nga Preç Zogaj, 01 Prill 20103
Nga libri i Zogajt “Të gjithë nëpër vendet e tyre”.
Pjesë nga kapitulli i katërt
Diçka lëviz në kthinat e qeverisë dhe qeverisjes, diçka po mbruhet në prapavijën e saj…
Për të vëzhguar lëvizje të tilla, rasti ka vënë atje Mero Bazen, një gazetar. Në pamje të parë, sapo ke thënë për të këtë gjë, i ke thënë të gjitha. Ai ka kryer studimet e larta për gjeologji në fund të viteve nëntëdhjetë, por ka punuar gjithnjë në një gazetë apo në një agjenci lajmesh, apo në të dyja njëkohësisht, herë si drejtor, herë si analist dhe reporter. Dy gjëra nuk ka ndryshuar në moshën e pjekurisë ky njeri: profesionin e gazetarit dhe lidhjen e afërt me Sali Berishën.
Lidhja e tij me Sali Berishën duket profesioni i tij i vërtetë. Në këtë “profesion”, që nuk shihet e nuk përshkruhet, megjithëse e ushtron në kohë të plotë, ai punon falas, për kënaqësi, për sedër, për ideal- hajt ta gjesh!
Është këshilltar? Deri para riardhjes së Berishës në pushtet, thënë ndryshe, gjatë gjithë kohës në opozitë, Baze edhe ka qenë, edhe nuk ka qenë këshilltar i Berishës, në kuptimin që ka qenë me shumë se këshilltar, por krijonte edhe vetë qëndrime dhe veprime në emër dhe për llogari të shefit të opozitës, duke i dhënë fantazi, por jo thyerje, stonaturë apo shpërdorim stilit dhe autoritetit të tij.
Besoj, për Berishën, Baze ka qenë një alterego, që spikaste si i tillë sidomos në periudhat e vështira të vetmisë dhe braktisjes, që ishin të shpeshta dhe të zgjatura. Kurse Baze kishte gjetur te kryetari i PD-së një si kala të inteligjencës së tij natyrore.
Në shenjën e një centauri, hem zagorit dhe hem lab, hem gazetar, hem politikan, me një trup pak mbi mesataren dhe me një pamje që do ta kishte venë në mendime Balzakun po ta kishte parë, pa statusin e Karl Rove në stafin e Xhorxh Bushit të Ri, ai është prej vitesh një lloj Rove në ekipin e Berishës. I pjell mendja për zgjidhje dhe marifete të ndryshme, por krahasimi çalon, si çdo krahasim, sepse në të vërtetë Mero Baze nuk është sa Rove kur është fjala për të shtyrë thikën e ndyrësive politike, por ndërkaq është me shumë se Rove si gazetar, si editorialist, si polemist, si luftëtar, si besnik pa kushte, deri në vetmi, deri në mjerim i ideve dhe qëndrimeve të veta.
Në këtë pikë, “i pamposhturi”, siç quhet në rrethet miqësore të mediave, por edhe në rrethet armiqësore ku qëllon t’ia njohin këtë dhunti, Mero Baze shpalos edhe një dimension tjetër, që e tregon njëlloj fanatiku të lirë, domethënë të palidhur me fijet dhe gjalmat e fanatizmit partiak e doktrinar. Duke pasur aparencën e një berishisti, ai ka njëkohësisht statusin e dikushit që mund të veproje dhe vepron edhe në mëvetësi, jashtë vullnetit apo shijeve të mikut të tij. Ai është shembulli apo ilustrimi i sentencës se ka ditë kur opozitarizmi si artikulim mund të jetë edhe një njeri. Ai ka zënë herët një vend të pazakontë në skakierën shqiptare të opozitarizmit: dikush që është aty për të shkruar dhe njëkohësisht për të bërë histori. Kjo e ka dyfishuar fuqinë e tij.
Me sa di unë – dhe duket se di të vërtetën në këtë pikë – ai nuk ka abuzuar asnjëherë me pushtetin e opozitës për interesat e veta. Edhe kur i është dashur të përdorë ndonjë rrenë apo rreng të vogël, e ka bërë për interesin e përbashkët. Nëpërmjet korrektësisë dhe mosshpërdorimit të lidhjeve me Sali Berishën, Mero Baze ruante imazhin e opozitarit të papërlyer. Kjo vetëdije e lejonte të ndihej dhe të sillej si gjykatës, herë-herë i epërm, i mangësive, veseve dhe ceneve politike të njerëzve në krye të PD-së.
Në të vërtetë, Baze e mprihte penën edhe brenda familjes politike, pikësëpari, sepse mendonte se shkundja i bënte mirë opozitës. Por, në këtë lloj gjuetie ndihej edhe kushtrimi i profesionalizmit, i dhuntisë.
