Pse PD? Pse tani?

0
43

BESNIK MUSTAFAJ

Me shkas nga një shkrim me të njëjtin titull i deputetes Mesila Doda

Deputetja demokrate Mesila Doda bëri tani së fundmi një shkrim me titull: “Pse PD? Pse tani?”. Në paragrafin e parë ajo shpjegon arsyen e këtij shkrimi, kur thotë: “Qyshkur prononcimet e mia publike diferencoheshin jo pak prej zërit zyrtar të partisë sime, jam ndeshur me qindra pyetje e qëndrime mosbesuese që më vijnë herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi… Pse tani? Pse flet me mllef? Pse je kundër PD-së? Me kë e ke inatin? Ke hatërmbetje? Ku do të dalësh? Çfarë do të arrish? Po do të largohesh?”.

Për arsye që merren lehtë me mend, unë e ndjek me vëmendje të posaçme jetën politike të Partisë Demokratike, edhe pse nga larg tashmë. Rrjedhimisht, përpiqem të jem në dijeni edhe të performancës publike të personaliteteve të saj të reja e të vjetra. Në gjykimin tim, shkrimi në fjalë i Mesila Dodës përmban disa veçanti, të cilat meritojnë vëmendje kryesisht nga ne, demokratët.

Veçantia e parë dhe shumë e rëndësishme: Mesila Doda u drejtohet – ekskluzivisht do të thosha – demokratëve kësaj here. Ky konturim i qartë në vëmendjen e saj i asaj pjese të opinionit publik me të cilin dëshiron të komunikojë, përcakton edhe stilin dhe argumentimin e analizës së saj deri në fund. Ajo merr përsipër t’u japë përgjigje në thelb pyetjeve të renditura në krye e ku më kryesorja është se përse duhet folur me zë të lartë pikërisht tani lidhur me problematikën e brendshme të Partisë Demokratike. Po ashtu ajo kujdeset të shprehet pa mëdyshje se vendin e vet sot dhe në të ardhmen e sheh brenda asaj që ajo vetë e quan “partia ime”.

Me një sovranitet prej politikaneje të pjekur, ajo nuk ndien lëndim në sedër për moskuptimin, i cili i përcillet nëpërmjet qindra pyetjeve që i vijnë “drejtpërdrejt ose tërthorazi”. Deputetja lë qartë të kuptohet se këta qindra njerëz, të cilët i drejtohen pa ndrojtje, qoftë edhe me pyetje lënduese për një sedër të ndjeshme, si për shembull, “me kë e ke inatin?”, ajo i vlerëson si demokratë dhe ka vullnetin e mirë dhe durimin e mjaftueshëm për të ndërtuar me ta një dialog të hapur e të sinqertë, e bindur se me këta të njohur e të panjohur ka të përbashkët preokupimin e ndershëm për t’i shërbyer ringritjes së Partisë Demokratike.

Në këtë periudhë, që Mesila Doda e quan periudha e “pas-humbjes”, zërat me peshë të demokratëve, përfshirë edhe kryetarin Basha, kanë folur dhe vepruar me një intensitet në rritje lidhur me problematikën e shfaqur nga shumica e re parlamentare qysh në fillimet e qeverisjes së saj e në vazhdim. Ky është roli i natyrshëm i opozitës. Nuk është qëllimi im në këtë rast të shprehem mbi cilësinë e aksionit opozitar nga ana e Partisë Demokratike. Por do të doja të theksoja me shqetësimin më të madh se drejtuesit e rinj demokratë – kam parasysh deputetët demokratë të dalë nga zgjedhjet e fundit si dhe kryetarin Basha – ende nuk kanë filluar t’u drejtohen vetë demokratëve. Humbja jashtëzakonisht e rëndë dëshmon jo vetëm qeverisjen e keqe nga ana e Partisë Demokratike, por edhe lëngatën e thellë në funksionimin e kësaj partie si forcë politike e gjallë dhe dinamike.

