Mustafa Nano
Zululand
Dje paradite, fiks në orën 09.55, m’u desh të kaloja nga njëra anë e unazës në tjetrën te semaforët e urës së madhe mbi bulevard. Me të shkelur në trotuar, u vura të prisja dritën jeshile të semaforit. Tok me të tjerë. Dhe sinjali i dritës së gjelbër nuk vonoi të vinte. Bash kur po matesha të hidhja hapin e parë, dy makina njëra pas tjetrës u dhanë me shpejtësi te këmbët e mia në shpërfillje të semaforëve, e ndërkohë që po bëhesha gati të shfryja kundër atyre grahësve transgresivë, në vesh më erdhi fishkëllima e bilbilit të policit të qarkullimit, një djalë i ri shtatlartë, që shërbente në atë kryqëzim rrugësh.
Ky polic, fillimisht kishte urdhëruar me gjeste e me duar që të mos ndërpritej lëvizja, pavarësisht nga ajo që sugjeronte semafori (vini re: semafori sugjeron, polici urdhëron), dhe vetëm një sekondë më pas, ndoshta ngaqë mendoi se po rrezikoheshin jetë kalimtarësh, zuri t’i frynte bilbilit. M’u duk pak absurd vendimi i tij, pasi trafiku ishte i lehtë, por nuk m’u desh shumë për të kuptuar se ai sapo ish urdhëruar në radio që ta mbante rrugën të çelur për “vizitorët” me eskortë. Dukej që në pamje, që kish marrë një urdhër të tillë. Ishte disi i alarmuar.
Makinat po u binin borive në shenjë proteste, por polici vijonte në të tijën, deri sa tutje, mú përballë kishës së re katolike, prapa ish-hotel “Dajtit”, u faneps një makinë policie me fener mbi shpinë, që çante kollaj-kollaj rrugën e hapur. Përpara saj ishte një makinë “e rëndësishme” shtetërore. Vetëm një. Doja të shihja se kush ishte ky bandill, por e kish ngjeshur trupin pas ndenjëses së makinës luksoze, e nuk dukej. Pashë veç bodyguard-in. E kur u kujtova të merrja shënim targën, kuptova se ishte shumë vonë. Makina rrëshqiti tutje, mori kthesën për nga Kryeministria, e nuk munda t’ia shquaja targën. Kërkova të dija nga polici, se kush ishte ai që na bëri të prisnim një copë herë dhe se çfarë urgjence kish. Polici më hodhi një vështrim hetues, e ngriti supet, duke më dhënë një buzëqeshje të hutuar.
“Duhen ngritur ca skuadra qytetare, të cilat duhet të vigjilojnë nëpër kryqëzime rrugësh të rëndësishme”, po i thosha një mikut tim, pasi i tregova ngjarjen. “Dhe këta qytetarë duhet t’i bllokojnë rrugët, sa herë që polici i trafikut do japë urdhrin që të mbahen të hapura në pritje të banditëve të qeverisë e të shtetit. Nuk do ishte keq të armatoseshin edhe me objekte të buta, si domate, vezë, etj, etj., me të cilat të qëllonin në drejtim të këtyre makinave, që na paskan të drejtën të mos respektojnë semaforët”.
Në fakt, e mendoj vërtet. Ndonjë organizatë e shoqërisë civile duhet të bëjë pikërisht këtë gjë: të kërkojë para nga donatorë të huaj, e të krijojë skuadra qytetarësh në mbrojtje të rregullave të qarkullimit rrugor. Kur të huajt t’i pyesin: nga kush doni t’i mbroni?, nuk ka pse të hezitojnë: nga rrugaçët me pushtet, të cilët janë qytetarët më të parë që nuk njohin rregulla e ligje në këtë vend.