Pse u “fik” nata e bardhë?

0
42

Preç Zogaj

Mbrëmë, sipas një tradite të krijuar këto shtatë-tetë vitet e fundit duhej të ishte “nata e bardhë”, një festë rinore maratonë me muzikë, vallëzim, lojëra, argëtim, puthje, përqafime dhe ik e eja gjithandej nepër Tiranë ; një festë që thërriste e derdhte rrugëve e shesheve të kryeqytetit mijëra e mijëra të rinj e të reja nga qendra dhe periferitë, madje edhe nga qytetet e tjera të vendit.

“Nata e bardhë” kishte kuptimin e dyfishtë të një nate të pagjumë për të rinjtë, por edhe të përkujtimit dhe nderimit pa fjalime dhe parada politike të natës së parë në liri, pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazifashist gjatë luftës së dytë botërore. Ishte një nga ato feksjet apo gjetjes e hershme të Edi Ramës, që ngjiti menjëherë, duke u shdërruar nga viti në vit, brënda një kohë të shkurtër, në festën më të madhe popullore të rinisë shqiptare, e krahasueshme në pikpamje të spontanetitetit dhe vërtetësisë me festën pagane të pranverës, jo me atë që inskenoi në Tiranë në vititn 2004 qeveria “Nano” si reagim ndaj lëvizjes opozitare “Nano ik”, por me atë që festohet prej shekujsh në djepin e saj në Elbasan.

Asnjë festim apo përkujtim gjatë këtyre njezet vjetëve të shoqërisë së hapur nuk ka mundur të futet në jetën e rinisë së Tiranës si “nata e bardhë”. Edhe pse ngjarjet me vlera historike nuk kanë munguar. Të përmendim sa për ilustrim kryengjarjen, 8 dhjetorin, ditën e parë të lëvizjes Demokratike të Dhjetorit 1990, që është shpallur zyrtarisht si Dita e Rinisë. Kjo ditë e konkuron me dinjitet gjithë çfarë përkujton “nata e Bardhë”, madje është shumë më afër rinisë së sotme në të gjitha pikëpmajet. Megjithatë Dita e Rinisë nuk është bërë dot ende një festë kombëtare shpirtërore e ë rinjve. Njëzet e dy marsi apo ndonjë datë tjetër e pretenduar herëpasherë nga Berisha jo se jo.

Pushteti mund t’i thërrasë njerëzit në lloj-lloj manifestimesh politike, por nuk mund t’u imponojë as historinë, as kënaqësinë. Lidhjet e rinisë me një ngjarje të caktuar janë të brëndshme, të shumëanshme, janë etike, estetike, politike e tjerë. Disa festa të organizuara kryesisht nga Berisha nuk kanë ngjitur sepse e kanë patur të shkruar mu në ballë vulën e të qënit festa të rregjimit. Kanë mëtuar të lidhin arbitrarisht një ngadhnim personal të zotit Berisha me historinë; kanë qenë të politizuara deri në pore, rëndom janë konceptuar që në embrion si festa të një pale, apo si antifesta ndaj palës tjetër; kanë qenë edhe mediokre shpeshherë, për të mos thënë të shëmtuara.

“Nata e bardhë” ka lindur gjithashtu si një festë me prapavijë politike, si një shajni e autorit për të krijuar nën harkun e madh të dekadave vazhdimësinë e zjarreve partizane të një kohe me xhazin, rep-in apo tallavanë e kohës moderne. Unë nuk e kam dashur për shkak të rrëmujës dhe zhurmës së madhe që krijonte dhe, veç kësaj, edhe për faktin se u ofrohej si joshje dhe si dhuratë djemve të periferive, gjë që me duhej shumë e padrejtë dhe deri diku fyese të ndodhte vetëm njëherë në vit.

Njoh njerëz të tjerë që nuk e kanë dashur natën e bardhë ngaqë nuk donin të shihnin asnjë shollë të përbaltur këpuce në bulevard dhe nuk duronin dot togjet e letrave anembanë qytetit nga konsumi i ushqimeve të shpejta. Të tjerë akoma, me të shumtë, nuk e pëplqenin ngaqë e konsideronin një festë mashtruse të të majtëve, që hidhte në rrjetë me marifetet e saj edhe të djathtë, por që në thelb nuk ishte tjetër veçse një replikë dhe një ngulmim majtist se data e çlirimit të Shqipërisë është 29 nëntori.

