Pse o burri i malësisë?

0
32

Nga Gjovalin Delia

Skandali shqiptar, nuk konsiston tek “video skandaloze”, me të cilën kapen me pras në duar një mafioz, dhjetëra, qindra a mijëra qofshin ata, pasi, po të dojë shteti e qeveria, ata kapen e tridhen në një ditë. Tragjedia jonë konsiston bash tek mosdashja e qeverisë, madje tek bashkëpunimi i saj me krimin.

Kjo nuk është hipoteza ime, por realiteti shqiptar konfirmuar nga Kryeministri shqiptar, i cili publikisht, para telekamerave e mikrofonave, si në 97-ën edhe sot në 2011-ën, në mënyrë natyrale, pa i bërë syri tërr, ka marrë e po merr në mbrojtje korrupsionin e krimin shtetëror, duke shkelur me arrogancë të pashoqe ligjin.

Tashmë edhe njerëzit e thjeshtë e dinë se kur nuk respektojmë ligjin, kemi cenuar lirinë tonë. Kush guxon të prekë lirinë, nuk ka frikë të përdhosë edhe demokracinë.

Video “Meta-Prifti”, konsiderohet vulgare e skandaloze për një shoqëri vërtetë demokratike, por për një regjim feudo bajraktar si ky aktual shqiptar është “normal”.

Me ç’kemi parë e jetuar në këto dy dekada, deri tek tragjedia e pashembullt e Gërdecit, nuk do të çuditeshim edhe sikur në vend të celularit, protagonisti i videos në fjalë, të kishte kokën e vartësit në tepsi.

Nuk do të jetë e largët që shqiptarët do të shohin skena të tilla makabre, jo në filma, as në video e as në reality show, por në sheshe në Shqipëri. Preludin e terrorit e luajti Kryeministri si dirigjent pa orkestër, vetëm me shkopin e tij, në Parlament!

Më shumë se marrëzia në parlament, e skandali në video, më ka tronditur e nesërmja e videos; indiferenca e shtirur dhe hipokrizia e kthjellët e Kryeministrit, teksa piqte gështenja me mendje e përfytyronte çokollata me ullinj.

Por ajo që ka shokuar, ka qenë e pasnesërmja e videos; besnikëria ndaj krimit e pabesia ndaj ligjit; “kryedemokrati, prijësi i shqiptarëve të lirë, i papërlyeri, shtetari me duar të pastra, burri i malësisë”, pasi u mendua gjatë, zgjodhi rrugën e shkurt, ose më saktë pasi bëri hesapet me hanxhinj zgjodhi dinakërinë: si “mik i mirë” mbrojti bashkëpunëtorin e korruptuar e si shtetar i korruptuar, shtiu pa mëshirë mbi ligjin e mbi demokracinë. Pse o burri i malësisë?

Lapsus, lajthitje, apo frikë nga fundi i dyshimtë? Siç duken bathët nuk duhet të jetë fund dinjitoz për një burrë malësie me ambicie lavdie! Druaj se sot nuk ta mbajnë këllqet këtë titull nderi o trim i Dragobisë! Jo nga pleqëria, por pesha e mëkateve politike njëzetvjeçare ta kanë kërrusur shtatin e ta kanë ligështuar shpirtin o bajrak i gjallë.

Për fatin e mirë të shqiptarëve fatzinj,ndryshe nga skandalet e tjera, shumë herë më të renda e më kriminale se ky i fundit, sot drejtësia shqiptare, ka në dorë, dy dokumente; 1.
videon “Zv.kryeministri e shefi i diplomacisë shqiptare në rolin e Padrinos” dhe 2. filmin “Kryeministri kryedemokrat avokat i krimit e korrupsionit”, të dyja e veçanërisht, ky i fundit, mjafton për të dëshmuar me fakte, para shqiptarëve të verbuar e të shurdhuar, para diplomacisë perëndimore, para parlamentit evropian e kongresit amerikan e para drejtësisë botërore, diagnozën e krizës tejet të rënduar të demokracisë shqiptare.

“Mbrojtja dinjitoze” që Kryeministri i bëri aleatit, zëvendësit të tij, është prova e besnikërisë së burrit të malësisë ndaj bashkëpunëtorëve të korrupsionit e të krimit, dhe njëkohësish dëshmia më e qartë e pabesisë së shtetarit ndaj ligjit e drejtësisë. Kjo e fundit është tradhtia më e rëndë që një shtetar bën ndaj vendit dhe sovranit popull. Para një fakti të tillë askush nuk do të mund të mbyllë sytë.

Video është një dëshmi që vë në provë së pari drejtësinë shumë të përfolur, parimin themelor të demokracisë; barazia para ligjit. Ekspertët e vendit dhe të huaj mund ta pagëzojnë me shumë emra e ta cilësojnë edhe si “drejtësi me dy standarde” por para ligjit ajo ka vetëm një emër KORRUPSION E KRIM SHTETËROR i cili do të peshohet nga drejtësia e jo nga qeveria.

Është koha për t’i thënë ndal korrupsionit e krimit shtetëror, për t’u ndarë njëherë e mirë, me çdo çmim. O sot o kurrë! Duam, s’duan, duhet ta shembim këtë nevojtore feudo bajraktar shqiptar.

Alternativa e korrupsionit është vetëm një, ligji. A ka Shqipëria sot një pjellë të tillë që ta shikojë korrupsionin në sy e të mos i dridhet qerpiku?

Alternativa e një qeverie të korruptuar që bashkëpunon me krimin, duhet të jetë një alternativë të re, energjike, të shëndetshme bazuar në ligj, orientuar drejt të ardhmes duke filluar që në vezë, nga përzgjedhja e njerëzve që do të vinë në pushtet.

A ka Shqipëria sot një alternativë të tillë? Pse nuk duket tymi, nuk do të thotë se nuk ka zjarr, por ama, kur të djegin sytë nga tymi, edhe pse zjarri nuk shihet, me siguri është ndezur diku, diçka.

Ishin ëndërrimtarët e atëhershëm të privuar nga ëndrrat e tyre, ata që rrëzuan diktaturën e na falën lirinë, dhe do të jenë bash ëndërrimtarët e sotëm, që nuk dinë ç’është frika, por që e dinë mirë ç’është liria e demokracia, ata që do të hedhin në plehra cilindo shtihan që do t’u cenojë lirinë e që do guxojë të tallet me ëndrrat e tyre.

Ndërsa po shkruaj dëgjoj kambanën që bie. Nuk e di nëse është ora e Firences apo Sahati i Tiranës, por jam i sigurt që kambana bie kur i vjen ora. Kini durim! Jepeni drejtësisë kohën teknike që i duhet. Nëse ajo i ka duart e lidhura e gojën e mbyllur siç i ka pasur deri më sot, ne jemi të lirë dhe mund të flasim, madje kemi të drejtë edhe të bërtasim për lirinë e të drejtat tona!

Mos harroni: alternativa e dhunës është rezistenca paqësore. Kjo e fundit është rruga magjistrale drejt një fitoreje të shëndoshë për të gjithë shqiptarët pa dallim krahu e krahine. Do të doja që demokracia shqiptare të ishte jo si ëndrrat tona të ndrydhura nën diktaturë, por ashtu siç e përfytyrojnë të rinjtë e sotëm të lirë!!!