Psikovampirë janë njerëzit që na marrin energjinë pozitive

0
57

06.07.2010

Intervistë ekskluzive me Dr. Hamid Peseschkian, psikoterapist, autor i librit “Psikovampirët”

Rudina Xhunga: Në Shqipëri, ashtu si kudo në botë, është koha e stresit, e krizave dhe për to flitet me shumicë. Në verë këto duket sikur shtohen. Libri juaj, “Psikovampirët”, tregon edhe mënyrën se si mund të trajtohen probleme të kësaj natyre.

Hamid Peseschkian: Në fakt ne ndeshim shpesh dy probleme: në politikë dhe në shoqëri, të cilat janë më të vështira për t’u ndryshuar. Por shumë probleme zhvillohen nga marrëdhëniet tona njerëzore. Dhe puna jonë në këtë libër i referohet pikërisht këtij problemi, pra marrëdhënieve ndërnjerëzore: sfidat që kemi në punë, në marrëdhëniet tona, lidhjet me miqtë, shokët, familjen etj. Parë kjo në perspektivën e psikoterapisë pozitive, përcjell disa teknika të dobishme në këtë aspekt.

Rudina Xhunga: Në fakt ka shumë njerëz që nuk e dinë se çfarë është psikoterapia pozitive. Çfarë është ajo?

Hamid Peseschkian: Psikoterapia pozitive është një metodë e re psikoterapeutike, e cila përpiqet të shohë aspektin pozitiv te problemet, duke u fokusuar tek aftësitë që qeniet njerëzore duhet të kenë në mënyrë që të merren me këto probleme dhe t’i trajtojnë ato. Le të themi se nëse dikush është në depresion, ne mund të themi se ai ka një dëshirë që të jetë në praninë e shumë njerëzve, pra është një njeri shumë emocional e kështu që ne lëmë mënjanë konfliktin dhe i kthehemi aftësisë dhe kapacitetit të tij.

Rudina Xhunga: Ju ka ndihmuar personalisht psikoterapia pozitive në jetën tuaj?

Hamid Peseshkian: Siç mund ta dini, babai im ka qenë themeluesi i kësaj metode, prandaj që kur ishim fëmijë, ne jemi rritur me këtë koncept. Por sigurisht jeta ka gjithmonë sfida dhe çështje të ndryshme ku diçka si kjo, pra si psikoterapia pozitive, është e dobishme. Ne shpesh gjendemi në situata ku nuk shohim më shpresë, por të menduarit sipas psikoterapisë pozitive na ka ndihmuar që t’ua dalim këtyre sfidave ku jemi gjendur.

Rudina Xhunga: Flasim pak për babain tuaj, i cili është themeluesi i njohur i psikoterapisë pozitive. Ai është ndarë nga jeta pak javë më parë (shpreh ngushëllimet e mia). Çfarë po bëni ju? Jeni në rrugën e tij? Jeni i frymëzuar për atë çka ai bëri?

Hamid Peseshkian: Po, siç ju e shikoni, çdokush në jetë duhet të ndjekë udhën e tij. Ne kemi një akademi të gjerë ndërkombëtare me bazë në Gjermani, që ka qendra në rreth 20 vende të ndryshme të botës. Një prej tyre ekziston edhe në Tiranë dhe njerëzit po trajnohen e po punojnë me anë të metodologjisë së psikoterapisë pozitive.

Rudina Xhunga: “Psikovampirët” është një libër i juaji, i cili flet për “grabitësit e energjisë”. Kush janë ata e mbi të gjitha kush janë më të rrezikshmit?

Hamid Peseschkian: Në fakt të gjithë ne kemi afër njerëz që na marrin energjinë tonë, na e largojnë atë ndoshta edhe pa pasur kontakte me ta. Ata mund të arrijnë të na e marrin energjinë. Pyetja që shtrohet është se, pse diçka e tillë na ndodh? Pse një njeri tjetër ka fuqi kaq të madhe ndaj nesh, sa të na e marrë energjinë? Për shembull, ti je duke qëndruar e qetë në një dhomë dhe hyn dikush që papritur të bën të ndjehesh e stresuar. Këta njerëz variojnë nga miqtë, familjarët, kolegët etj.

Rudina Xhunga: Si mund ta kuptojmë më përpara se personi që kemi përballë është një psikovampir dhe mandej ta shpëtojmë veten nga energjia negative që ai na jep? A janë kaq të rrezikshëm sa e kanë emrin?

