Pushteti i Pestë

0
70

 Nga Anila Basha

PD më në fund, nëpërmjet institucioneve të saj, vendosi të vjedhë edhe të fundit gjë që mund të vidhte në këtë vend: votën e shqiptarëve. Jo se është hera e parë, ndoshta nuk do të jetë as hera e fundit për sa kohë që do të kemi një opozitë që ende tregohet e brishtë dhe e paaftë të ruajë votën e qytetarëve. Vendimi i kolegjit zgjedhor, që legjitimon vjedhjen në tavolinë të votës së shqiptarëve në mënyrë të padrejtë, na bën të qartë se në Shqipëri është instaluar një pushtet i pestë: e ka emrin, pushteti i vjedhjes.

Nuk ka rëndësi se çfarë vjedh që sot e tutje: nëse vjedh vite burgu për një kriminel ordiner; nëse vjedh shtëpi e makina apo xhepa të varfër pensionistësh sikurse bën një personazh minoren shumë mediatik; nëse vjedh fondet publike për interesa personale apo nëse vjedh prona qytetarësh me vendime gjykate. E rëndësishme është se që nga sot, mund të vjedhësh cfarë të duash, por nuk do të dënohesh.

Dhe për këtë, duhet propozuar që “vjedhja” si një vepër penale, duhet të zhduket edhe nga kodi penal i republikës së Shqipërisë. Sepse vjedhja tashmë e ka një institucion të vetin, madje apriori ka vetëzgjedhur edhe kryetarin. Deputetët e opozitës duhet të mblidhen në shtator në kuvend dhe të jenë të parët që të mbështesin një iniciativë të tillë.

Nuk ka rëndësi tashmë se kush vjedh, madje gjykata e faktit në fier, duhet të anulojë vendimin e para do ditëve, ku penalizonte me 1 milionë lekë gjobë një qytetar që kishte vjedhur një votë. Ky i fundit, duhet të ngrejë padi për këta gjyqtarë që punojnë me dy standarte: pse gjyqtarët e Tiranës legjitimojnë vjedhjen dhe i japin asaj përparësi, ndërsa ky i shkreti s;bëri gjë tjetër veç vodhi një votë dhe duhet të ketë në dëshminë e tij të penalitetit një dënim?

Të gjitha çështjet që hetohen nga prokuroria shqiptare për vjedhje apo shpërdorim detyre me fondet publike duhet të pushohen menjëherë. Duhet të propozohet madje edhe shkrirja e institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Eshtë institucion që nuk i hyn kujt në punë, harxhon kot paratë e taksapaguesve shqiptarë. Do të ishte mirë që këto para, tu kalojnë zyrtarëve të rinj që do të punojnë tek institucioni i vjedhjes. Vjedhja do të ketë edhe zërin e vet, dmth një zëdhënës. Se kush është ky, është vendosur nga qeveria në pushtet. Eshtë ai që duhet të bëjë publike edhe projektligjin me të cilin do të duhet të funksionojë institucioni i vjedhjes.

Sepse për krijimin e institucionit të vjedhjes, kemi edhe bekimin e ndërkombëtarëve. Kështu të paktën, do ta kemi të cliruar shpirtin e mendjen. Na duhet ky hap sepse po vërejmë, që në shoqërinë e sotme, vjedhja është virtut, për politikanët është nder dhe lavdi; është ngjitje në karrierë në mënyrë të suksesshme; është një fenomen me të cilin që nga sot duhet të krenohemi.