Nga Gjergji Thanasi
Votimi i ligjit të plehrave në Kuvendin e Plehrave, (pardon doja të shkruaja në Kuvendin e Shqipërisë), më kujtoi votimin në Kuvend të ligjit për regjistrimin e popullsisë. Dy deputetët çamë në parlament e shanë me libër shtëpie ligjin duke bërë demagogji të pështirë me ndjenjat e pastra atdhetare të komunitetit të shumëvuajtur çam, si edhe me patriotët shqiptarë në trojet etnike shqiptare dhe në diasporë. Deputetët çamë nuk kishin nevojë të recitonin hartime patriotike në Kuvend, për ta rrëzuar ligjin mjaftonte të mos hynin në sallën e Kuvendit dhe ligji binte automatikisht për mos arritje të kuorumit të nevojshëm. Dy deputetët çamë nuk ishin budallenj dhe e kuptonin këtë punën e kuorumit se edhe proverbi thotë, që s’ka çam budalla.
Fatkeqësisht “Mareshali” Petain i Shqipërisë ua kishte zënë kokën me derë. Njërin deputet e kishte marrë peng me një kombinacion prej udbashësh duke i futur në makinën e djalit adoleshent pistoletë pa leje dhe një qese me drogë. Tjetrit ia kishte shkelur bishtin me kova drage e me defterët e vjetër të burgut të Leçes, si edhe me procesverbalet e Cataldo Motta-s një hetuesi puljez.
Personalisht, si i djathtë ndjej trishtim, por edhe përbuzje. Ligji për plehrat i miratuar nga plehra-deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, nuk do të kalonte për mos plotësim kuorumi nëse deputetët socialistë do të braktisnin sallën e Kuvendit. Më pas telashet do i kishte një djalë i ri me emrin Xeni, i cili do të duhej tu jepte shpjegime klanit të Kazalezëve të Kamorras napolitane. Njëlloj siç i dolën telashe me kolumbianët një zv.kryeministri, të cilit iu “aksidentua” sekretari te seksioni konsullor i Ambasadës amerikane. Sharjet e Ballës, argumentet kundra të Profesor Rukës në foltoren e Kuvendit nuk patën asnjë vlerë tjetër përveçse të propagandës vulgare me objektiv elektoratin rural të PS-së.
Deputetët socialistë i dhanë një dorë Berishës të miratojë ligjin e plehrave me telekomandë nga përtej oqeanit jo se janë deputetë debilë, që nuk kuptojnë se çfarë bëjnë… Jo! Shumë prej tyre luajnë teatër e na bëjnë prostitutën e virgjër. Në një opozitë ku shitet gjithçka, nuk di më çfarë të mendosh. Këshilltarë, komune, bashkie e qarku në Fier, Berat, etj shiten si derrat në pazarin e Milotit. Dhe gjykuar nga ngjarjet e fundit në Kuvend, në qarqe, dhe me spektaklin propagandistik të Kontit Kaliostro (Berisha) në Amerikë mund të arrijmë pa gabuar aspak në konkluzionin se PS-ja nga nëna PPSH dhe gjyshja PKSH nuk ka trashëguar as ëndrrën e bukur por mashtruese të komunizmit, as gjakun e dëshmorëve, as djersën për tharje kënetash apo për hapje kursesh analfabetizmi, por thjesht ka trashëguar plehrat e dy gjeneratave të tëra.
Sepse kllounadës berishiane të përtej oqeanit me “aktorin” hollivudian Patton Boggs, që kushtoi rreth 2,2 milion dollarë mund t’i shpoheshin rrotat me një kosto prej 40-50 mijë dollarësh ose edhe me kosto zero vetëm me vullnetarizëm, një ish-trashëgimi e çmuar e të majtës shqiptare. Fatkeqësisht, ndonëse miq të Shqipërisë në Uashington, e paralajmëruan PS-në me një javë avancë për konferencën e Baronit Mynhauzen të Tiranës, në hotelin e Nju Jorkut nuk u mor asnjë masë. Nuk mund të thuhet, që shefat e PS-së janë aq budallenj sa të mos e kuptojnë se kjo konferencë ishte rimel propagandistik për sytë e plakur të Berishës dhe përrallë e bukur për përkrahjen amerikane për “Faraonin” e Shqipërisë.
Krerët e PS-së nuk ishin as të zënë me punë të mëdha, sepse tashmë i kanë lënë dhe protestat, nuk ishin as të trembur për jetën e tyre si Berisha me dy jelekë një mbi këmishë dhe tjetrin nën këmishë. PS-ja kishte kohë, njerëz, mjete dhe para për të reaguar dhe për t’i dhënë Salës një shuplakë amerikane par-exellance, siç thonë diplomatët e huaj, por nuk e bëri. Pse? Presin të tjerët të luftojnë për ta? Ky mentalitet më kujton elitën e regjimit të vjetër në vitet 1943-1944, kur shpreheshin: inglizi nuk ka me e lejue Moskovin e partizanët ta bajnë bolshevizëm Shqipërinë. Rezultati? Enveri i tmerrshëm!
Përpjekjet e mundimshme të Braçes e Ballës, të cilët me age dhe cat-gut në dorë rreken të qepin himenin e shqyer të Parlamentit shqiptar, do të dështojnë, sepse, siç thotë guida turistike tuniziane në El Hammamet, nuk i jepet ujë një gamile, që nuk ka etje për të pirë.