Hamid Peseschkian: Çështja qëndron se energjia në jetën tonë është e kufizuar, nuk është vetëm koha jonë, por është edhe energjia jonë e kufizuar. Kështu, kur kemi një njeri me të cilin duhet të takohemi një herë në javë, por ai na merr gjithë energjinë gjatë këtij takimi, atëherë realisht kemi një problem. Ose kur ju punoni 10 orë në ditë, ndjeheni komode dhe kur shkoni në shtëpi, pas 10 minutash ndjeheni të lodhur e ju duket sikur gjithë energjia ju ka ikur, diçka ka ndodhur. Prandaj mendoj se këta psikovampirë janë veçanërisht të rrezikshëm për ne. Por ka një mënyrë se si t’i trajtosh këta psikovampirë dhe aspekti kryesor është së pari t’i identifikosh ata. Le të themi që ata mund të kenë një maskë ose kapele pas të cilave fshihen dhe kjo më ka ndihmuar në fakt. Sa herë që i kuptoj, është njëlloj sikur u vendos një tabelë në ballë dhe e di: ky është një psikovampir. Kështu, kur i takoj ata, jam pak më i kujdesshëm. Gjëja kryesore dhe koncepti në këtë libër është se zgjidhja më e mirë nuk është t’i heqësh qafe të gjithë këta psikovampirë, sepse nëse një psikovampir ka ikur, një tjetër do të vijë. Por aspekti pozitiv është që këta lloj psikovampirësh më ndihmojnë të identifikoj ata që do të vijnë së shpejti rreth meje. Kjo më ndihmon për të kuptuar pse dikush ka këtë lloj fuqie tek unë dhe në momentin që e identifikoj një person të tillë, praktikisht i bie që jam bërë imun në mënyrën se si i trajtoj njerëzit e tjerë dhe merrem vesh me ta.

Rudina Xhunga: A mund të jenë psikovampirë njerëzit tanë të dashur?

Hamid Peseshkian: Ndonjëherë ata na duan më shumë se sa duhet. Kryesisht duket sikur ndezin diçka e cila ka qenë e përgjumur brenda nesh dhe menjëherë zgjohet. Në psikologji ne flasim për një konflikt bazë, i cili ka ekzistuar vite më parë dhe vampiri thjesht në atë sekondë shtyp butonin, dhe unë reagoj ndaj këtij butoni. Në Gjermani ka qenë një libër i famshëm që titullohet “Me një burrë tjetër gjithçka do të jetë më mirë”, por sigurisht zgjidhja nuk është të gjesh një bashkëshort tjetër, nëse ndryshimi nuk fillon nga vetja. Është e njëjta gjë kur disa njerëz duan të heqin qafe psikovampirët, por në fakt duhet parë cili është problemi që kam unë, që ky psikovampir shfaqet në këtë mënyrë rreth meje. Kjo do të thotë që jam unë ai që duhet të udhëheq jetën time e jo të vendosë dikush tjetër për mënyrën se si duhet të ndjehem unë.

Rudina Xhunga: Atëherë ne arrijmë të identifikojmë psikovampirin. Si do e prodhojmë kundërhelmin? Ju përdorni pikërisht këtë term në librin tuaj. Kundërhelm ndaj vetes, apo të tjerëve?

Hamid Peseshkian: Mendoj që ka dy hapa. Së pari, ne marrim hapin e dytë shumë herët. Hapi i dytë do të ishte të ndërmerrnim disa gjëra praktike, për shembull si ta heqim qafe këtë person, si të minimizojmë kontaktet me këta persona, apo gjëra të kësaj natyre. Por gjëja e parë që duhet parë realisht është se çfarë është duke thënë ose menduar ky person për mua, sepse shpesh themi që nuk është një problem për mua, por për disa arsye psikovampiri e gjen që ky është një problem në fakt. Por pasi e kam identifikuar atë nga vetja ime, nëpërmjet librit, nëpërmjet psikoterapisë apo psikologut, atëherë vjen faza e të praktikuarit. Për disa njerëz është më e thjeshtë të trajtohen nëse janë në grup. Le të themi që ju keni një teze apo gjyshe që është e vështirë dhe për sa kohë është në grup, gjithçka është në rregull, por nëse do të duhet të udhëtosh dhe të rrish për dy javë vetëm me të, atëherë do të ishte e vështirë për ty. Pra, shpesh këto janë ato hapat praktike që vijnë nëse ne kemi qartësuar aspektin psikologjik.

Rudina Xhunga: Kush është psikovampiri më i rrezikshëm, ai i llojit vërtet më të rrezikshëm, që na dëmton më shumë e që na merr më shumë energji?