Ai e dinte se shkaku pse opozita kishin me shumë popullaritet se sa vota lidhej me faktin se vendi ishte lodhur e zhgënjyer me socialistët dhe priste opozitën, por kjo nuk kishte ende besueshmërinë, programin dhe njerëzit që sendërtojnë ndryshimin. Për këtë arsye, Baze qe përfshirë me të gjitha forcat në operacionin politik të rikthimit në PD të të larguarve. Krijimi i KOP-it kishte qenë një front tjetër i përkushtimit dhe humorit të Bazes. Më kujtohej si nënqeshte here pas here ditën e promovimit në hotel “Tirana” të kësaj shpikjeje të mirë, por që po vihej në jetë keq. Baze edhe skërmitej ndonjëherë si pa vetëdije me ndonjë skenë apo episod, që ai kishte mundësi ta deshifronte më mirë se shumë të tjerë në atë shfaqje.
Mos vallë nën veshjen e KOP-it po afrohej “pylli i brinjës” për të kërcënuar pozicionin e vjetër të Mero Bazes pranë kandidatit për kryeministër?
Në mbrëmjen e fitores së 3 korrikut imagjinoj se, mes sa e sa telefonatave e bisedave, telefonatën më të gjatë, ndoshta edhe bisedën më të gjatë në zyrë Berisha e ka pasur me Mero Bazen. Në çastin e triumfit të shumëpritur, njeriu e kërkon vetvetiu shokun e armëve dhe aventurës, bashkudhëtarin, bashkëvuajtësin, bashkëluftëtarin, bashkëndërrimtarin, atë të cilit i ka hapur zemrën me shumë se askujt tjetër, dëshmitarin e dobësive, shokun e lartësive epike, por edhe të ultësirave, ku politika është dënuar të zbresë herë pas here.
Në thellësi të bisedës së atyre dy njerëzve, në sfondin e fjalisë “ia dolëm”, që mbushte gjithë qenien e tyre, ngrihej kujtimi tashmë i shpërblyer i sa e sa ditëve dhe orëve në hall, në disfatë, në bunker, në ngujim, në rrethim kombëtar e ndërkombëtar, nën presionin e shumëfishtë të deklaratave dhe profecive të zeza për fatin e tyre, nën goditjet e pandërprera të qeverisë, të opozitës së opozitës, nën gjithë këtë uragan sulmesh pa pauza, por me shpresën e pavdekshme të ringjalljes, ringritjes.
Ia dolëm!
Ia dolëm!
Fitorja në zgjedhjet e vitit 2005 ishte një nga ato ngjarjet e zakonshme që vështirësia për t’i arritur u vesh petkun e mrekullisë.
Pa i njohur vetes merita, Mero Baze rrokte me sytë e mendjes zbritjen e fitimtarëve të rinj nëpër shtratin e ri e të gjerë të asaj mrekullie. Shihte themelues, qëndrestarë, të rikthyer, rishtarë, grupin e Kosovës, trashëgimtarët e Berishës, këta të rinj shembullorë, që ishin kthyer me shenjat e një reflektimi për të djeshmen dhe të nesërmen.
Kjo fabul kishte përligjjen e saj në raportin e ri të bijve me pushtetin politik të atit. Pikësëpari, ata ishin rritur, pra nuk ishin më thjesht dy fëmijë që gëzojnë përkujdesjet e prindit, por nuk kanë të drejtë të përfshihen në punët e tij. Së dyti, për shkak të rrethanave, gjatë pesë-gjashtë viteve të fundit në opozitë, ata kishin jetuar kryesisht jashtë Shqipërisë, duke e ndjekur nga larg, jo pa gjak të ngrirë shpeshherë, aventurën e një prindi këmbëngulës e kokëfortë që kishte vendosur të sfidonte historinë, të priste drejtësi vetëm nga koha për rënien që kishte pësuar dhe për të gjitha anatemat që i kishin rënë në kurriz, të mbante deri në fund frontin e tij të sedrës, pasionit dhe idealit, të përgatiste dhe të provonte ringritjen një herë, dy herë, tre herë, derisa t’i soseshin fuqitë.
Në raste të tilla, çdo bir dhe çdo bijë, sado të zënë të jenë me punët e tyre të përditshme dhe sado të papritura t’u dalin përpara në jetë, një çip të syrit dhe të mendjes e kanë gjithnjë te prindi në barrikadë. Vetvetiu, bashkë me merakun e përhershëm, botën e tyre e mbush ndjenja e padrejtësisë së pësuar, pritja dhe shpresa për ringritje. Babai, që ndjehet shkaktar i atij lloj syrgjyni, akumulon vetvetiu një lloj detyrimi gjithashtu të veçantë ndaj fëmijëve, për t’ua kthyer kur të vijë dita. Do të jetë më i hapur, më i afërt, më i dashur, më i gjerë, pse jo edhe bashkëpunues me ta; nuk do t’i ndalojë të tregojnë se kush janë, siç ka bërë herën e parë. Nuk do ti ndalojë të merren me administrim interesash, apo edhe me politikë.
