Pse voton Asambleja e OKB

0
32

nga MENTOR NAZARKO, 10.08.2010

Ka edhe një çështje tjetër në Kosovë që po dominon debatin publik, përveç asaj nëse duhet apo jo një rezolutë e re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Çështja e dytë, që e trajtuam në një shkrim të mëparshëm po zë hapësirën më të madhe të diskutimit, megjithëse zhvillimet që vijnë prej saj, apo vetë trajtimi i saj është më i vonshëm. As Rusia nuk duket e gatshme të miratojë ndryshimin e statusit të Kosovës në shtet të pavarur, por as SHBA-të nuk duken të gatshëm ta zgjidhin shpejt këtë çështje, duke i afruar Rusisë diçka në këmbim.

Çështja e parë në radhë kohore është: pse është i rëndësishëm sesioni i 65-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara?

Siç mund të shikohet nga numri i madh i artikujve në shtypin ndërkombëtar, ky sesion, rezultati i tij, është shndërruar në një problem me rëndësi globale. Asambleja është skena e botës, teatri botëror, ku ka shumë protagonistë që luajnë në të, megjithëse fuqitë e mëdha i tërheqin të gjitha fijet kur duan. Britania e Madhe e kërcënon Serbinë pse paraqiti rezolutë të re, Rusia e mbron Serbinë, ndërmerren inkursione diplomatike për të lobuar nga të gjitha palët.

Lufta është globale: kush merr shumicën e shteteve të botës, rezoluta serbe, apo kundërshtarët e saj që mund të prezantojnë një projekt tjetër? Edhe vetë Fuqitë e mëdha fitojnë autoritet shtesë nga një betejë e tillë, që do ta përdorin në beteja të reja. Po shtetet drejtpërdrejt të interesuara si Serbia dhe Kosova ç’fitojnë?

Nëse linja serbe fiton, duket sikur asnjanësohen efektet publike të mendimit këshillimor të GJND. Serbia mund t’ia fillojë me një forcë të re pretendimet e veta në rrafsh global. Ajo do të shtojë pretendimet para se të bëjë një lëshim të ri. Nëse s’është e vërtetë që Serbia kërkon faljen e borxheve të saj për ta njohur Kosovën, Serbia pretendon të fitojë diçka.

Për çdo lëshim, një përfitim! Për këtë arsye Serbia po zhvillon presion dhe tek shtetet që e kanë njohur Kosovën si për shembull Maqedonia. E bën këtë, megjithëse beteja është e vështirë, në kufijtë e të pamundshmes, siç tha ministri i Jashtëm Jeremiç. Që tani ky ministër ka takuar në OKB në një javë 40 shtete, pa folur për emisarët që janë dërguar në 55 shtete të tjerë.

Diskutimi për rezolutën është një test i rëndësishëm për atë sesa shtete janë të gatshëm ta njohin Kosovën, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nëse një vit më parë, kur Asambleja pranoi kërkesën serbe për t’i kërkuar mendim GJND-së, u duk se numri i shteteve të gatshëm ta njihnin Kosovën ishte i vogël, këtë herë nuk duket të jetë kështu. Për fitoren e Kosovës nuk duket e interesuar vetëm ajo, por edhe miqtë e saj. Lufta është globale.
Diskutimi për rezolutën nuk lidhet me ndonjë pasojë imediate juridike të saj as për njërën, as për tjetrën palë. Por rritet probabiliteti që shumë shpejt të kemi efekte juridike, ndërkohë që efektet politike do të ishin imediate.

Nëse pala serbe mundet, atëherë ajo s’do të ketë më argumente me vlerë globale për pretendimin e saj për Kosovën. Askush s’do të ketë më dëshirë ta dëgjojë të ankohet. Askush s’do ta presë në inkursionet e saj anti njohje. Reputacioni i saj ndërkombëtar do të goditet shumë. Në planin e brendshëm, kundërshtarët e saj do të fitojnë më shumë hapësirë. Nuk dihet nëse mund të shkohet në krizë qeveritare, por me siguri do të shtohen shumë zërat kritike ndaj Qeverisë. Në shtator pritet të lirohet dhe Sheshelj dhe ky do të jetë me siguri një zhvillim që i turbullon ujërat në Serbi.

