Gilman Bakalli
Jozefina Topalli dhe Alfred Lela bashkohen të dy në një pikë: në dëshirën e tyre për orientimin botëkuptimor perëndimor të shqiptarëve. Dëshira e së parës nxitet nga politika, dëshira e të dytit është e natyrës estetike. Të dy kanë të drejtë!
Estetikisht Alfred Lelën e kuptoj. Duhma e pilafit me tasqebab rrugicave të qyteteve tona, pazaret e rrëmujshme me artikuj pa çmime e, së fundmi, edhe telenovelat, janë ngacmues shumëshqisorë të fortë, provokues emocionesh të forta për shumëkënd. Megjithëse e diskutueshme estetikisht për ata shqiptarë që kanë jetuar për një kohë të gjatë nëpër qytete të Europës Perëndimore, kjo festë e zhurmshme shqisore s’të lë indiferent. Turqia i bën shqiptarët të pozicionohen nëpër llogore paragjykimesh të patundshme e botëkuptimesh diametralisht të kundërta. Estetikisht dhe si stil të jetuari.
Politikisht edhe Jozefinën e kuptoj. Europa na jep modele qeverisjeje e standardesh jetese shumë të lakmueshme, megjithë krizat e forta ekonomike dhe të besimit që po e shkundullojnë vit pas viti. Ndoshta edhe për shkak të një konformizmi që ushqehet nga presioni i përditshëm mediatik, sot, vështirë se gjen një shqiptar që arrin të artikulojë publikisht qoftë edhe një qëndrim të rezervuar ndaj Europës. Askujt s’i lejohet të provojë, e aq më pak të artikulojë publikisht, ndjenja të përziera kur është fjala për Europën.
Presioni propagandistik i politikanëve, për të na paraqitur ai aleatë të Europës, sidomos të asaj Europe që nuk e do Turqinë, na ka bërë të ndihemi mirë me statusin honorifik si vendi më proeuropian në Europë. Ky status duhet mbajtur gjallë me doping estetik e politik. Për këtë duhen denunciatorë estetikë dhe fajtorë politikë. Shkurt pra, e gjithë beteja për Europën po zhvillohet në rrafsh simbolik. Estetikisht duhet të manifestojmë ndarje simbolike nga kultura e pengmarrësit/pushtuesit tonë të dikurshëm.
Pena estetike e Lelës e bën mjeshtërisht këtë, duke ndriçuar pjesët më të mykura, më të zymta e më folklorike të kulturës osmane. Kurse politikisht duhet të gjejmë fajtorë në të shkuarën e në tashmen që na penguan/pengojnë të hyjmë në Europë. Pushteti politik i Jozefinës identifikon “kokën e turkut” që duhet prerë për të kapur Europën dhe e servir atë nëpër peticione anembanë Shqipërisë. Për Europën simbolike kemi intelektualë të gatshëm kurdoherë, që firmosin peticione. Edhe ky entuziazëm intelektual për Europën është po ai “pakt pragmatist për të cilin shquhet shqiptari”, apo jo, Lela?
Megjithëse estetikisht dhe politikisht i mirëkuptoj, Alfredit dhe Jozefinës shqetësimin s’ia kuptoj. Aq më pak e kuptoj nxitimin për të firmosur peticione të intelektualëve firmëtarë! Aspak s’e kuptoj mllefin filozofiko-letrar të ithtarëve të Kadaresë, të cilët sapo pikasin diku në hapësirën publike një frazë proislamike lëshohen pa frena dore. Seç ka një dëshirë të thekur për ta krijuar me zor të sforcuar një fantazmë neo-otomane që kërkon ta pengojë Shqipërinë në atë rrugëtimin e saj proeuropian! Një lloj obsesioni për ta gjurmuar këtë rrezik edhe në frazat personale të një shkrimtari si Kim Mehmeti. Një lloj histerie për ta perceptuar këtë rrezik edhe te ndryshimet gjuhësore që kërkojnë autoritetet turke.
