Nga Pjetër Logoreci
Një ndër personazhet e spikatur që kontribuan për vendosjen e themeleve të sportit shqiptar, ishte padyshim dhe shumëtalenti, atleti nga Shkodra, Qazim Dervishi. Ky burrë i ditur dhe i emancipuar, me kulturë perendimore, pat meritën e fillimit të shumë sporteve që nuk njiheshin asokohe në Shqipëri, ku dhe ishte kampion e sillte vit pas viti rekorde të reja përsonale. Më vonë mësues dhe edukator, vazhdoi të përhapte tek brezat e rinj kulturën kombëtare e dëshirën për sport duke merituar titullin e lartë “Mësues i popullit”.
Qazimi, gjoksi i të cilit ishte i mbushur me medalje e dekorata, për rezultate të shkëlqyera dhe për ndihmesen e madhe në botën e sportit, fatkeqësisht për sa jetoi nuk zotëroj asnjë titull sportiv. Sic duket, kultura dhe aktiviteti i tij e shqetësuan pushtetin komunist, i cili në vend që ta nderonte me titullin “Mjeshtër i Madh Sporti”, e perplasi ndër qelitë e burgjeve famëkeqe të sistemit gjakatar komunist, duke e katandisur familjen e tij, deri sa doli nga burgu, për bukën e gojës.
SI E NJOHA QAZIM DERVISHIN…
Ndërrimi i sistemeve në Shqipëri edhe pse në vazhdimësi me komunista, apo femijët e tyre në pushtet, mundësoi për shumë familje shqiptare te ndara nga izolimi i dhunëshëm dhe i egër komunist, bashkimin e pjestarëve, afrimin e njohjen e tyre, si dhe i mundësoi vizita tek njëri tjetri. Njerzit filluan të frymëmarrin edhe pse plagët, dhëmbjet e vuajtjeve nga raprezaljet e diktaturës ishin të mëdha. Pesë dekada dhune kundër familjes dhe lirisë së individit, bënë që në të kaluarën, dy breza të shoqërisë shqiptare të keqtrajtohen, të diskriminohen apo të fshihen nga memorja qytetare si rezultat i “luftës së klasave”. Shumë u pushkatuan (edhe pa gjyq) dhe nuk i dihet as varri, disa të tjerë për të shmangur përndjekjen e tiraninë e “komunistëve internacionalistë” u arratisën nga atdheu duke gjetur strehë në vendet perendimore, të tjerët jetuan së bashku në burgun e madh Shqipëri, në “fanarin ndricues”, në brigjet e Adriatikut…
Në këto ditë ndryshimesh të mëdha të postkomunizmit, në vitin 1993, pata fatin e mirë të njihem me intelektualin Qazim Dervishi, i cili në moshë të thyer, jetonte me familjen e tij në Shkodër.
Si shumë familje të tjera edhe familja ime, vuajti arratinë, ndarjen e pjestarëve të saj, të cilët si intelektualë që kishin studiuar në shkollën teknike amerikane të Fultzit e më pas në universitetet perendimore, shiheshin si armiq nga regjimi diktatorial. Për afro gjysëm shekulli izolimi, ne nuk mundëm të kontaktonin (telefon, letra, apo fizikisht), të ndiheshin, me pjesën tjetër të familjes, deri sa ato vdiqën të dëshëruar në dhe të huaj. Qelloi që në prandverën e vitit 1993, erdhën për vizitë në Shkodër, për herë të parë, pjestarët e familjes time, të cilët jetonin në Londër.
Kushëririn im Philip (djali i xhaxhait tim, Anton Logoreci) dhe nëna e tij Doreen Clements (gazetare e një reviste londineze nga më të dëgjuarat e Anglisë)¸ gjatë vizitës në Shkodër, përjetuan shumë surpriza të këndëshme të cilat jua zbukuruan ditët e tyre të qëndrimit, një ndër to ishte dhe vizita në shtëpinë e intelektualit e patriotit shkodran QAZIM DERVISHI. Meqenëse z. Dervishi ishte në moshën 85 vjecare, shkuam ta takonim në pallatin ku ai banonte. Vizitorët nuk e flisnin gjuhën shqipe prandaj kërkova ndihmën e një përkthysje profesioniste për të bërë interpretimin e bisedës nga gjuha angleze në shqip. Takimi me anglezët e solli zotni Qazimin në kujtime të periudhës së rinisë kur ai, në mes qindra studentësh nga i gjithe vendi, ishte pjestar i shkollës teknike amerikane të Harry Fultz-it në Tirane. Për cudi edhe pse në moshë të madhe, z. Qazimi filloj të komunikojë me miqtë në një anglishte perfekte, pa patur nevoje për ndërhyrjen e përkthyeses.
