Kristi Pinderi, 29.04.2011
Pasditen e djeshme, në ambientet e hotel “Rogner” të gjithëve atyre që po festonin 73- vjetorin e Mbretëreshës Beatris së Holandës, gjatë një kokteji të organizuar nga Ambasada e Holandës në Tiranë, u ka bërë shumë përshtypje mungesa e Bashës dhe bashkëshortes së tij shqiptare me shtetësi holandeze.
Historitë në lidhje me shtëpinë e tij në Utrecht dhe në lidhje me të kaluarën e tij në Holandë, ishin një nga bisedat më kurioze mes të pranishmëve në mbrëmjen e djeshme në “Rogner”. Po çfarë ndodhi? Z. Basha dhe zonja e tij, munguan!
Deri vonë ai dhe Aurela Isufi (bashkëshortja) ishin ndër të ftuarit kryesorë të diplomatëve holandezë në Tiranë. Mosprania e tyre në përvjetorin e Mbretëreshës së Holandës ngjall habi.
“Me siguri do të jetë i zënë me fushatën elektorale”, – i tha “Shekullit”, Ambasadori i Holandës, z. Henk Van Den Dool, “por znj. Jozefina Topalli ishte këtu, e patë?”, – shtoi ai duke nënqeshur…
Basha dhe bashkëshortja e tij ishin të ftuar të përhershëm të Ambasadës Holandeze në Tiranë, sidomos gjatë festave që organizoheshin me studentët shqiptarë që kishin studiuar në Holandë. “Sidomos zëvendësambasadori në atë kohë, z. Cas Van Der Horst ishte entuziast për t’i ftuar ata dhe madje për t’i ndihmuar të lançoheshin në Shqipëri si të rinj që ishin formuar në Holandë”, – tha një prej ish-punonjësve të kësaj ambasade që kërkoi të mbetej anonim.
Ish-zëvendësambasadori që përmendet më lart, ishte në fakt një personazh i njohur në mes të botës së ndërkombëtarëve të asaj kohe në Shqipëri. I njëjti person, që pas Shqipërisë shkoi si diplomat i Holandës në Afrikën e Jugut, e ndjeu i pari që z. Basha u politizua shumë më tepër e në një mënyrë shumë të dyshimtë, aq sa e njëjta përkujdesje ndaj tij deri në momentin kur u bë pjesë e PD-së, u shndërrua më pas në një tentativë për ta mbajtur larg nga ambasada. Po jo aq sa të mos ftohej në eventet e rëndësishme, si dje, për shembull…
Bisedat për ato që janë botuar së fundmi për jetën e Bashës në Holandë dhe dyshimet e forta për falsifikime shoqëruar me përgjigje disi të pabesueshme të protagonistëve, ishin temë e bisedave miqësore mes të pranishmëve.
“Ju e kuptoni që unë nuk mund të prononcohem për të tilla çështje, apo jo?”, – tha ambasadori z. Van Den Dool. “Ju jeni mjaftueshëm protagonist dhe shumë i ndjeshëm ndaj kauzave të drejta në këtë vend”, – ishte reagimi i gazetarit të “Shekullit”, i cili mori si përgjigje nga ambasadori fjalinë të thënë si me humor: “patjetër, mund të ketë dhe ndonjë ambasador të madh nga ndonjë vend i vogël në Shqipëri, apo jo…?”
Festa e Ambasadës Holandeze jepej mbrëmë për nder të Ditëlindjes së Mbretëreshës Beatris. Folëm me një prej diplomatëve të pranishëm rreth skandalit të botuar nga “Shekulli” në lidhje me kredinë e z. Lulzim Basha dhe me shit-blerjen e shtëpisë së tij në Utrecht. “Atë vit, në 2001, edhe unë që kisha një punë të sigurt, një rrogë të mirë e isha qytetar i Holandës me prindër aristokratë, nuk do të kisha asnjë shans të merrja një kredi aq të madhe, ndaj më duket pafund e çuditshme e gjithë kjo histori që ju po botoni në lidhje me z. Bashën”, – tha ai.