Pushteti ekonomik që u fal berishëve, qetësi

0
36

Analiza Nga ERION BRAÇE, 18 Korrik 2013

Largimi i Sali Berishës nga kryeministër nuk mjafton, duhet zhbërë pushteti ekonomik i Sali Berishës, i familjes së tij politike! I keni parë që nuk janë të shqetësuar që po largohen nga pushteti politik dhe ekzekutiv i këtij vendi?! Janë të qetë, janë larguar nga ekranet e TV-ve që i kërkonin me ngulm dhe po pushojnë brenda e jashtë vendit. Pushteti ekonomik ua jep këtë qetësi! Janë të sigurtë se askush nuk do t’u prekë pushtetin ekonomik!

Bëhet fjalë për kontrata koncesioni apo kontrata qeveritare në shërbime, që u japin për vite të tëra miliona euro përfitime, pavarësisht se nuk do jenë në pushtet.

Muajt e fundit para zgjedhjeve, në mes të fushatës, por edhe pas zgjedhjeve, që edhe pse i humbën – Sali Berisha vetë, ministra të qeverisë së tij – kanë nënshkruar kontrata koncesionare me vlera që varionin nga 15-20 milionë euro në vit me një kohëzgjatje 10-15 vjeçare.

Kanë zhvilluar tendera dhe lidhur kontrata qeveritare në shërbime me vlera që arrijnë deri në 20 milionë euro dhe të shtrirë në shumë vite në vijim.

Dy janë rastet tipike:
I pari, koncesioni i ngjyrosjes së karburanteve me vlerë deri në 20 milionë euro në vit dhe shtrirje në 10 vjet;
i dyti, tenderi dhe kontrata e furnizimit të ushtrisë shqiptare me uniforma me vlerë 18 milionë dollarë dhe shtrirje në 7 vite.

Për të parin, skandali tashmë është i zbardhur dhe dëshmon për një konçesion zhvatës. Mbetet të hetohet deri në fund se cili shqiptar ishte përfituesi i drejtpërdrejtë i 200 milionë eurove për 10 vitet në vijim.

Për të dytin, skandali është tërësisht i zbardhur; tenderi është bërë në mes të fushatës zgjedhore, është me shkelje të renda të ligjit dhe kërkesave të një ushtrie të NATO-s. Kontrata është lidhur në korrik, pak ditë pas humbjes së zgjedhjeve; përfituesi i kësaj kontrate është miku më i ngushtë i ministrit të Mbrojtjes Arben Imami (një Tiranë e tërë i njeh si vëllezër, si mendere e të mbathura ose si violinçelist e violinçel). Tamam ai, miku familjar i tij, biznesi i të cilit nuk ka pikën e lidhjes me prodhimin e uniformave të ushtrisë së një vendi anëtar të NATO-s.

Shifra të tilla: 200 milionë euro në 10 vjet në vetëm një konçesion; 18 milion dollarë në 7 vjet vetëm për një kontratë të një ministry janë ato që të bëjnë të dyshosh fort për një pushtet ekonomik të garantuar si produkti me i qartë i
korrupsionit te tranzicionit të pushtetit!

Ky është pushteti ekonomik i berishëve, ndërtuar në mënyre abuzive dhe vetëm me paratë e shqiptarëve!

Vini re: Nuk bëhet fjalë për biznese private të konsoliduara dhe të ngritura e zhvilluara me vete, pa favore e ndihmë të politikës! Ky pushtet duhet zhbërë! Menjëherë, që nga shtatori!

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)