Pse nuk janë të tejdukshme kutitë?

0
20

Dëshira Subashi / INTERVISTE, 30.01.2010

Intervistoi Lorenc Vangjeli

Anëtarja luftarake e KQZ-së bën një analizë të zgjedhjeve të fundit, ku u dhunua ligji prej “arbitrit” të zgjedhjeve dhe pasojat e tij në krizën e sotme politike në vend. Çfarë mund të ndodhë me mandatet e opozitës dhe cilat janë pritat që vë Kushtetuta për t´i mbrojtur ato? Në një intervistë për revistën MAPO, Subashi, një juriste e njohur mes miqësisë dhe armiqësisë në politikë, shpreh trishtimin, por dhe mospajtimin e saj me mungesën e transparencës së kutive të tejdukshme të votimit.

Dallohet qartë se ka qenë një grua e bukur. Eshtë ende. E brishtë, gati-gati e thyeshme dhe me një portret që rrezaton një ftohtësi të epërme ajo mund të japë përshtypjen e patë të gabuar se është mjeke, ekonomiste apo dhe biznesmene e realizuar, e vetëkënaqur me veten, por nuk ngjan kurrsesi si një njeri që e ka lidhur jetën me ashpërsinë e ligjit; që ka qenë prokurore dhe gjykatëse për fate njerëzorë. Së fundmi, edhe për fatin e ngjyrës së qeverisjes së vendit.

Dëshira Subashi, pjesë e KQZ-së që prej vitin 2003 dhe një “target” i parapëlqyer për median, refuzon gjatë dhe ngultas që të flasë për shtypin, por askush nuk harron që ishte padyshim anëtarja e KQZ-së që fliste më shumë se kushdo tjetër gjatë mbledhjeve të institucionit të saj. Luftarake, shpesh edhe e ashpër, ish-prokurorja dhe ish-gjyqtarja e shumë viteve të shkuara, në rolin e arbitres së zgjedhjeve ka marrë mbi vete shumë mirënjohje, por dhe shumë armiqësi.

“Ky është komenti juaj, unë vetë nuk jam interesuar kurrë as për njërën dhe as për tjetrën. Më intereson që nesër, cilido qoftë, të mos ketë as shkasin më të vogël, as arsyen më periferike që të thotë se kam shkelur ligjin. E njoh mirë ligjin dhe kam “frikë” ta shkel atë”, thotë ajo, teksa së fundi pranon krejt pa dëshirë të intervistohet për revistën MAPO.

Subashi flet për zgjedhjet e fundit të qershorit dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me pjesën e padukshme të punës së arbitrave që qëndrojnë në Pallatin e Kongreseve dhe që përcaktojnë cilët do të jetë qeverisësit e vendit dhe cili do të jetë më pas, edhe fati i të qeverisurve.

Çfarë ju ka mbetur më shumë në mendje gjatë periudhës së nxjerrjes së rezultatit zgjedhor të qershorit 2009?

Duke nisur që nga viti 2003, kur jam bërë pjesë e KQZ-së, veçanërisht në zgjedhjet e përgjithshme, shqyrtimi i ankimimeve për rezultatin zgjedhor, ka qenë pjesa më delikate, më e komentuar e natyrisht edhe më e vështira e saj. Kjo për shkak të tensioneve, shpesh edhe artificiale që shkaktojnë forcat politike në garë. Eshtë e kuptueshme; e gjithë fushata elektorale, gjithë ai mund njerëzor e parash të hedhura për të bindur qytetarin për votën e për më shumë, fati i gjithë shoqërisë shqiptare që ndikohet ende maksimalisht për shkak të njërës apo tjetrës ngjyrë në qeverisje, grumbullohen papritur e “burgosen” në kuti të tejdukshme plastike.

Sa janë “transparente” kutitë plastike, ky është tjetër detaj që nuk më takon mua ta them në mënyrë direkte. Zgjedhjet e vitit të kaluar, për shkak të ndryshimit të sistemit zgjedhor, kishin veçanti në krahasim me proceset e mëparshme. KQZ-ja për herë të parë do të miratonte tabelat përmbledhëse të rezultatit për çdo qark për çdo parti në garë. Pas këtij vendimi të KQZ-së, subjektet zgjedhore kishin të drejtë të ankimoheshin, sipas të drejtës që afronte Kodi Zgjedhor. Për një mori arsyesh, numri i ankimimeve në këto zgjedhje ishte më i ulët se në zgjedhjet pararendëse, por në ndryshim me “traditën”, këto ankimime, kishin specifikë shumë delikate edhe për shkak se rezultati zgjedhor mes kampeve në garë, ishte shumë i ngushtë.