“Koha e pas–humbjes” do të duhej të përdorej me përparësi absolute pikërisht për shërimin e kësaj lëngate, që do të thotë se jeta e re në opozitë do të duhej të fillonte me atë që është përmendur shumë herë, por nuk është bërë: analizën e shkaqeve të humbjes. Një analizë e tillë do ta dallonte një forcë politike të mundur, por vitale nga një forcë politike të mundur dhe të thyer në shtyllën e saj kurrizore. Partisë Demokratike nuk i lejohet të jetë e thyer. “Koha e pas-humbjes” nuk është e pafund. Në qoftë se ajo nuk vendoset me kuptimin e saj të vërtetë në kalendarin politik të çdo partie, ajo pasohet pashmangshëm nga një humbje e dytë. Thënë shqeto: pas katërmbëdhjetë apo pesëmbëdhjetë muajsh, Partia Demokratike, ashtu si të gjitha forcat politike të vendit, duhet të hyjë në zgjedhjet për pushtetin vendor. A po përgatitet ajo për këto zgjedhje?

Artikulimi i pakënaqësisë popullore ndaj pushtetit është një nga detyrat e mëdha të një opozite serioze në demokraci. Këtë detyrë Partia Demokratike po përpiqet ta bëjë me zell të plotë qoftë në Parlament, qoftë me daljet publike të vetë kryetarit Basha, qoftë edhe me organizim protestash e mitingjesh, siç ishte ai i 20 shkurtit sivjet. Por kaq nuk i mjafton një force politike për t’u bërë shpresa e të pakënaqurve, dhe sidomos nuk i mjafton kaq për të mishëruar perspektivën e ndryshimit e të përparimit. Në fund të fundit, edhe matematikisht nuk mund të shkohet shumë larg vetëm me mbështetjen e të pakënaqurve nga vendimet e padrejta të qeverisë. Në të gjitha versionet e numërimit, mitingu madhështor i 20 shkurtit ka mbledhur më pak njerëz nga çka mbledhur votues në kutinë e tij Lulzim Basha tre vjet më parë.

Ky është një krahasim fare i thjeshtë, por që ndihmon për të përfytyruar politikisht si shkohet te fitorja në zgjedhjet e ardhme. Ne jemi një shoqëri ende shumë e politizuar, ku afro gjysma e popullsisë në moshë madhore e kanë të paracaktuar llagëmin për të cilin votojnë. Mbetet kjo gjysma tjetër, e quajtur rëndom nga analistët si “elektorati gri”, i cili voton sipas rastit herë majtas e herë djathtas, në përputhje me bindshmërinë që i krijon njëri krah apo tjetri për t’i besuar fatin e vendit. Në sajë të këtij elektorati, Shqipëria jonë mbetet sot një vend normal demokratik. Në qoftë se ky elektorat do të ngopej me denoncime të pushtetarëve, pa dyshim që zgjedhjet e fundit do it’ kishte fituar Kreshnik Spahiu.

Renditjen e fakteve të papranueshme, opozita e vërtetë politike duhet ta shoqërojë doemos me moralitetin e saj si dhe me propozimin e saj alternativ, në mënyrë që “elektorati gri” të mund ta bëjë vetë krahasimin midis asaj që po ndodh dhe asaj që do të ishte e dëshirueshme dhe po aq e mundshme të ndodhte. Bashkë me humbjen e pushtetit në zgjedhje, një forcë politike nxjerr në pah zakonisht edhe humbjen e moralitetit për të drejtuar vendin, siç është dhe rasti i Partisë Demokratike në qershor të vitit të kaluar. “Koha e pas-humbjes” shërben për partinë humbëse pikërisht për të rifituar moralitetin nëpërmjet një shqyrtimi parimor, të sinqertë, të thelluar e gjithëpërfshirës për anëtarësinë të shkaqeve të humbjes, duke kryer atë që një herë tjetër, duke pasur parasysh profesionin e Berishës, e kam quajtur “diagnostikim”, pa të cilin nuk ka shërim. Kjo gjë nuk ka ndodhur ende në Partinë Demokratike dhe, për trishtim, nuk po shoh ende gjasa se do të bëhet së shpejti, ndërkohë që ditët, javët e muajt po rrjedhin më shpejt se lumi.

Ky proces edhe mund ta përmbajë tharmin e rrezikut të asaj që kryetari i ri Basha e ka quajtur “gjueti shtrigash”. Por ky rrezik nuk shmanget duke shmangur vetë diagnostikimin apo edhe më keq, duke veshur lëkurën e palavdishme të viktimës: “Na vodhën votat”. “Na blenë votat”. “Na mashtruan zgjedhësit me premtime fluturake”. Të gjitha këto mund të jenë, ku më shumë e ku më pak, të vërteta. Por ato kanë mundur të ndodhin për aq sa kanë ndodhur vetëm pse trupi dhe truri politik i Partisë Demokratike dhe i qeverisjes së saj kanë qenë të brejtur nga sëmundje si korrupsioni, arroganca, vetëkënaqësia, shkëputja nga realiteti.

