Pushteti blihet, por historia Jo!

1
35


Nga Mero Baze

Bexhet Pacolli mund të zgjidhet sot President i Kosovës. Edhe pse ka disa dyshime optimiste tek integriteti i ndonjë deputeti të partisë së zotit Thaçi, frika se pushteti dhe paraja do triumfojë është një opsion më i sigurt. Në adresë të zotit Pacolli shtypi shqiptar ka rikujtuar gjithë dritëhijet e jetës së tij si biznesmen tipik, i cili ka përdorur konjukturat politike dhe pushtetet e korruptuara për t’u pasuruar. Në një kontekst më delikat, shtypi i Kosovës ka përmendur dhe deklaratat e tij më shumë se konfuze lidhur me raportet e Kosovës me Serbinë si dhe miqësitë e tij politike me familjen Milosheviç. Në fund si qershi mbi tortë shfaqet dhe kandidatja për zonjë të parë e Kosovës, një ruse, si dhe kompleksimi i kandidatit për president nga jeta e tij familjare.

Në mbrojtjen e tij publike, zoti Pacolli ka qenë i dobët. Deri më tani gjithë mbrojtjen e ka mbështetur tek lobistë të paguar. Deri tani alibia e tij publike që ai është burrë shteti janë një pensionist amerikan dhe një pensionist shqiptar. Pensionisti amerikan quhet William Walker, dhe është një emër tejet popullor në Kosovë pasi ishte aty para luftës si përfaqësues i Misionit të OSBE dhe denoncues i masakrës së Reçakut.

Gjithë pensionistët amerikanë që kanë qenë në pushtet e kanë legal lobizmin dhe askush nuk ua merr për të madhe, por dhe askush nuk i merr seriozisht veç shoqërive të pazhvilluara. Kosova për fat nuk është më një e tillë. Pensionisti i dytë është një ish- president i Shqipërisë, Rexhep Mejdani. Nuk dua t’i kthehem historisë së tij politike si president, por përpjekja e tij për tu sjellë si ish president është më banale se karriera e tij si president. Ndryshe nga një pensionist lobist amerikan, një ish president shqiptar për Kosovën nuk mund të sillet si klient e një studioje lobiste.

Si i tillë ai mund të sillet për ndonjë republikë afrikane apo ish republikë sovjetike, por jo për Kosovën. Shqipëria ka përgjegjësi për Kosovën edhe kur bën sikur nuk e ka mendjen tek hallet e saj. Sot në Kosovë po konstituohet qeveria më e dobët qysh nga çlirimi i Kosovës dhe ka shanse të vijë në krye të vendit modeli (jo njeriu) më anti-perëndimor, për të cilin asnjë shqiptar i Kosovës nuk do kishte tentuar të fitonte ndonjë herë lirinë nëse e dinte se do përfundonte nën udhëheqjen e tij.

Unë nuk kam asgjë personale me Bexhet Pacollin bile gëzohem që Kosova ka një biznesmen të pasur, nëse është vërtet i tillë. Por unë nuk mund të pranoj që në emër të shtetit tim, të Shqipërisë, një ish- president, i cili nuk më ka përfaqësuar as kur ka qenë president, të jap mbështetje publike për këtë model presidenti në Kosovë. Unë nuk e di çka thënë Pacolli në shtypin serb e kroat, pasi nuk di serbokroatisht, por kolegët e mi të Kosovës më kanë tmerruar me ato që kanë botuar.

Por më shumë se ata, mua më ka tmerruar në gjuhën shqipe Bexhet Pacolli në një intervistë në Top Channel me kolegun tim Mustafa Nano, kur fliste për Nursulltan Nazarbayevin e Kazakistanit si për Mesinë, rrugën e të cilit duhet të ndjekë dhe i pari i Kosovës. Kush nuk beson çfarë ka thënë, mund ta dëgjojë me zë në gjuhën shqipe dhe ta shikojë me figurë. Presidenti i mundshëm i Kosovës ofron si model udhëheqje, modelin e një diktatori të pështirë që ka eliminuar edhe fizikisht liderët e opozitës në vendin e tij, që është një ish komunist ekselent, që vazhdon të fitojë me nga 90 për qind në një vend ku zgjedhjet janë shaka. Këtë besoj e ka parë dhe dëgjuar edhe Rexhep Meidani.