Përveç faktit që çfarë e humb Serbia, e fiton Kosova, çfarë mbetet tjetër?
Në këtë lojë s’ka dyshim dhe Kosova ka interesin e vet jetik të drejtpërdrejtë. Diskutimi për rezolutën është maksimumi i publicitetit, për një shtet të vogël si Kosova do të prodhojë kështu një lajm global. Si shtet i ri, Kosova kalitet në beteja të tilla që s’janë të politikës së brendshme, por me vlerë globale.

Ajo vë në provë, stërvit administratën e vet diplomatike në veçanti, klasën e vet politike. Në rast fitoreje të Kosovës, vendimi pro saj do të kapitalizohet në tërësinë e akteve që shënojnë lindjen e një shteti me mami ndërkombëtare. Në rast fitoreje, në një mbledhje të ardhshme të Këshillit të Sigurimit, Kosova, miqtë e saj nuk do të depozitonin thjesht dhe vetëm një akt pa fuqi detyruese, si mendimi këshillimor i GJND, por dy: dhe rezolutën e Asamblesë.

Në shtator Kosova do të arrinte të kuptonte sesa shtete janë të gatshëm ta njohin, megjithëse Asambleja nuk do të vendosë sot pranimin e Kosovës në OKB. Në këtë perspektivë, arritja e një shumice të thjeshtë është një fitore e madhe. Arritja e një shumice prej dy të tretash është një fitore absolute! Dy të tretat e anëtarëve të OKB-së vendosin në rastin e miratimit të rekomandimit të Këshillit të Sigurimit për të votuar anëtarësimin e një shteti të ri.

Çështja e anëtarësimit të një shteti të ri është një nga pak rastet kur Asambleja ka rëndësi vendimtare, edhe pse jo si faktor i parë, por pas Këshillit të Sigurimit. Këto shtete mund të mos e njohin Kosovën në plan dypalësh, por kjo s’ka asnjë rëndësi përballë votës së tyre pro. Mali i Zi mund të ketë pak më shumë njohje dypalëshe se Kosova, por ama është anëtar i OKB-së, pikërisht prej vendimit të përbashkët të Këshillit të Sigurimit plus Asamblenë e KB-së.

Në planin e brendshëm Kosova ka të drejtë të reagojë më vendosmërisht ndaj provokimeve serbe nëpërmjet institucioneve paralele. Ajo fiton stabilitet në të gjithë planet.

Për gjithë këto arsye pro dhe kundër saj, Kosova duhet të ketë, apo ta shpallë nëse e ka, pjesën publike të strategjisë për mbledhjen e ardhshme të Asamblesë. Të dërgojë në Nju Jork para se të mblidhet Asambleja, një ekip të madh jo thjesht zyrtarësh të vet. Edhe sikur tre krerët e shtetit me ministrin e Jashtëm të shkojnë në OKB, bashkë me homologët e Shqipërisë janë pak.

Të takohen 192 delegacione në pak ditë, duket objektiv i pamundur edhe për të dy shtetet shqiptarë të mbledhur së bashku, nëse lobimi bëhet thjesht prej institucioneve dhe nuk përfshihen individë të shquar të kombit tonë, miq ndërkombëtarë nga arti, apo çdo individ me reputacion ndërkombëtar.

Nëse Kosova fiton në Asamble me mbi dy të tretat, pra me rreth 135 vota, ky votim përbën një mekanizëm të fortë presioni mbi anëtarët me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit. Atëherë do të kemi lojë të re për rezolutën anti 1244, që do t’i jepte forcë detyruese vendimit të GJND dhe do ta shpallte Kosovën si shtet që do paqen. Ja kjo është një përgjigje edhe për çështjen e dytë dhe që i lidh me njëra-tjetrën rezolutën e re detyruese të Këshillit të Sigurimit me rezolutën e Asamblesë së OKB-së, pa vlerë detyruese.