Objekt i pothuaj të gjithë ankimimeve ishite rinumurimi i votave. Për herë të parë, Kodi Zgjedhor kishte miratuar dy dispozita, nenet 136, pika 3 dhe 138, pika 3, me të cilët i jepej e drejta dy anëtarëve të KQZ-së, gjatë shqyrtimit të një ankimimi, të kërkonin marrjen e provave ose rinumurimin apo vlerësimin e votave të caktuara. Në këto dispozita, thuhet se kërkesa e dy anëtarëve është e detyrueshme për t´u zbatuar nga KQZ-ja. E mbështetur nga kolegu im Artan Lazaj kërkuam të bëhej rinumurimi i votave në disa KZAZ, në zonat zgjedhore Berat, Shkodër e Tiranë, gjithmonë në mbështetje dhe në frymën e Kodit Zgjedhor.

Por çfarë ndodhi realisht? U ballafaquam me një reagim të ashpër të përfaqësuesit të PD-së në KQZ, madje edhe kërcënues. M´u tha se kisha shkelur ligjin dhe se do të mbaja përgjegjësi, m´u tha se kisha shkelur betimin për përmbushje të rregullt të detyrës, ndërkohë që kisha kërkuar vetëm atë çfarë e kishte afruar vetë ligjvënësi, domethënë Kuvendi i Shqipërisë.

Siç dihet, KQZ e hodhi në votim këtë kërkesë dhe e rrëzoi me katër vota pro. Unë vazhdoj të jem e bindur thellësisht se kërkesa e artikuluar është e detyrueshme për t´u zbatuar, se ajo as nuk mund të hidhej në votim në KQZ. Më tej, pasoi një vendim shokues i Kolegjit Zgjedhor i cili la në fuqi vendimin e KQZ-së. Në Shqipëri, rastet e shkeljes së ligjit, siç ndodhi në këtë rast, fatkeqësisht nuk janë të rralla; në këndvështrim të thjeshtë juridik apo praktik, do të thosha se këto histori të kujtojnë rrugën e gjetur njëherë nga miu në një palë mustaqe “burri”. “Burrat” që pastaj e lidhin fatin e tyre me miun janë një problem më vete.

Pikërisht për këtë arsye, nxjerrja e rezultatit zgjedhor dhe fiksimi i tij është objekt i polemikave të ashpra politike dhe vazhdon të qëndrojë në thelb të krizës së rëndë politike që po kalon vendi. Si e gjykoni një situatë të tillë?

E përsëris dhe do të vazhdoj ta përsëris pa u lodhur: kërkesa për rinumurim ishte përgjegjësi për menaxhimin e rezultatit zgjedhor, si në aspektin kohor të përfundimit të procesit ashtu dhe të një rezultati të ngushtë, i cili duke qenë i ankimuar, linte të gjitha shtigjet e hapura për “polemikë” postzgjedhore. Unë jam juriste dhe nuk mund të jap konsiderata politike, por si juriste e edukuar me frikën e pafundme ndaj ligjit, po ju ritheksoj: ligji është shkelur.

Si do ta komentonit votimin final të KQZ-së për rezultatin zyrtar, shtatë me zero? Ka pasur shumë keqkuptime për këtë votim unanim dhe është përdorur nga një palë si argument kundër argumentave të palës tjetër politike.

Eshtë një tjetër keqpërdorim dhe dhunim i ligjit dhe të vërtetës nga politika. Historikisht, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve është votuar unanimisht nga KQZ-ja, pavarësisht se gjatë shqyrtimit të ankimimeve, vendimmarrja ka qenë me shumicën e votave të kërkuara nga ligji. Pra, për zona të caktuara zgjedhore është votuar edhe kundër. Kjo vendimmarrje shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor dhe vendimi i gjykatës është i detyrueshëm për t´u zbatuar.