Hamid Peseshkian: Kjo në fakt është një pyetje e mirë. Mendoj që psikovampiri më i rrezikshëm është ai të cilin unë e perceptoj që po më vë në diskutim mua si qenie njerëzore. Pra, pasi takohem me një person të tillë, i cili ndoshta më thotë që nuk jam i mirë profesionalisht, që duhet të ndryshoj jetën time, që nuk jam një bashkëshort i mirë dhe gjëra të tjera të kësaj natyre, pra nëse më vë në diskutim tërë qenien time si person, shpesh ai mund të na çojë në një gjendje ku ndjejmë se nuk dëshirojmë të jetojmë më. Por një tjetër psikovampir i rëndësishëm është vetja jonë. Unë mund të jem një person i vështirë për të tjerët, por mund të jem një person i vështirë për veten time. Mund të ngjajë si paradoks, por unë nuk po jetoj vetëm me të tjerët, por edhe me veten time. Për shembull, a e kritikoj unë gjatë gjithë kohës veten time? A nuk jam në gjendje ndoshta të pranoj arritjet që kam kryer në jetën time? Shpesh herë kjo është më e keqe sesa të të kritikojnë të tjerët.

Rudina Xhunga: Ndërsa ju dëgjoj, mendoj se jam një psikovampire e mirë ndaj vetes sime (qesh).

Hamid Peseshkian: Një zgjidhje e mirë për ta zbuluar këtë gjë është: kur personi nuk ka frikë nga përgjigjja që do të marrë, është mirë të pyesësh njerëz të tjerë. Te pyesësh për shembull partnerin, fëmijët, miqtë si ndihen në praninë tuaj. T’i pyesësh: “Ju jap, apo ju marr energji”? Por duhet të jeni të kujdesshëm, pasi shumë njerëz kanë frikë prej nesh e nuk na japin përgjigjen e duhur e të drejtë. Dhe kyçi për këtë është vetëreflektimi. Mendoj se rreth 90% e popullatës, të paktën në vendet ku unë kam qenë, nuk reflektojnë rreth vetes së tyre. Ata thonë se jeta është kështu siç është, ose duhet të më pranoni ashtu siç jam, kjo është natyra ime etj. Por që të shkojmë pak më thellë te problemi, marrim si shembull nëse unë do kisha dëshirë të martohesha me dikë si vetja ime. A do kisha dëshirë të punoja me një njeri si vetja ime në të njëjtën kompani?

Rudina Xhunga: Por njerëzit nuk i bëjnë këto biseda, nuk i thonë këto gjëra kaq të thjeshta. Njerëzit thonë gjëra kaq shumë të vështira: për luftën, për krizën dhe nuk flasin për gjëra të thjeshta, të tipit kush jam unë për ty.

Hamid Peseshkian: Ky është një problem i madh, por kjo gjë fillon që me shkollat, ku mësojmë gjithçka, përveç gjërave të rëndësishme që kanë të bëjnë me marrëdhëniet njerëzore. Ne mësojmë matematikë, gjuhë etj. Gjëja tjetër është se nëse unë mendoj për veten time, është e vështirë, sepse unë mund të zbuloj diçka e cila mua s’do më pëlqejë, që më kthehet më pas në problem. Prandaj është më e thjeshtë të flasësh për të tjerët, se për veten tënde.

Rudina Xhunga: Komunikimi në fakt është çelësi. Si ju duken shqiptarët me kaq pak njohje sa ju keni? A janë njerëz që komunikojnë, njerëz që zhurmojnë, njerëz që flasin, apo njerëz që ulërijnë?

Hamid Peseschkian: Kjo është hera ime e parë në Shqipëri, por kam qenë tri herë të tjera në Kosovë dhe jam ndarë tepër i impresionuar nga njerëzit. Mendoj që shqiptarët kanë këtë kombinim të disa aspekteve të Lindjes e disa aspekte të Perëndimit. Pra, janë shumë të komunikueshëm, familja për ta është shumë e rëndësishme, ata kanë shumë kontakte, pinë shumë kafe e nga ana tjetër puna për ta është e rëndësishme, dëshirojnë që të kenë arritje. Pra, mendoj që është një kombinim unik ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes.

Rudina Xhunga: Dhe kthehem përsëri te psikoterapia pozitive që ju, siç e përshkruani në libër, e tregoni për një model balance. Pse ky model është i rëndësishëm? Pse ky model është i këshillueshëm? Ç’është balanca?

