Pse po e paguajnë sot shkodranët?

0
41

Arben Çokaj

Nga Arben Çokajbotuar në TemA

Kur diçka shkon keq, kërkohen fajtorët. Në standardin demokratik të 20 viteve të fundit, shumë krime politike janë konsumuar, por fajtorët kanë shpëtuar pa u hyrë ferra në këmbë. Dhe për këtë deformim të demokracisë e moszbatimit të ligjit, për këtë mentalitet të dhunshëm e jodemokratik në shoqërinë tonë, për këtë mbrojtje politike e dhembshuri paradoksale ndaj kriminelëve, duke shpëtuar gjithmonë fajtorët realë, përgjegjësinë kryesore e mban kryeministri aktual Sali Berisha. Ngjarjet më të rënda, që kanë ndodhur në Shqipëri këta 20 vjet, janë tragjedia e 1997-s, shpërthimi katastrofal i Gërdecit dhe tani përmbytja apokaliptike e zonës së Nënshkodrës. Për të tre këto raste, direkt ose indirekt, ka përgjegjësi kryesore Sali Berisha, që po e kompenson pështjellimin e tij politik me marri e agresivitet dhe po përdor çdo mjet legal e ilegal, për të shpëtuar prapanicën e vet dhe të familjes. Në fund, a do ia dalë ai mbanë?

Kryeministri i ngujuar në kullë nga hasmëria me popullin e tij

Sali Berisha e drejton vendin sikur po drejton një kupolë mafioze. Bashkimi i tij me znj. Topalli, në një politikë pa mend në kokë, ka krijuar precedentin psikologjik të kupës që ka gjetur kapakun. Psikiatri, Dr. Stone, e vlerëson si shkallën më të lartë të rrezikshmërisë shoqërore, një person që vret për të trembur të tjerët, komunitetin. Në shumicën e rasteve, ky i sëmurë psiqik është një dështak, një njeri pa kurajë, që duke vrarë e dëmtuar të tjerët, kërkon të vlerësohet e respektohet – kërkon të krijojë identitet.

Kryeministri i vendit është njeri asocial. Ai mbyllet në zyrë dhe informacionet, shpeshherë jo plotësisht të sakta, i merr nga bashkëpunëtorët e tij. Çudi si i ka ecur kaq gjatë!? Ka mbledhur 10-15 vetë, dhe duke sakrifikuar herë njërin e herë tjetrin, ai i ka futur tmerrin gjithë faktorëve institucional në vend siç janë gjykatat prokuroria, presidenti etj.

Problemi kryesor i tij mbetet Edi Rama. Po e theu edhe këtë pengesë, ai do ia dalë mbanë, që të vendosë në Shqipëri një model qeverisje, ku të gjithë janë të futur në të njëjtin kazan. Ku për papërgjegjësitë e marritë e tij, paguan edhe opozita…

Kryeministri ngjan me një njeri në hasmëri, që është ngujuar në kullë e që nga aty, ai shikon jashtë që të kuptojë se çfarë bëhet atje. Duke qëndruar i mbyllur në kullë, i ndikuar nga informacionet gjysmë reale të bashkëpunëtorëve, kryeministri ynë, nga frëngjia e tij, gjuan herë njërin e herë tjetrin, kë t’i teket atij, që e sheh në rrezen e frëngjisë, duke iu afruar gardhit. Për të ka rëndësi të rrijë në kullë, nuk ka rëndësi çfarë çmimi paguan ky popull, të cilin ai pretendon se e drejton, për ta mbajtur atë në zyrë. Duke qenë i mbyllur, ai ka tendencë deliri dhe paranoje.