Në mungesë të kësaj analize, ndodh ajo që po shohim.
Gjithë energjinë goditëse të denoncimeve të opozitës e bën pluhur e hi në sytë e elektoratit të vërtetë një kundërpërgjigje në stilin, ku është specializuar prej vitesh Taulant Balla e jo vetëm ai. Për shembull: që Jozefina Topalli, gjatë pesë vjetëve si kryetare e Parlamentit, e zgjedhur, kuptohet, vetëm me votat e demokratëve, ka marrë 68 milionë lekë (të vjetër) si dieta për të lëvizur brenda vendit, domethënë, kryesisht në Shkodër, ku kishte zonën e vet elektorale, por edhe shtëpinë e babës si dhe shtëpinë e burrit. Këtu nuk përfshihen rrogat, dietat e shpenzimet e tjera të natyrshme të një tabori rojash dhe bashkëpunëtorësh, që e shoqëronin në përputhje me ligjin si numri dy i shtetit që ishte.

Me një hesap të thjeshtë del se nënkryetarja e partisë sonë (demokratëve), përveç pagës së vet në lartësinë e funksionit që mbante, ka ngrohur xhepin çdo muaj pa brejtje në ndërgjegje edhe me më shumë se pesë paga minimale. Por nuk duhet harruar se me pagë minimale ushqehet sot afro dyzet për qind e të punësuarve në Republikën e Shqipërisë, pa përmendur këtu mbi 500 mijë pensionistë, të cilët marrin në muaj sa gjysma e pagës minimale. Dhe të gjithë këta janë votues, shumica e tyre, madje janë pjesë e “elektoratit gri”, të aftë mendërisht për ta bërë këtë hesap e për të mos e harruar.

Koha e pas-humbjes shënon rigjenerimin moral të partisë së dalë në opozitë, kur kjo parti pastrohet nga kujtimet e këqija, kryen atë që quhet catharsis në kuptimin që i jep Platoni këtij termi në veprën e vet të famshme “Ligjet”, si një proces natyrisht i dhimbshëm. Ndërsa në kohët moderne Frojdi teorizoi metodën e katarsisit si një mënyrë për t’u shëruar nga traumatizmat. Vetëm kështu, pra, nëpërmjet katarsisit të vetes, Partia Demokratike dhe vetëm ajo do t’ia hiqnin kundërshtarit në pushtet shansin për të bërë akuza të tilla. Procesi i katarsisit nuk nënkupton aspak “gjueti shtrigash”, por ndërgjegjësim për të keqen brenda vetes, duke marrë përsipër vetë pastrimin nga kjo e keqe, në sytë e mbarë shoqërisë.

Përndryshe, do të vazhdojë ajo që shohim të ndodhë përditë deri në bezdi e që kryetari i Partisë Demokratike e nënvizoi me të drejtë para pak javësh në një nga daljet e tij publike: që shumica në pushtet po sillet si opozitë. Domethënë si opozitë e opozitës. Fakt është se në mungesë të rezultateve të lavdërueshme, shumica qeverisëse po e mbush hapësirën publike me akuza kundër qeveritarëve të djeshëm. Hollë–hollë, kjo nuk është një strategji komunikative dhe aq budallaqe. Shumica qeverisëse i thotë kështu opinionit publik se “ne nuk po e ndritim, por përballë kemi të njëjtët që e nxinë dje e që janë krenarë sot e kësaj dite për blozën që mbartin nën lëkurë”.

Në këto rrethana, ikja e Partisë Demokratike nga catharsis i shërben drejtpërdrejt shumicës së majtë qeverisëse. Historia politike e botës demokratike na mëson mjaftueshëm se në situata të ngjashme me këtë që po kalojmë ne sot, midis dy palëve të këqija, qoftë edhe për rutinë, njerëzit do të mbanin këta që kanë frenat. Rrjedhimisht, gojën e shumëfishuar me altoparlantë të qeverisë nuk e mbyll dot as ankimi me vend i Lulzim Bashës ndaj shumicës, që sillet si opozitë, as heshtja e Eduard Selamit, së cilës nuk i shkon proverbi se “heshtja është flori” e as bubullimat e thata të Sali Berishës. Këtë simetri në të keqen mund ta prishë Partia Demokratike e vetëm ajo, “duke ndryshuar veten”, siç thotë Mesila Doda në shkrimin e saj. Dhe tani, pa humbur kohë!

