Pushimet luksoze të Berishës dhe pushimet modeste të Sarkozisë, Kameron e Merkel

0
47

Sali Berisha prej disa ditësh pushon bashkë me familjen në plazhin e Dhërmiut. Akomodohet në vilën qeveritare bashkë me familjen, duke patur në dispozicion gjithçka, që mund të ketë një kryeministër alla-shqiptar. Shkon atje me helikopterin e qeverisë, vjen me të kur bën një mbledhje në Tiranë, ku flet për rekordin e notit me vetveten dhe sërish përdor helikopterin e shtrenjtë kur shkon sërish me pushime, që do të zgjasin deri në fund të muajit.

Lokalet duhet të ulin zërin kur fle ky njeri, dhe roje, policë e badigardë të paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë shpërndahen e mobilizohen gjithandej. Ky është shefi i qeverisë së vendit më të varfër të Ballkanit, ku kriza është këmbëkryq dhe populli është gjithnjë dhe më i varfër. Ndryshe nga shumë prej liderve të tjerë të Europës. P.sh. kancelarja gjermane që pushon në një hotel të thjeshtë italian, edhe pse është shefja e vendit më të pasur të Europës.

Apo kryeministri Kameron, që fluturon me kompaninë ajrore me çmim të ulët ‘Ryanair”, apo tek kryeministri spanjoll që ka vendosur të “pushojë” në shtëpi, sepse Spanja është në krizë ekonomike. Krahasimi i Berishës me këta liderë europianë tregon se çfarë qeveritarësh të përgjegjshëm kanë këto vende që janë në majat e përparimit ekonomik dhe demokratik dhe çfarë udhëheqësi autokrat ka vendi më i varfër i Europës.

Pushimet modeste të Sarkozisë
Me një roman të Simeon në njërën dorë dhe me tjetrën vendosur mbi barkun e fryrë të së shoqes, Presidenti francez, Sarkozi është duke kaluar disa ditë pushimesh dhe duke pritur të “rinjtë” e familjes së tij. Ai është me pushime në jug të Francës, edhe pse thotë se zyrtarisht nuk do të shkëputet nga të qenët në krye të punëve përmes telefonit dhe mjeteve të tjera të komunikimit.

Edhe ministrave të qeverisë së tij u ka thënë që thjesht të pushojnë dhe jo të shkojnë me pushime gjatë 3 javëve të ardhshme, në të cilat zakonisht të gjithë lënë Parisin për të shkuar në breg të detit ose përtej detit. Presidenti francez duket se kërkon që të japë idenë e një qeverie që vazhdon të jetë në komandë të situatës edhe gjatë ditëve të pushimeve.

Kryeministri britanik, fluturim me ‘Ryanair”

Një tjetër lider europian, David Cameron, Kryeministri i Britanisë së Madhe së bashku me bashkëshorten gjithashtu ka vendosur që të mos largohet shumë nga ishulli i tij, në të cilin së fundi është përballur me probleme shumë të mëdha. Kështu, me një fluturim me ‘Ryanair’, (që është një linjë ajrore me kosto shumë të ulët), është drejtuar drejt Italisë dhe Toskanës dhe pushimet i paguan nga xhepi i vet.

Ndërkohë, media britanike shkruan se nuk ishte nevoja që ai ta deklaronte se do t’i paguante paratë nga xhepi i vet, sepse siç thotë një fjalë e urtë: ‘Bëje një të mirë dhe mbuloje me heshtje’. Por politikanët nuk humbasin asnjë rast për të bërë publicitet dhe reklamë të asaj që në fakt nuk janë.

Kryeministri spanjoll, “pushime” në shtëpi

Kryeministri spanjoll, Zapatero, duke qenë se vendi i tij është në prag të zgjedhjeve të parakohshme për shkak të situatë së rëndë financiare, do të qëndrojë në shtëpi duke anuluar të gjitha planet që kishte bërë për një pushim jashtë vendit. Çështja e zgjedhjeve të parakohshme ka qenë e papritur, ndaj atij dhe familjes i është dashur që të ndryshojnë planet. Pastaj ai e di mirë se për të ka shumë të ngjarë që pas zgjedhjeve të përgjithshme pushimet të jenë shumë të gjata, duke qenë se nuk ka gjasa që ai dhe partia e tij të votohen nga spanjollët e frustruar, të varfëruar dhe të inatosur.

Kancelarja gjermane, në hotelin e thjeshtë italian

Modeli më virtuoz i pushimeve vjen nga Gjermania dhe vetë Kancelarja Merkel, e cila për të pushuar ka zgjedhur një hotel të thjeshtë me 4 yje në Itali, në zonën e Alto Adixhes. Kancelarja, që megjithatë është në krye të vendit të vetëm europian që nuk ndodhet në krizë ekonomike, ka prenotuar për disa ditë një dhomë me dy shtretër për 90 euro në ditë, pi ujë rubineti dhe thonë se kënaqet me një panine me wusrster me vlerë 1 euro. Është më e përkora nga të gjithë, dhe ndoshta duke e tepruar paksa.

Shekulli