Mero Baze, megjithëse ka lexuar e dëgjuar për tensionin që krijohet paevitueshëm në oborrin e pushtetit midis atyre që konsiderohen fëmijë politike në një anë dhe fëmijëve biologjikë në anën tjetër, nuk e mendon se mes tij dhe të afërmve të Berishës do të fillojë një rivalitet i heshtur për influencë.
Si do të mund të lindte një rivaliteti i tillë i pakuptimtë? Pse? Ai nuk do të kërkonte gjë për të afërmit. Ata kishin vendin e tyre të patjetërsueshëm. Tensioni mund të lindte vetëm nëse ata kërkonin dobësimin e pozitës së tij pranë Berishës. Pra, fjala e saktë, nëse do të krijohej tension mes tyre, nuk ishte fjala rivalitet. Ishte një fjalë tjetër, që fantazia e tij e gjente me lehtësi në grumbullin e madh të fjalëve të shqipes, por s’donte ta mendonte.
S’donte ta mendonte atëherë fjalën “ndarje”
* * *
Mero Baze ka vëzhguar krijimin e qeverisë së re. Natyrisht, edhe ai ka nënqeshur me ca emërime, por nuk është befasuar. Berisha ka disa kritere të vetat në promovimin politik të vartësve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Shumica e këtyre kritereve njihen. Por ekziston edhe kriteri që promovon atë që nuk pritet prej askujt, kriteri që nuk njihet, nuk shpallet, madje mund të jetë i paqartë, i errët për vetë kryeministrin. Më shumë se kriter, mund të jetë shija e një lojëze me pushtetin dhe me publikun.
Kureshtjen e tij e ka shpuzitur emërimi i Lulëzim Bashës në postin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Basha s’ka shumë që ka debutuar në politikë, as gjashtë muaj. Është i ri në moshë, rreth të tridhjetave, s’ka punuar ndonjëherë në Shqipëri. Mero ka qenë ndër të parët, në mos i pari person i rëndësishëm në PD që e ka takuar para se emri i tij të përfshihej në listën e KOP-it. Takoje dhe krijo një ide! Kjo kishte qenë pak a shumë porosia e kryetarit . Përshtypja e parë e Meros kishte qenë e mirë. Por, as që e ka çuar ndërmend atëherë se “fluturimet pindarike” do të mund të zbatohen në qeverinë e re që po afrohej në luftë dhe rraskapitje.
Ardhur në KOP me të ashtuquajturin “grup të Kosovës, i treguar dhe i shfaqur si ylli i atij grupi, Basha është përfshirë në fushatën elektorale të PD-së si një zë i ri, si një fytyrë e re. Përveç çiltërsisë dhe gëzimit, ai ka sjellë në aulat e debateve politike edhe një qëndrim të ri ndaj sulmeve të palës kundërshtare: i pret duke qeshur, si të ishin tullumbace dhe nuk merret pothuajse fare me to. Pra nuk përfshihet në betejë, por ndërkaq ia del të duket luftëtar, sepse kur numëron të tijat shfaq një vendosmëri të veçantë.
Anëtarët e rinj të KOP-it, dhe para së gjithash përfaqësuesi i tyre më i dalluar, Basha, e meritonin parlamentin. Nesër-pasnesër, pasi të fitonin më shumë përvojë në betejat politike parlamentare, do të meritonin më shumë, pse jo qeverinë. Radha e mbajtur dhe barra e peshuar i kanë hije karrierës.
Por, Bashës i është dhënë Ministria më e rëndësishme, që merr gjysmën e fondeve të buxhetit të shtetit. Edhe pse në fushatë nuk ka përballuar ndonjë debat për çështjet e infrastrukturës. Edhe pse barrën e përballjes me ministrin e suksesshëm socialist të Transporteve, zotin Spartak Poçi, e ka mbajtur një deputet i njohur më shumë si poet dhe shkrimtar, por që e ka pasion infrastrukturën.
Përse?
Mero Baze e ndjen tërheqjen joshëse dhe dinake të përgjigjes, por s’do ta ndjekë, s’ka dëshirë.
Pasi degjuam te gjitha historite e Mero Bazes dhe te Berishes si dhe te Bashes, mendova se do te vinte pergjigja e pyetjes. Por pergjigje s’ka, ka vetem perralla dhe humbje kohe. Ne fakte eshte koha qe s’ka vlere, fatkeqesisht dhe per mua qe e humba duke lexuar keto rreshta.
Comments are closed.