe menjëherë. Është fyese të mendosh se Nasip Naço, i cili e ka mendjen të rrjepë ndonjë uzinë që ka mbetur ende në këmbë për skrap, të kuptojë se ç’duhet bërë në Bulqizë. Është e turpshme që hajdutë pulash të shkojnë e të krekosen si gjela para minatorëve për tu dhënë shpresë se do ta rregullojnë të ardhmen e tyre. Bashkë me minatorin e vrarë duhet të ndalet sot jeta e atij kantieri vdekjeprurës për ta rikonceptuar si një vendburim, në të cilin duhet të investohet për tu shfrytëzuar dhe jo duhet shfrytëzuar për të investuar paratë në bizneset e tjera të ministrave tanë të Ekonomisë, në vila që nisin nga Gjiri i Lalzit dhe mbarojnë në Farkë.
I gënjen mendja ata që mendojnë se aksidenti i ndodhi ACR dhe jo dikujt tjetër. Çdo ditë të gjithë janë të rrezikuar të jenë të vdekur, nëse ai vendburim nuk shfrytëzohet pasi në të të jetë investuar për kërkimin, zbulimin, sigurinë dhe shfrytëzimin racional të tij. Ajo që ne sot i themi minierë kromi në fakt është varrezë minatorësh. Rikthimi i saj në minierë kërkon që të hiqet nga duart e ish- ministrave të Ekonomisë që kanë zgjatur aty kthetrat e vdekjes për të mbushur xhepat e tyre dhe për të zbrazur xhepat dhe shpirtrat e minatorëve.