Në rrokullisjen e saj nga viti në vit vetë “nata e bardhë” ka treguar se rinia pjesmarrëse ishte përtej qetësisë egosite që doja unë dhe të ngjashmit e mi, përtej të ashtuquajturës higjenë të eugjenistëve urbanë dhe kryesorja , përtej debatit shterpë politik “me 28 apo me 29”, që për rininë e sotme është pothuajse pa kuptim. Festa ishte e bukur, e lirë, e larmishme, e papolitizuar; organizatorët nuk dukeshin gjekundi. “Ata” dhe “ato”, “ai” dhe “ajo” shkonin rrugëve njëri pas tjetrit, sup me sup apo dorë për dorë, këndonin, vallëzonin, kthenin ndonjë shishe birre, përqafoheshin apo putheshin me ndjesinë ndoshta të gabuar por gjithsesi të përjetuar se ishin ata dhe jo ndokush tjetër princat dhe princeshat e asaj nate.

Dikush apo shumkush e dinte se përtej gëzimit, kënaqësisë dhe variacioneve që propozonte ajo natë qendronte nderimi për një kapitull të ndritur të historisë kombëtare, për luftën nacionaçlirimtare të gjyshërve, që riafirmoi në nivelin e sakrificave sublime atdhedashurinë dhe e rreshtoi Shqipërinë në kampin e fitimtarëve të luftës së dytë botërore. Kjo ishte një gjë shumë e mire. Nuk ka patriotizëm pa krenari, pa traditë dhe veç kësaj demokracia e sotme euroatlantike i ka rrënjët në ngadhnjimin më armë kundër nazifashzimit dhe në refuzimin e komunizmit.

Por kjo festë me këtë mori fibrash e mesazhesh, “Nata e bardhë”, u fik mbrëmë nga kryetari i ri i Bashkisë, Lulëzim Basha. U fik për kënqësinë e predikatorëve politikë qeveritarë, por jo për kënqësinë e mijëra e mijëra të rinjve pa dallim feje, krahine dhe ideje që i kishin dhënë jetë asaj festë nëper vite duke e çuar me gjerësinë, çiltersinë dhe etjen e shpirtit rinor përtej korrnizave apo qëllimeve politike fillestare të organizatorëve dhe duke e shdërruar në një rrëfim vertetë të rrallë nga kryeqyteti i Shqipërisë.

Lulëzim Basha e fiku natën e bardhë gjoja si demokrat, duke e menduar si festë të socialistëve. Në vend të saj bashkia aktuale mëtoi të organizonte parmbrëmë një imitim, një natë të saj, që dukej krejt e sforcuar, pa art, një surrogato e vertetë e natës së bardhë me të cilën ishin mësuar të rinjtë dhe të rejat e Tiranës vitet e fundit. Lulëzim Basha e ka menduar ngushtë si festë të socialistëve natën e bardhë. Ai ka ngatërruar autorësinë e festës me përmasat dhe karakterin që mori ajo përgjatë kohës.

Por edhe sikur nata e bardhë” të kishte qenë një festë e të rinjve socialistë të kryeqytetit, gjë që nuk mund të ndodhë realisht, kryetari i bashkisë nuk duhej tua hiqte atyre ketë gëzim, nuk duhej tua ndërpriste këtë traditë të bukur. Gjatë fushatës elektorale Lulëzim Basha përseriste shpesh se nëse fitonte, do të ishte kryetari i të gjithëve. Rëndom kjo është një parullë e demagogëve politikë, por zbatimi i saj u shndërrua në një obligim në kushtet kur Tirana ka dalë barazim.

Duke anulluar natën e bardhë, Lulëzim Basha ka shkelur premtimin dhe detyrimin për të qeverisur për të gjithë dhe më të gjithë. Ai ka lënduar jo vetëm të rinjtë opozitarë por edhe një masë të madhe të rinjsh e të rejash që nuk kanë kufizimet e politikanëve të klonuar partiakë, më të vjetër se të vjetrit me veprimet e tyre. Nuk fitohet për të prishur gjithë çfarë kanë ndërtuar paraardhësit. Të qeverisesh pa opozitën është zakon, por të qeverisësh kundër saj është një shmangie e plotë nga detyra.