Shkodra digjet, Jozefina krihet

Kur uji ka mbuluar totalisht me disa metra thellësi zonën e Nënshkodrës, kur dëmet ekonomike, njerëzore dhe të gjësë së gjallë në atë zonë janë kolosale, dhe kur qyteti i Shkodrës është bërë kaps, pasi i janë bllokuar jashtëqitjet në liqen, dhe ujërat e zeza në vend që të derdhen në liqenin e Shkodrës, janë kthyer mbrapsht dhe hyjnë brenda në qytet, znj. Topalli takohet në Bruksel me z. Busek. Me zakonin e saj miklues e sensual, me guximin e një derdimeneje, me gojën gjysmë të hapur si peshk i mbetur në zall dhe buzëqeshjen e sforcuar, znj. Topalli mori mbështetjen e Busek, që opozita të hyjë në parlament, sidomos tani kur Shqipërisë, në mënyrë të qëllimtë, iu shkaktua si gjithmonë, edhe një krizë e re.

Znj. Topalli mund të shihet si viktimë në këtë ngjarje të përmbytjes totale të zonës së Nënshkodrës, por ajo në fakt qëndron shumë afër kryeministrit Berisha, dhe burime pranë tyre tregojne se ajo di gjithçka që di Berisha. Pra, bashkëpunimi i tyre është tepër i ngushtë, gjë që të jep shijen e keqe të kuptimit, se nëse kjo katastrofë ujore ka qenë e planifikuar të ndodhë, këtë e ka ditur edhe znj. Topalli dhe nuk e ka ndaluar. Prandaj edhe znj. Topalli ka marrë dozën e duhur të agresivitetit politik, që karakterizon Berishën, në ëndrrën e saj për ta zëvendësuar komandantin një ditë, në të ardhmen.

Shkodra, një qytet, që ka votuar gjithmonë për PD-në, po shpërblehet sot në këtë mënyrë. Pse? Pse po paguajnë shkodranët sot? Sepse Berisha, ashtu si edhe znj. Topalli, hyjnë në kategorinë e atyre njerëzve, që dëmtojnë pikërisht ata, që i votojnë më shumë, mbështetësit e tyre, ashtu siç dëmtojnë edhe shqiptarët, sepse ata u kanë dhënë mundësi atyre të bëhen drejtues të lartë, që të na i shesin interesat tona tek fqinjët veriorë, për t’u pasuruar në kurrizin tonë. Berisha dhe znj. Topalli kanë një defekt të përbashkët, ata mbledhin rreth vetes gjithmonë njerëz të paaftë, hajdutë dhe shpërdorues të klasit të lartë dhe kjo nuk ka si ta çojë shtetin përpara. Ata nuk shqetësohen aspak për popullin, të cilin pretendojnë se e përfaqësojnë, shqetësohen vetëm për interesat e veta personale.

Për hir të së vërtetës duhet thënë, se në Shkodër vota më shumë vidhet nga militantët e PD-së, se sa votohet për PD-në, megjithëse Shkodrës i ka dalë nami si bastion i PD-së. Dhe vota e vjedhur ja se ku ta jep një ditë, pas koke. Nëse Shkodra nuk zë mend nga zgjedhja e znj. Topalli dhe klanit të saj në politikë, një grua e ligë, që karrierën e saj fitimprurëse e ka filluar bashkë me të shoqin, me vjedhjen e ndihmave të kishës pas vitit ’90-të, atëherë Shkodra e meriton këtë shpërblim fatkeq, dhe gjëma të tjera mund të vijnë në të ardhmen. Nëse populli shqiptar nuk zë mend nga fatkeqësitë, që u ka shkaktuar çifti Berisha – Topalli, dhe ne nuk gjejmë rrugë që t’i largojmë ata nga keq menaxhimi i pushtetit, atëherë ne prapë do shohim katastrofa, skandale dhe mossukses në këtë vend. Sepse, çifti që na drejton sot, ka kaluar në dalldi e delir të pashërueshëm dhe nga paaftësia për të drejtuar, ata bëhen agresivë dhe shkaktojnë vetëm viktima, e për rrjedhojë dëme të mëdha për shoqërinë tonë.