Në mes të ambietit të ngrohtë familjar që u krijua, z. Qazimi filloj ti tregojë miqve nga Anglia përjetimet e tmershme në burgjet komuniste, e sidomos të periudhës dy vjecare të qëndrimit në hetuesi. Nuk mund ti harroj drithërimat që më përshkuan kur dëgjova ngjarjen e tmershme që i kishte ndodhur gjatë hetuesisë…. Pasi e kishin detyruar të zhvishej dhe torturuar barbarisht, e kishin varur për këmbësh, fytyrë për fytyrë me kokëposhtë, së bashku me një prift katolik i cili kishte vdekur nga torturat. ….Ftoftësia e kufomës si dhe sekrecionet e mbrendëshme të klerikut-kufomë, binin mbi trupin e gjakosur e të zhveshur të Qazimit. Dhe nuk mjaftonte kjo, por hetuesit sadistë duke gjetur kënaqësi e shumë agresivë, kishin filluar të lëshonin telin që i mbante të lidhur dy trupat, të cilët i kishin varur mbi gropën e hapur për WC, …e vazhdonin ti lëshonin …deri sa kokat e të burgosurve prekën jashtqitjet në gropë…
Kjo ngjarje shkaktoi një reaksion të fortë emocional tek anglezja mike e cila humbi ndjenjat. Ajo kishte dëgjuar qindra histori nga i shoqi Anton Logoreci, i cili fliste për tmerret e komunizmit cdo natë në emisionin shqip të radios BBC¸ por kjo që dëgjoj këtu ishte jashtë cdo limiti njerzor.
Kush ishte QAZIM DERVISHI?
Qazim Dervishi, i biri i Zades dhe i Selimit, lindi në Shkodër me 10 qeshor 1908. I ati i Selimit, Dervish Stankovic ishte kepuctar dhe kishte e ardhur në Shkodër rreth vitit 1866 nga Tuzi, ndërsa nëna e Qazimit ishte me origjinë nga Mjeda.
Qysh në fëmijëri, Qazimi u vecua nga të tjerët për shkathtësinë e tij mendore dhe trupore e në shkolle ai ishte kurdoherë nxënës i dalluar. Edhe pse (sipas tregimit të familjarve) rreth viteve 1916 … 1918, ishte e ndaluar që femijët nga familjet muslimane të luanin me top (pasi shihej si gjynah), Qazimi organizonte me shokët e moshës lojra me top, të cilët nënë Zade-ja ja qepte me kujdes.
Babai që merrej me tregti, pat mundësi ekonomike që të paguante një mësues privat për ti dhënë të birit njohuri të tjera, për të cilat ai ishte shumë i interesuar. Pa mbushur moshën 12 vjecare, Qazimit i vdes babai duke lënë pas katër femijë jetimë, dy djem dhe dy vajza. Për familjen nisin kohë të vështira, por amaneti i babait ishte që fëmijët të shkolloheshin. Miqtë e familjes filluan të interesoheshin që Qazimi, si më madhi ndër femijët, të frekuentoje një shkollë detare në Turqi, por deshira e fëmijes ishte tjetër. Ai nuk e pranoi propozimin dhe sapo mbaroj filloren u regjistrua në Gjimnazin e Shkodrës.
Duke parë aftësitë e Qazimit, punonjësit e kryqit të kuq amerikan në Shkodër e këshilluan të regjistrohej në shkollën teknike amerikane që ishte hapur në Tiranë në vitin 1922, ku ai filloj studimet e rregullta në vitin shkollor 1924, viti i dytë i egzistencës së shkollës. Shkolla me profil industrial, kishte drejtor 34 vjecarin Harry Fultz. Ajo financohej nga kryqi i kuq amerikan dhe kishte të njëjtin program me shkollat e Pityburgut, një qytet industrial i njohur në Amerikë.