* * *
Unë e kuptoj, që vetëm importimi i mbetjeve jo toksike dhe jo radioaktive do sjellë një fitim maksimal prej 300 milionë dollarësh. Unë e kuptoj edhe ndonjë logjikë të mundshme prej hyzmetqari që 10% e fitimit të Salës i thonë 30 milionë dollarë, ndaj hajt të bëjmë sikur nuk e shohim kuorumin. Tahmaja dhe legenllëku janë përhapur në masë, por sinqerisht uroj, që fëmijët e deputetëve shqiptarë të kenë të njëjtat probleme shëndetësore si fëmijët që luajnë dhe rriten mes plehrave të Sharrës në Tiranë apo Porto Romano në Durrës.
Deputetë socialistë! Nuk mjafton vetëm buria e “Shekullit” të Kokëdhimës për ta trembur mafien italiane (dhe jo vetëm) të plehrave. Duheni edhe ju. Në mos e bëfshi dot për shqiptarët, bëjeni për fëmijët tuaj. Deputetë demokratë mjeranë të Kuvendit të Shqipërisë duhet t’u kujtojë, që Xeni nga tamahu pa kufi vrau dhe burrin e tezes së vet në Gërdec. Pa pikë dyshimi, ky tamahqar injorant dhe arrogant pa cak e limit nuk do të kufizohet vetëm në importimin e plehrave urbane.
Eh, jo! Në Shqipëri do të futen mbetje helmesh të rrezikshme (kujtoni pesticidet gjermano lindore në Han të Hotit, Milot e gjetkë), dhe mbetje radioaktive si p.sh., karburant radioaktiv i shuar (spent fuel). Sa për kujtesë skanerët antiradioaktivitet në Portin e Durrësit ende nuk funksionojnë. Le që ku pyet Xeni, Omeri i ri i eposit shqiptar për skanera, mjafton të ketë në krah Fazlliçin, Vuk Harambashin serb të shekullit XXI. Fatkeqësisht nëse këto mbetje helmuese apo radioaktive groposen minierave apo guroreve të braktisura, ato do të helmojnë jo vetëm “këlyshët” e katundarëve të mjerë kokëpalarë siç mund t’i quajë regjimi, por edhe pinjollët e aristokracisë së re serbo- shqiptare të Tiranës.
Nuk ka asnjë studim madje as pjesor për hartën e ujërave nëntokësorë të Shqipërisë. Më qartazi: Nëse do groposen mbetje helmuese apo radioaktive në minierën e braktisur të Kalivaçit të Mokrës, ujërat nëntokësore mund ta çojnë ceziumin radioaktiv apo amerikaniumin në rubinetin e ezmave të vilës qeveritare të Drilonit. Nëse groposen material radioaktive në minierën e kripës në Dhrovian, radioaktiviteti me anë të ujërave nëntokësore mund të përfundojë edhe te Syri i Kaltër edhe në lumin e Bistricës edhe në çezmat e hoteleve te Kanali i Çukës.
Nëse varrosen mbetje të tilla në minierën e braktisur të Mengajt (Kavajë) radioaktiviteti mund të përfundojë në rubinetet e vilave të VIP-ave në Plazhin e Golemit. Mirë ju o zotërinj sundimtarë të PD-së pini vetëm ujë të ambalazhuar të shtrenjtë importi? Po fëmijët tuaj, a ka garanci se nuk do të pinë ujë radioaktiv? Po nipat e mbesat, po vëllezërit dhe motrat tuaj të gjithë do të pinë ujë importi? Po uji i ndotur që do të përdoret për vaditje të frutave dhe perimeve, a nuk do t’i ndoti edhe ato fruta e perime, që shtrohen në tryezat tuaja?
Mos vallë “bllokmenët” e rinj edhe frutat e perimet do t’i importojnë vetëm për dyqanin e bllokut të ri? Se çfarë vuajtjesh shkakton kanceri i pankreasit, se ç’vuajtje shkaktojnë leucemitë me origjinë kontaminimin radioaktiv se ç’vuajtje shkakton kanceri i gjëndrave tiroide pyesni mjekët dhe besoj përgjigja do të arrijë të tronditë edhe mendjet e juaja cinike. Pyesni gjeologët për hartën e ujërave nëntokësore shqiptare dhe pastaj edhe më kokëtulët nga ju do ta kuptojnë hatanë që i kërcënohet familjeve tuaja. Ramiz Alia është gjallë. Pyeteni pse nuk pranoi ofertën për të importuar mbetje radioaktive dhe me ato para të blinte margarinë gjermane, oriz vietnamez, pula hungareze e mish kau argjentinas. Jo për ndonjë gjë po do t’ia zgjaste jetën edhe komunizmit në Shqipëri.
Deputetë PD-istë: Kamorra napoletane dhe “Kamorra” e Tiranës, sipas hetimeve të repartit të katërt të GDF-së italiane dhe DIA-s amerikane i ka planet e gatshme për të eksportuar mbetje helmuese dhe radioaktive në Shqipëri. Ndaljani dorën Xenit jo për të shpëtuar Shqipërinë, por për të shpëtuar fëmijët tuaj. Po i bëj apel deputetëve të djathtë dhe të majtë, të kenë parasysh thënien e Biblës: “The sins of the fathers are visited onto their children!”