Veçantia e dytë, e lidhur gjithnjë me shkrimin e lartpërmendur, e cila meriton vëmendje sipas gjykimit tim, qëndron te kuptimi që autorja ka parasysh kur përmend “zërin zyrtar të Partisë sime”. Në fjalorin politik të Partisë Popullore Europiane, ku Partia Demokratike është anëtare, “zëri zyrtar i partisë” kupton thelbësisht qëndrimet e saj si forcë politike përkundrejt zhvillimeve më të rëndësishme në vend, qëndrime këto të shprehura kryesisht në parlament apo edhe në forumet e tjera publike apo institucionale, ku ajo përfaqësohet me të zgjedhurit e vet nga populli apo edhe të mandatuar nga vetë strukturat drejtuese të partisë. Pra, nuk ka “një zë zyrtar të partisë” kur është fjala për të gjykuar mbi zhvillimet e ndryshme brenda partisë.

Dhe kjo ka shpjegimin e vet parimor, i cili buron nga dobia që sheh partia si një organizëm i gjallë, për të zhvilluar një debat të brendshëm të vazhdueshëm e të shëndetshëm, jo vetëm në rrethet e veta të mbyllura partiake, por edhe haptas, në sytë e publikut, duke e bërë publikun dëshmitar dhe jo pjesëmarrës në këto debate. Në periudhën midis dy afateve elektorale, publiku-dëshmitar ka rastin kështu të shohë frymën demokratike, që zotëron brenda partisë si dhe pjekurinë parimore të personaliteteve të kësaj partie dhe të bindet se kjo frymë demokratike dhe kjo pjekuri do të sillen në institucionet shtetërore nesër, kur kjo parti të vijë në pushtet.

Me aq sa di unë, qëndrimet publike të zonjës Mesila Doda nuk janë diferencuar asnjëherë nga qëndrimet zyrtare të partisë së saj, që është Partia Demokratike. Flas gjithnjë në përputhje me standardin që ka qendra e djathtë europiane, e mishëruar te Partia Popullore Europiane. Po ashtu, nuk di që kjo deputete demokrate ta ketë vënë në dyshim legjitimitetin e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, zotit Lulzim Basha. Nga ana tjetër, Mesila Doda është doktoruar për shkencat politike në një universitet të mirënjohur europian. Ky informacion ka rëndësi vetëm për të rrëzuar çdo dyshim se ajo nuk e ka fort të qartë se ç’do të thotë “zëri zyrtar i Partisë”.

Të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e saj kanë pasur të bëjnë me zhvillimet brenda Partisë Demokratike, ato që po ndodhin e që e shqetësojnë deputeten, sepse vihet re një prirje për t’i shmangur nga dinamika e partisë “mbështetësit e djeshëm të Sokolit” dhe po aq ato që nuk po ndodhin, të cilat gjithashtu e shqetësojnë deputeten, sepse kanë të bëjnë me apatinë në procesin e zgjedhjeve të strukturave drejtuese të partisë. Shumica dërrmuese e partive europiane të qendrës së djathtë e kanë të sanksionuar me statut ekzistencën e fraksioneve, të cilat nuk e cenojnë aspak autoritetin e kryetarit të partisë. Përkundrazi, me alternativat që sjellin nëpërmjet debatit të brendshëm, fraksionet e pasurojnë programin, me të cilin partia paraqitet para gjithë shoqërisë.

Nga ana tjetër, edhe një parti elektorale, siç është e tillë Partia Demokratike, ka nevojë për struktura të konsoliduara mirë para se të hyjë në zgjedhje. “Zëri zyrtar i Partisë” del të jetë në fakt tradita e keqe në funksionimin e partisë, me të cilin Mesila Doda përpiqet të mos pajtohet. Dhe mirë bën. I pari që nuk duhet të pajtohet me këtë traditë duhet të jetë vetë Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike. Dhe të tregojë se është reformator i kësaj partie tani, me patjetër tani, sa nuk është vonë për atë vetë dhe për vendin.