Pushtimi osman është pjesë e historisë sonë dhe këtë nuk mund ta ndryshojë dot asnjë ekspert turk dhe asnjë xhonglim linguistik. Nëse ju duket intolerante kërkesa e autoriteve turke për rishikimin e disa termave historikë, po ju kujtoj pak eufemizmin cinik “dëme anësore” (collateral damages) që Administrata e Shtëpisë së Bardhë e përdor për të raportuar vdekjen e mijërave të pafajshëm që humbin jetën sa herë që bombardimet ajrore shkojnë huq dhe godasin gabimisht objekte civile, thënë më shkoqur, shtëpitë e njerëzve të thjeshtë. Nuk habitem që eufemizma të tillë nuk shqetësojnë askënd. Është pjesë e atij paktit pragmatist për të cilin shquhen ballkanasit.
Duke mos u mjaftuar me faktin se pushtimi osman ishte dhe mbetet pushtim, intelektualët firmëtarë i mveshin këtij pushtimi metaforën “gropë e zezë”, duke harruar konotacionet e larmishme që marrin metaforat në rrugëtimin e tyre të gjatë historik. Mbetet për të shpresuar që, pas shumë brezash, “gropa e zezë” të mos kthehet në një “vrimë të zezë”, duke marrë ngjyrimet erotike të atij vendit në hyrje të Tiranës që quhet “Zogu i zi”.
Jozefina duhet të qetësohet. Ne jemi në Europë. Megjithë pakënaqësitë estetike të Lelës dhe mllefet filozofiko-letrare të ithtarëve të Kadaresë. Ne jemi në Europë, jo sepse për ne shqiptarët kafja turke dhe WC-të alla turka kanë dalë mode dhe të gjithë po pimë kafe ekspres e po “çlirohemi” “alla franga”. I jemi afruar Europës, të paktën simbolikisht, sidomos pasi peticioni për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri i ish-të burgosurit politik Sami Repishti doli nga sirtarët e zyrës së Jozefinës dhe mori votat e saj dhe të gjithë atyre që ia dolën ta kapërcenin të kaluarën personale. Tani problemi shtrohet si të jemi europianë.
Kryqëzatat, më falni, fushatat për të firmosur peticione kundër Edi Ramës, i cili po na pengokërka të hyjmë në Europë, nuk na ndihmojnë të hyjmë në Europë e as na bëjnë të dukemi më europianë. E as firmat e disa intelektualëve për të kundërshtuar ndryshimin e disa atributeve linguistike të pushtimit osman nuk na bëjnë punë për projektin estetiko-politik proeuropian. Në Europë nuk mjafton për të na futur as e gjithë vepra proeuropiane e një shkrimtari si Ismail Kadareja, ashtu siç nuk na pengon të jemi europianë fraza idolizuese për islamizmin e një shkrimtari si Kim Mehmeti. Prandaj edhe i gjithë ky shqetësim intelektual më duket disproporcional dhe krijon një realitet fantazmagorik.
Prandaj edhe refuzova ta firmos peticionin. Sidomos peticionet e formuluara e të firmosura me nxitim të lënë shijen e hidhur të atij ekspresit që rrëkëllehet me një frymë në këmbë, para banakut. Paradoksalisht, në këtë rast do preferoja atmosferën e ngeshme që shoqëron kafen turke.
P.S.: Me zbavitje konstatova se të njëjtit intelektualë që kishin firmosur kundër Edi Ramës, që s’po na lënkërka të futemi në Europë, paskan firmosur edhe peticionin kundër Perandorisë Osmane që s’na la të futemi në Europë. Them se këta intelektualë duhet ta identifikojnë më mirë armikun që s’po na lë të futemi në Europë. Për këtë nuk është i nevojshëm introspeksioni e as kthimi në të kaluarën e largët. Tek-tuk e kemi dëgjuar të thojë se me turqit jemi “vëllezër të një gjaku”.