Aty Qazimi u njoh edhe me studentë të tjerë që vinin nga qyteti i tij i lindjes si Viktor Beltoja, Ndoc Qerraxhia, Lec Barbullushi, të cilët u bënë shokë të mirë të tijët. Më vonë, në vitet e tjera, grupi i bashkëqytetarëve u zmadhua me Xheladin Bacin, Shaqir Kadinë, Anton Logorecin, Zef Qerraxhinë, Ndoc Geren, Ndrek Kodhelin, Mark Kurbinin, Loro Shirokën. Gjatë mesimit nxënësit edukoheshin me dashurinë për punën nën motivin : “If we rest, we rust”, në shqip: “kush rri ndryshket”, apo sic flitej në mes nxënësve: secili duhet të jetë gati të pranojë cdo punë që ti jepet…. Nxënësit duke punuar për të mësuar zanate të ndryshëm siguronin dhe të mirat e duhura materiale për jetën në konvikt. Fultzi e kishte vënë Qazimin të drejtonte sektorin e blegtorisë në fermën që zotëronte shkolla, në Laprake. Qazimi punonte tokat e fermës me traktor, administronte gjeneratorin e shkollës, në të njëjtën kohë punonte edhe si shofer duke bërë transportin e farës së misrit nga Tirana në Durrës.
Edhe aktivitetet e ndryshme sportive, futja e sporteve të reja të panjohura më parë në Shqipëri, ishin në programin e shkollës teknike amerikane. Ndër keto aktivitete Qazimi ishte gjithmonë prezent dhe sipas informacioneve të gazetës së shkollës “Laboremus”, në lojrat olimpike të cilat organizoheshin për cdo vit nga shkolla, ai u dallua dhe zuri vende nderi në garën e kërcimit për së gjati, në garën e kërcimit trehapësh. Në vitin 1925, Qazimi u zgjodh kapiten i skuadres së futbollit të shkollës si dhe këshilltar i përhershëm i drejtorisë për këtë sport. Në lojrat olimpike të vitit 1927, Qazimi theu rekordin e kërcimit së larti. Me inisitiven e drejtorit Harry Fultz, i cili ishte një lojtar basketbolli i mrekullueshëm, për herë të parë në Shqipëri, u organizuan ndeshje basketbollit, ku Qazimi ishte kapiteni i 5-shes së parë për shkollën teknike amerikane.
Në fillimin e vitit 1929, duke parë punën e mirë e serioze të Qazimit, kolegët kërkuan që ai të ishte – kujdestar i konviktit Naim Frashëri-. Me emrimin e tij kujdestar, Qazimi përvec punëve që i takonin, filloj të organizonte me nxënësit e konviktit, gara atletike dhe ndeshje basketbolli. Por dëshira e tij ishte të transferohej në qytetin e lindjes, të ja dedikonte Shkodrës rezultatet e mira që arrinte në sport. Mbas transferimit në Shkodër, për të plotësuar nevojat ekonomike të familjes ai filloj të punojë si mësues te shkolla HADREJ, e njëkohësisht si kujdestar në konviktin MALET TONA, pra mësues dhe edukator. Me inisiativën e tij, në vitin 1930, ai vendosin në këndin e vetëm sportiv që egzistonte në Shkodër, në atë të shkollës së Perashit, tabelat e basketbollit, shkallën suedeze, traun e ekuilibrit, gropën e rërës, stekat për kërcimin së larti si dhe vizoj pistat për gara vrapimi.
Nën organimin e tij, terreni sportiv pat përherë lojra basketbolli, handbolli, futbolli apo gara vrapimi të përziera për djem e vajza. Me këmbënguljen e tij dhe me ndihmën e shokëve e nxënësve, në vitin 1934, Shkodra kishte 3 terrene sportive. Jashtë deshirës së tij, në vitin 1939, Qazimi transferohet si mësues në Pogradec, por në tetorin e vitit 1942 kthehet si mësues në shkollën Ismail Qemali të Shkodrës. Po në këtë vit ai martohet me mësuesen e njohur Meliha Dervishi (mësuese e popullit) dhe së bashku gjatë vitit 1945, punojnë në Lezhë dhe Gjirokaster.