Kodi Zgjedhor përcakton se në përfundim të të gjitha ankimimeve, KQZ shpall rezultatin final të zgjedhjeve. Ky votim final yni, i keqpërdorur jo nga padijenia për atë çfarë kërkon ligji, por si rrjedhojë e përdorimit të tij politikisht, nuk dëshmon se unë personalisht e profesionalisht kam pranuar këtë rezultat. Shqyrtimi i rezultatit për zonat e ankimuara, por dhe tabelat e rezultateve kanë të gjitha votimin e fiksuar katër me tre. Ka qenë kështu sepse në gjykimin tim dhe të dy kolegëve të tjerë, ka pasur parregullsi serioze gjatë procesit të votimit apo numurimit të votave. Po ju them se edhe sot, shtatë muaj pas ditës së zgjedhjeve, ka qendra votimi të panumuruara fare, pavarësisht ndikimit të tyre në rezultat. Efekti i votimit të rezultatit përfundimtar ka të bëjë me dhënien fund të një procesi zgjedhor i cili ka përfunduar fazat e shqyrtimeve dhe që përcakton afatet dhe për zgjedhjet e ardhshme.

Eshtë bërë temë e nxehtë çështja e mandateve të opozitës dhe djegia e mundshme e tyre për shkak të bojkotit. Cili është roli i KQZ-së në këtë histori dhe opinioni juaj juridik?

Roli i KQZ-së kushtëzohet nga neni 164 i Kodit Zgjedhor që trajton ndërprerjen e mandatit të deputetit dhe zëvendësimin e tij. Kjo dispozitë përcakton se mandati i deputetit ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës së republikës së Shqipërisë. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Më qartë, neni 71 i Kushtetutës parashikon se mandati i deputetit mbaron apo është i pavlefshëm, kur ai nuk bën betimin, kur heq dorë nga mandati, kur vërtetohet një nga kushtet e papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 të Kushtetutës, kur mbaron mandati i Kuvendit, kur mungon pa arsye mbi gjashtë muaj në Kuvend, kur dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Sipas nenit 164 të Kodit Zgjedhor, ndërprerja e mandatit, përcaktohet se ndodh kur deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës së Kuvendit se refuzon të bëjë betimin apo dhe afron refuzimin e mandatit të deputetit. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. E më pas, KQZ bën zëvendësimin e tij duke e kaluar mandatin tek kandidati vijues i të njëjtës parti politike, në të njëjtën zonë zgjedhore. Kjo është procedura ligjore dhe roli i KQZ-së në të. Siç mund të shihet qartë dhe nga çdo qytetar me dijeni të përcipta juridike, flitet për mandatin individual të një deputeti. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një grup prej 64 deputetësh të të gjithë opozitës, madje të vetmes opozitë të dalë nga zgjedhjet.

Si juriste mund të them se nuk është realizuar asnjë nga kushtet që përcakton Kushtetuta; asnjë deputet nuk ka refuzuar të bëjë betimin apo dhe ka refuzuar mandatin e deputetit në formën që kërkon ligji. Mungesa në Kuvend e deputetëve është një vendimmarrje politike dhe nuk kemi të bëjmë me sjellje individuale të deputetëve. A përbën shkak të arsyeshëm vendimi politik i tyre, ndërkohë që kushtetuta përcakton afatin kohor për mungesë të paarsyeshme për gjashtë muaj? Kjo është një çështje tjetër për të cilën unë kam opinionin tim të prerë, por që për momentin refuzoj ta bëj publik.

Si e mendoni të nesërmen e këtij debati, gjithmonë në rafsh juridik? Çfarë vlere apo kundërvlere do të prodhonte një debat i tillë për shoqërinë shqiptare apo klasën politike në veçanti?

Ky është një moment delikat që kërkon një vendimmarrje të vendosur e të fortë. Sepse nuk është një vendimmarrje vetëm teknike, por një akt që ndikon direkt në të gjithë jetën e vendit dhe fatin e demokracisë. Jam e prirur të shoh anën pozitive të fenomeneve dhe besoj se kinezët e vjetër kanë pasur të drejtë kur shpreheshin sipas stilit të tyre se duhet të turbullohet që të kullohet apo kur shpreheshin se sa më keq të shkonin punët, aq më mirë do të ishte më pas.
Kur ju përmenda marrëdhënin e “minjve” me mustaqet e ca “burrave” pata parasysh edhe se një nga gjërat e vetme që është vështirë të harrohet, është shkelja e ligjit, deformimi i tij apo thënë më shqip tashmë, dhunimi i ligjit. Në raste të tilla, shpesh ndodh që dhunuesi i ligjit, të jetë njëkohësisht dhe i autodhunuar e jo vetëm në dinjitet profesional e moral, por dhe shumë më shumë se kaq.