Hamid Peseschkian: Ideja kryesore është se ekzistojnë katër aspekte në jetë, ku ne mund të vendosim energjinë tonë. Së pari është shëndeti ynë, së dyti puna jonë, një prej tyre janë miqtë tanë dhe familja jonë dhe tjetra është pyetja: Për çfarë po e bëj unë të gjithë këtë? Zakonisht për familjen dhe edukimin ne mbitheksojmë një aspekt të kësaj, për shembull puna. Kam punuar gjithë ditën, ma kanë çmuar punën dhe kjo ecën kështu për shumë vite me radhë. E pastaj diçka ndodh në punën time dhe e gjithë jeta ime shembet. Ose e gjithë energjia ime është te fëmijët dhe ata ikin pastaj diku, largohen. Ideja e ekuilibrit është që ne duhet të vendosim rreth 25% të energjisë sonë, jo të kohës sonë, në secilën nga këto aspekte. Pra 25% e energjisë për shëndetin, punën, familjen dhe miqtë dhe 25% për të reflektuar në lidhje me jetën, për të menduar për të ardhmen e kështu me radhë. Dhe këta njerëz janë shumë më të qëndrueshëm, ose më tepër imunë për ngjarje të së ardhmes. Është njësoj si të qëndrosh mbi katër këmbë apo thjesht mbi një këmbë. Pa dyshim që ekuilibri është më i madh kur ke katër këmbë.

Rudina Xhunga: Megjithatë, shpesh herë njerëzit zgjedhin të qëndrojnë në një këmbë. Mbi cilën këmbë preferojnë ata të qëndrojnë më shpesh?

Hamid Peseschkian: Varet nga kultura. Ne kemi bërë vëzhgime në rreth 25 kultura të ndryshme dhe kemi zbuluar se në kulturat perëndimore zakonisht njerëzit vlerësojnë punën dhe shëndetin, kështu që ata punojnë gjithë ditën e më pas preferojnë të çlodhen. Ndërsa në kulturat orientale njerëzit vlerësojnë familjen, lidhjet e tyre dhe çështjen filozofike fetare dhe në vendet që qëndrojnë midis këtyre të dyjave njerëzit vlerësojnë zakonisht familjen dhe punën.

Rudina Xhunga: A duhet të mësojnë këto vende apo kultura nga njëra-tjetra dhe çfarë është mirë të mësojnë në mbajtjen e kësaj balance?

Hamid Peseschkian: Mendoj se është shumë e rëndësishme kjo që ju po thoni, sepse në fakt, krejt papritur ne mund të mësojmë nga secila kulturë. Pra, një aspekt i psikoterapisë pozitive është që të bëjmë një kontribut të vogël në unitetin e shoqërisë njerëzore. Dikush mund të thotë që secila kulturë që nuk e njeh është kulturë e mirë, pra nuk di nga pikëpamja se çfarë mund të mësoj prej këtyre kulturave për jetën time. Për shembull, gjatë qëndrimit tim në Tiranë kam diskutuar se si është e mundur që në Shqipëri njerëzit janë duke punuar, por në të njëjtën kohë kanë kaq shumë kohë për të pirë kafe, për t’u takuar me njëri-tjetrin. Në Gjermani kjo gjë nuk ndodh.

Rudina Xhunga: Ndërsa ju dëgjoj, unë shoh që më pëlqen, do të doja t’i nënshtrohesha psikoterapisë pozitive. Por pyetja ime është se për çfarë mund të më ndihmonte mua psikoterapia? Për të më rritur, sidomos vetëvlerësimin? (qesh)

Hamid Peseshkian: Mendoj që ju nuk keni nevojë kaq shumë për të (qesh), por mendoj që shumë njerëz të tjerë realisht kanë. Mirëpo do të thosha që ne e marrim vlerësimin tonë nga katër burime: nga trupi, nga paraqitja e jashtme, nga puna, nga familja dhe miqtë e ndoshta edhe nga besimi fetar dhe koncepti për jetën. Por zakonisht ndodh që ne zhvillojmë një frikë dhe në këtë aspekt potenciali im nuk është zhvilluar si duhet. Kështu, duke zhvilluar më shumë aspekte, kemi më shumë shtylla të cilat na japin vetëvlerësim, që mbajnë të gjithë vetëvlerësimin tonë më tej dhe më pas vjen dikush si psikovampiri dhe kritikon punën time për shembull, dhe pastaj nuk kam më nevojë të vë në diskutim jetën time, pasi kam burime të tjera që mbështesin vetëvlerësimin tim.

Rudina Xhunga: Ishte kënaqësi që mundëm të flisnim për gjëra të bukura, për gjëra që mund t’i ndihmojnë njerëzit. Kjo është gjëja më e rëndësishme, që njerëzit të zbulojnë më të mirën te vetja, apo jo? Dhe jeta do të ishte më e mirë pa luftëra pastaj.

Hamid Peseschkian: Kjo është një arsye pse kjo metodë është prezantuar në më shumë se 70 vende. Nga njëra anë është një instrument profesional, nga ana tjetër shumë njerëz e kanë gjetur atë shumë të dobishme për jetën e tyre dhe shpesh ne e përdorim këtë që të trajnojmë njerëz që u përkasin institucioneve qeveritare, në shkolla, mësuesë, klientë etj.