Gazetat e Kosovës kanë botuar të dielën një koment të Rexhep Meidanit për figurën e zotit Pacolli si burrë shteti dhe kjo po paraqitet në Kosovë si mbështetje nga një ish- president i respektuar i Shqipërisë. Bile për ta bërë më qesharak Klubin e ish Presidentëve të Shqipërisë, në këtë dekor është përfshirë dhe ish Presidenti Alfred Moisiu. Ky është një banalitet që duhet ndalur. Unë nuk e ndal dot Bexhet Pacollin të bëhet president i Kosovës, por modelin e Nursulltan Nazarbayevit, të cilin ai e ka idhull, jam gati ta luftoj me çdo mjet deri dhe me kryengritje.

Mbrojtësit e zotit Pacolli po përpiqen të bëjnë rolin e të moderuarve, duke i quajtur akuzat për lidhje të Pacollit me Milosheviçin si patriotizëm i tepruar apo akuza keqdashëse, dhe duan të shtojnë se është krenari që një biznesmen shqiptar ka ndërtuar Kremlinin. Dhe ky është një spekulim i madh. Bexhet Pacolli është i përzgjedhur të ndërtojë Kremlinin jo si shqiptar, por si mik i familjes së Milosheviçit, si shtetas jugosllav me pasaportë zvicerane. E vetmja gjë që i është fshehur Kremlinit është kombësia e tij shqiptare, pasi me siguri do t’i prishte punë.

Por lidhjet e tij me familjen Milosheviç dhe politikën ruse janë çështje e biografisë së tij, e cila natyrisht duhet parë mirë. E rëndë në gjithë këtë histori është koncepti i tij për shtetin privat të Kosovës, për një shtet personal, i cili është i frymëzuar nga mënyra se si Nursulltan Nazarbayev drejton Kazakistanin, nga lehtësia me të cilën Nursulltan Jelcini i jepte një tender prej 200 milionë dollarësh një “miku” të vëllait të Milosheviçit, dhe nga natyrshmëria me të cilën një grusht njerëzish mund dhe hanë mish të zier nga kundërshtari i tyre politik në Liberi, shtetas i të cilës është Bexhet Pacolli.

Kosova ka nevojë për një model perëndimor në krye të saj, për një model që nxit lirinë ekonomike, nxit konkurrencën dhe transparencën, nxit zhdukjen e monopoleve dhe lulëzimin e tregut të lirë, që hap perspektivë për vlerat e Kosovës dhe jo për plehrat e Lindjes. Mbi të gjitha Kosova ka nevojë që këto modele të përfaqësohen dhe nga personalitet që janë në krye të saj. Qeveria e sotme e Kosovës është në mëshirë të pakicës serbe të zmadhuar artificialisht dhe të një presidenti që përfaqëson modelin më regresiv që vjen nga Lindja, atë të Nursulltan Nazarbayevit. Ky është një hap i madh mbrapa për një shtet të ri që u lind nga NATO dhe Perëndimi mes të tjerash dhe si sfidë ndaj modelit lindor që mbahej gjallë në Ballkan nga Familja Milosheviç me aleatë të vetëm Rusinë dhe republikat ish- sovjetike.

Dhe ndërsa natën e 12 qershorit 1999 rusët e morën me triumf dhe arrogancë aeroportin e Prishtinës, për të treguar se nuk e kishin humbur betejën, sot mund të marrin me qetësi dhe duartrokitje nga ish partia e UÇK-së presidencën e vendit. Zoti i ruajt, por dua tu them të mos llogarisin se Shqipëria i ka ndihmuar kësaj dite të pafat të tyre. Rexhep Meidani nuk është as ish President, por thjesht një emër në borderonë e ish- këshilltarit të tij dhe lobistëve të zotit Pacolli, i cili mendon se si çdo gjë tjetër dhe pushteti blihet. Mundet, por jo historia.

1 COMMENT

  1. Pushteti mund te blihet, por jo historia ?
    Mero, Mero!
    A deshron te dish se çfare thote HALLDOR KILJAN LAXNESS GUDJONSON, islandez, nobelist ne 1955. (1902-1998)
    Historia eshte gjithmon ndryshe nga ajo qe ka ndodhur, ka nje diference ndermjet shkrimatrit dhe historianit:
    I pari tregon genjeshtra per qejf, i dyti tregon genjeshtra duke menduar se thote te verteten

    Keni nje gje te perbashket me Laxness, ai thote:
    Lufta ka qene gjithmon argetimi kryesor i njerezimit. Argetimet e tjera jane nje surrogate e luftes.”
    ndersa ju: “por modelin e Nursulltan Nazarbayevit, të cilin ai e ka idhull, jam gati ta luftoj me çdo mjet deri dhe me kryengritje.”

Comments are closed.