Nga Armand Shkullaku, Express
I mbyturi të mbyt, thotë një shprehje e vjetër. Dhe këtë e ilustronte më së miri pamja e dëshpëruar e Ramush Haradinajt pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu. Lideri i AAK’së, ashtu siç pritej, korri atë që mbolli me letrën-ofertë drejtuar LDK’së: as zgjedhje të parakohshme dhe as koalicion parazgjedhor. Nxitimi i pajustifikuar për të ardhur sa më parë në pushtet bëri që AAK’ja, ndryshe nga shkëlqimi dhe magnetizmi që ushtroi para zgjedhjeve lokale, të duket sot e vetmuar dhe e refuzuar. Gjendja e vështirë në të cilën partia e Haradinajt e futi veten pa patur nevojë, nuk është pasojë thjesht e krushqisë së dështuar me LDK’në. Nuk është humbje nëse opozita nuk arrin të bëjë për vete një forcë politike në pushtet siç është LDK’ja. Aq më pak një forcë në rënie, me rezultate të dobëta edhe në zgjedhjet lokale, me një pozitë të paqartë politike dhe me një tension të brendshëm që nuk dihet se kur do të shpërthejë. Jo, nuk është ky problemi real për AAK’në.
Për Ramush Haradinajn problemi qëndron tjetërkund. Dëshpërimi i tij, më shumë sesa refuzimin e Sejdiut, pasqyronte zhgënjimin nga një aksion politik që vë në pikëpyetje shumë gjëra. Në radhë të parë vë në pikëpyetje gjithë qëndrimin parimor opozitar që AAK’ka ka mundur të mbajë më së miri deri tani. Duke zgjedhur një partner si LDK’ja, që është përgjegjëse njëlloj si PDK’ja për qeverisjen e vendit, Haradinaj tregon se është më shumë i interesuar t’i bëjë numrat për të ardhur në pushtet, sesa ta ndërrojë realisht mënyrën e qeverisjes. Refuzimi i LDK’së e përforcon më shumë një gjë të tillë, duke lënë përshtypjen tek qytetarët se bëhet fjalë për të njëjtin sistem, ku ndryshon vetëm partneri i radhës që do të shkojë me LDK’në. Me një manovër të tillë, sharmi opozitar i AAK’së zbehet dhe kjo parti duket, sipas definicionit të Dellit, njëlloj si gjithë të tjerat. E interesuar vetëm për të ardhur në pushtet dhe jo për t’iu përgjigjur aspiratave të qytetarëve. Më shumë se sa humbja e një aleati potencial, Haradinajt i ka dhembur pikërisht kjo. Në një çast të vetëm, ai ka vënë në pikëpyetje gjithë punën e tij për krijimin e një imazhi tjetër për AAK’në.
Ndonëse doli e dobësuar nga zgjedhjet e vitit 2007, AAK’ja dhe lideri i saj punuan shumë për të lëvizur nga pozita ku kishin rënë. Veç ndryshimeve brenda partisë, ata shfrytëzuan më së miri pakënaqësinë e një pjese të elektoratit ndaj qeverisjes së PDK’së dhe tredhjes së LDK’së, për t’u shfaqur si opozita e vetme dhe reale në Kosovë. Ndonëse me përqindje të ulët zgjedhore, AAK’ja krijoi përshtypjen e të vetmes alternativë serioze ndaj PDK’së së fortë të Hashim Thaçit. Për këtë arsye, asaj iu bashkuan jo vetëm votues, por edhe drejtues nga radhët e LDK’së. Qëndrimi parimor dhe konsekuent i kësaj force politike u shpërblye në zgjedhjet e fundit lokale.
Por, përvoja ka treguar se shpeshherë është më e vështirë ta mbash se ta arrish një fitore. Në tentativën për t’u lidhur me LDK’në, AAK’ja dëshmoi se edhe ajo ra në kurthin e skemave dhe numrave për të ardhur në pushtet, duke e zbehur frymën opozitare që i dha suksesin në zgjedhjet lokale. Momente shumë të rëndësishme si menaxhimi i procesit zgjedhor, kriza e përkohshme PDK-LDK, grevat që përfshinë vendin, etj., kaluan pa vëmendjen e duhur nga AAK’ja, që pretendon t’u japë zgjidhje shumë problemeve nëse i jepet shansi të qeverisë. Drejtuesit e AAK’së lanë përshtypjen se më shumë kohë i kushtuan renditjes në listën për deputetë që i paraqitën LDK’së, sesa shndërrimit në kapital politik të suksesit elektoral të 15 nëntorit. Ky imazh është ai që rëndon sot mbi AAK’në. Humbja për Haradinajn nuk është refuzimi i LDK’së, por dobësimi i moralit politik që AAK’ja krijoi me shumë mund duke bërë opozitë.
Edhe sikur LDK’ja ta kishte pranuar ofertën e Haradinajt, kjo do të kishte qenë një fitore e përkohshme për të; jo një vullnet bindës i elektoratit, por një rezultat i arritur në tavolinë. AAK’ja do të ishte ingranazhi i radhës i të njëjtit sistem qeverisës dhe jo motori lëvizës drejt ndryshimeve thelbësore. Ajo do të vinte në pushtet duke mbetur peng nën mëshirën e numrave dhe jo mbi një bazë të fortë elektorale.
Për ta shmangur një fenomen të tillë, e vetmja gjë që nuk duhej të bënte AAK’ja ishte oferta për bashkëpunim me LDK’në. Sa më shumë kjo parti të qëndrojë në hijen e pushtetit të Kryeministrit Thaçi, aq më shumë forcohet mbështetja e elektoratit ndaj AAK’së dhe aq më shumë pakënaqësia e qytetarëve e ka një adresë. Fitoret e Blerim Kuçit në Suharekë dhe Isa Mustafës në Prishtinë janë shembulli par excellence i frymëzimit që përcjell morali opozitar i pakompromentueshëm tek qytetarët.
Ramush Haradinajt i duhej vetëm të mbante të pacenuar këtë frymë dhe asgjë më shumë. Në fushatën e ardhshme, LDK’ja, që tashmë ka vendosur ta ndajë deri në fund të njëjtin shtrat me Hashim Thaçin, do të dukej më shumë se qesharake nëse do të provonte përsëri ta luante rolin e opozitarit. Ky monopol në zgjedhjet e ardhshme do t’i mbetej ekskluzivisht AAK’së. Shtesat që LDK’ja po i bën së fundi godinës së saj të rrënuar deri në themel, vetëm sa e shtojnë etjen e zgjedhësve për një alternativë të vërtetë opozitare. E bashkë me pakënaqësitë që pritet të dalin në sipërfaqe brenda LDK’së, të gjitha shenjat çonin drejt një tjetër suksesi të AAK’së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Atëherë do të ishte Sejdiu ai që do të ulej të shkruante letra.
Për këtë, Ramush Haradinaj ka arsye të ndihet vërtet i dëshpëruar.







