Pushteti ka uzurpuar gjithçka

0
41

Mustafa Nano

Nga Mustafa Nano

Dy a tri mbrëmje më parë, në edicionin informativ të TVSH-së dhanë një lajm të çuditshëm. Kishin marrë një shkrim të Kastriot Islamit në një prej të përditshmeve, ku ai qortonte qasjen opozitare të PS-së zyrtare, dhe e lexonin të shoqëruar me pamje të vjetra filmike. E kuptoni? Një shkrim i një disidenti të PS-së ishte përmbledhur në më shumë se pesë minuta, dhe e gjitha ish qepur si lajm i rëndësishëm për shqiptarët. Unë e kapa në rrugë e sipër këtë farë lajmi. Ishte një miku im, i cili më tha në telefon që të hapja televizorin tek TVSH-ja, pasi “atje po i kalojnë të gjitha limitet. Është e pamendueshme kjo që po ndodh”.

Në fakt, në teori nuk është dhe aq e pamendueshme, dhe këtë ia thashë dhe mikut të telefonit. Zëri kundër brenda një partie të rëndësishme është lajm që ç’ke me të. Por në këtë mes, ka do gjëra që s’shkojnë e që e bëjnë ngjarjen një turp të madh. Nuk ka asnjë arsye e asnjë kuptim të marrin një shkrim të dikujt e ta bëjnë lajm. Ka një rrugë tjetër më të shkurtër, më televizive e tamam profesionale: shkon dikush dhe e interviston autorin e shkrimit. Dhe në rastin konkret, kjo është fare e kollajtë. Kastriot Islami nuk është Umberto Eco, që e nxjerr fytyrën në TV njëherë në dhjetë vjet. Përkundrazi, Islami, ashtu si të gjithë politikanët shqiptarë e si shumica e politikanëve të botës, mezi e presin një ftesë për një intervistë televizive. Po pastaj? Pastaj, tok me Islamin intervistojnë edhe një tjetër që përfaqëson linjën zyrtare të PS-së, e kështu lajmi balancohet, gjë që i ka hije një televizioni publik.

Por edhe kjo do të kish kuptim, nëse i njëjti televizion do ta kish bërë praktikë të vetën amplifikimin e zërave maverick-ë brenda partive të rëndësishme. Me fjalë të tjera, kjo gjë do të shkonte, nëse i njëjti televizion, d.m.th TVSH-ja “jonë” do të jepte herë pas here dhe zërin e Aleksandër Biberajt, apo dhe të ndonjë tjetri. Mirëpo kjo s’ndodh kurrë. Dhe pikërisht për këtë arsye, lajmi që u dha ishte një palaví media-tike. Ai lajm, ashtu si i gjithë edicioni informativ i asaj mbrëmjeje, ashtu si të gjitha edicionet informative të të gjitha mbrëmjeve, na bëjnë me dije se televizioni publik shqiptar është vjedhur.

Në të njëjtën mënyrë na janë vjedhur të gjitha institucionet qeveritare e një pjesë e mirë e institucioneve shtetërore e publike (TVSH-ja është – do duhej të ishte – një institucion publik). Janë vjedhur institucionet zgjedhore, që çuan në vjedhjen e votës, është vjedhur administrata publike, e cila është e partisë demokratike, është vjedhur policia, e cila është blu, është vjedhur ushtria, e cila komandohet me logjikë partizane, është vjedhur dhe ndonjë arritje që ka ardhur me vonesë pikërisht për shkak të klasës sonë politike (sidozot, anëtarësimi në NATO), janë vjedhur investimet që bëhen me paratë me publike (janë vjedhur dy herë: njëherë nëpërmjet korrupsionit, e njëherë tjetër duke celebruar e përuruar me pompa të shpifura përfundimin e investimit), po bëhen gati qysh tani të vjedhin dhe arritjen e pritshme të liberalizimit të vizave etj., etj.

8 dhjetori është një vjedhje më vete, ndërsa tubimi me këtë rast ishte dëshmia e n-të e faktit që Berisha na ka vjedhur gjithçka. Ai miting ishte në fakt një antimiting i shëmtuar, i projektuar për të eklipsuar atë që bëri opozita ca javë më parë. Deri në momentin e asaj proteste të opozitës, askush nuk kish ndërmend të festonte 8 dhjetorin. Është aq e vërtetë kjo, sa Berisha, në më shumë se në një rast, nuk hezitoi të përcillte mesazhin: “Ah, ju bëni mitingje? Po mirë, ua tregoj unë, më 8 dhjetor do bëj mitingun tim”. Dhe për ditë të tëra nuk bëri gjë tjetër, veçse iu vu përgatitjeve për ta bërë harbimin sa më të madh të mundshëm. Nxori ç’mundi e ç’deshi nga arka e parave publike, dhe me to bëri poster-a, bill-board-e, parulla, banderola, spote publicitarë, mblodhi pará të tjera nga klientët e partisë (të cilët duhet të presin që pushteti i nesërm, në stilin e Berishës së sotëm, t’u prishë ndërtime e investime me ruspa e buldozerë. Ku po na çon kështu, Sali?), dhe me këto pará mbuloi shpenzimet e thirrjes “nën armë” të të gjithë demokratëve të provincës (ca kohë më parë, të njëjtën gjë bëri dhe opozita), ndezi me të gjithë motorët gjithë makinën shtetërore, ngriti më këmbë shkolla, ndërmarrje, dikastere, urdhëroi mobilizimin e të gjithë administratës, dhe të gjithë këtë harbim e pagëzoi “festa e pluralizmit”. E më e bukura ishte, se bash në këtë “festë të pluralizmit” iu sul dhe njëherë opozitës, ashtu siç di ai, e quajti një grumbull plehrash, një mafia puniste etj., etj. Mos u gajasni, po të doni!

Dhe ca e ca u magjepsën përballë këtij kermesse-i. Ca e ca të tjerë nuk u menduan dy herë për ta përshëndetur këtë harbim të qeverisë me paratë e qytetarëve, duke u dalë nga mendja, përveç të tjerash, se qeveria shqiptare është e para qeveri në botën demokratike, që bën tubime. Kudo qeveritë qeverisin, ndërsa në Shqipëri rivalizojnë opozitën me prova force nëpër rrugë. Dhe këtë e bëjnë nëpërmjet një mobilizimi shtetëror, të cilin e bënë në të njëjtën mënyrë e masë dhe në zgjedhjet e fundit. E sikur të mos mjaftonte kjo, ata dhe i vodhën këto zgjedhje (po të ish ndryshe, do binin dakord të rihapeshin kutitë e të rinumëroheshin votat).