Një deshirë e madhe e Qazimit, ishte formimi i një klase për fëmijet shurdhë – memecë. Ai punoj papushim për një alfabet diadik duke u bazuar në modelin e shkollës amerikane “Northwest school Philadelphia”, ishte talent në fushën e didaktikës si dhe përkthente nga anglishtja letërsi për fëmijë, letërsi sportive dhe didaktike.
Pat një periudhë kohe kur Qazimin e dërguan të punojë si instruktor i edukimit fizik në hekurudhën Peqin – Kavajë. Aty, ai u vendos nën shënjestrën e sigurimit të shtetit, i cili aktivitetin e zellshëm dhe lidhjet e Qazimit i shihte me xhelozi.
Zyrtarët komunist të kohës, nuk mund të pranonin planet e tij që të lidhej me shkollat amerikane dhe ato londineze për të mësuar nga programet e tyre. Kështu që, me 12 shtator 1947, në moshën 39 vjecare, Qazimi arrestohet nga sigurimi i shtetit me akuzën “veprimtari në grup kundër shtetit¸agjitacion e propagandë dhe spiunazh”. Qëndron për 22 muaj në birucat e shfarosjes të hetuesisë, nën tortura cnjerzore, ku falë një fiziku të hekurt prej sportisti i rreziston vdekjes. Denohet me 18 vite burg nga gjykata e Tiranës e cila “e gjeti fajtor” nën këtë akuzë. Shtatë vite më vonë, i sëmurë rëndë, lirohet nga burgu. Për vite me radhë familja e tij ishte viktimë e një fushate të egër përndjekjesh, frikësimesh dhe bastisjesh nga sigurimi, të cilat vazhduan sistematikisht deri 1971-shin e ndrrimin e sistemit.
Përveç ndihmesës së madhe në fushën e arsimit dhe të përhapjes së sporteve të reja në Shqipëri, Qazimi pat një karrier brilante edhe si administrator e gjyqtar i futbollit. Në vitin 1945 ai emrohet kryetar dhe drejton shoqërinë Vllaznia në Shkodër. Pervec se një atlet profesionist, një futbollist i papërmbajtur, ai ishte arbitri i parë ndërkombëtarë i futbollit në Shqipëri. Qazimi ishte një gjyqtar shumë i vlerësuar si mbrenda vendit ashtu edhe në ndeshjet ndërkombëtare, duke arbitruar me shumë sukses në ballkaniaden e vitit 1946.
Me 11.06.1993, ai nderohet nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë „Mësues i popullit. Për të nderuar kujtimin dhe veprën e tij, në vitin 1996, pallatit të ri të sportit në qytetin e Shkodres i vendoset emri QAZIM DERVISHI. Me kërkesën e qytetarëve të Shkodrës¸me 13.3.2009, këshilli i Bashkisë Shkodër, i jep titullin “Qytetar Nderi”. Qazim Dervishi vdiq më 19 janar 1994 në moshën 86 vjeç, i nderuar nga koleget, qytetarët e gjithë Shqipërisë, por pa arritur të shohë sa ishte gjallë, titullin MJESHTER I MADH I SPORTIT apo CMIMIN E KARRIERES si sportist…..
Foto 1: Qazim Dervishi
Foto 2: Maturantet e Shkolles Teknike 1929
Foto 3: Qazim Dervishi atlet. Foto Marubi 1933
Foto 4: Qazim Dervishi (i pari siper majtas) dhe skuadra e futbollit e shkolles teknike amerikane ne Tirane
Foto 5: Qazimi dhe skuadra e futbollit – Bashkimi Shkodran – 1934
Foto 6: Qazim Dervishi dhe Skuadra e basketbollit e Shkolles se Perashit 1934
Foto 7: Kercim mbi steken 1.58cm nga Luigj Shala nxenes
Foto 8: Qazim Dervishi dhe koleget atlete te viteve 3
Foto 9: Kryetari i Bashkise Shkoder, Filip Guraziu i dorezon titullin MESUES I POPULLIT
Foto 10: Qazim Dervishi, kujdestar i konviktit Naim Frasheri Tirane 1929
Foto 11: Mesues e sportiste 1929 Tirane. Qazim Dervishi, Selman Stermazi, Elez Mahja…
Foto 12: Dekreti i Presidentit per titullin MESUES I POPULLIT
Vjenë, me 12.1.2015