Qarku Shkodër, humbja më e thellë për demokratët në 20 vjet

0
101

Anila Dushi, 13.05.2011

Në qarkun e Shkodrës, Partia Demokratike ka shënuar humbjen më të madhe në këto 20 vjet pasi 9 prej 33 njësive të qeverisjes vendore të këtij qarku do të drejtohen nga PS.

Sipas deputetit socialist Tom Doshi, ky rezultat ishte dënimi që i bëri qeverisë populli i Shkodrës me anë të votës, kryesisht zona e Nënshkodrës që pësoi disa herë përmbytje gjatë vitit 2010.

Doshi i ka quajtur heronj komisionerët që sipas tij me gjithë presionet e kundërshtatrëve nuk pranuan të manipulohen.

Për here të pare në këto 20 vite, PS ka mundur të fitojë komuna bastion të PD-së si ajo e Gruemirës në Malësi të Madhe dhe e Berdicës e Gurit të Zi në Shkodër , të cilat asnjëherë më parë nuk janë drejtuar nga socialistët .

Kryetari për dy mandate i komunës Berdicë, Qamil Xhurreta , i cili humbi në zgjedhjet e 8 majit, ja ka faturuar këtë humbje degës lokale të PD-së në Shkodër dhe drejtuesve të saj.

Sipas Xhurretës , përfaqësues i Aleancës për Qytetarin por që nuk u mbështet nga PD, nga këto zgjedhje nuk fitoi askush por humbën të gjithë.

“Kush fitoi nga besëprerja që më bënë mua dhe Aleancës për Qytetarin? Askush. Humbën të gjithë dhe bënë që të fitojë Partia Socialiste. Humbën demokratët e Berdicës që ndihen më të braktisur se kurrë”, u shpreh Xhurreta.

Xhurreta gjithashtu përmendi faktin se këtë here humbën dhe komuna që u mbështetën fuqimisht nga zonja Topalli dhe qeveria si Gruemira , Rrethina, Velipoja etj.

Sipas tij humbja e PD ka ardhur si pasojë e pazareve të disa individëve në PD të Shkodrës që tallen me fatet e ndjenjat e demokratëve të kësaj zone. Ai shtoi se me humbjen e drejtimit të kësaj komune nga e djathta, mbetën pa u realizuar shumë projekte të dobishme për komunitetin të hartuara e të miratuara më pare.

Ndërkohë, Partia Socialiste në qarkun e Shkodrës ka fituar në katër nga 6 komunat e përmbytura të zonës së Nënshkodrës , në Velipojë, Berdicë, Gur i Zi, Ana e Malit , në komunat Temal e Pult të cilat prej disa mandatesh drejtohen po nga PS, komunën Gruemirë në Malësi të Madhe dhe atë Fierzë në Pukë.