TemA, 19 Nëntor 2011
Roland Çelmeta vazhdon të mbajë detyrat partiake në Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe pse tashmë është nën pranga si truri i vjedhjes me karburantet e peshën e ushqimeve në Ministrinë e Ekonomisë ku ai punonte si zv/drejtori i përgjithshëm pranë drejtorisë së Metrologjisë dhe Kalibrimit. Akoma s’ka asnjë reagim dhe asnjë qëndrim nga kjo parti zyrtarisht dhe nga kreu i kësaj partie Ilir Meta për atë çfarë kanë bërë drejtuesit e saj dhe të punësuarit në ministrinë e drejtuar nga LSI që prej vitit 2009.
Ndërkohë që një grup anëtarësh të LSI-së, të punësuar aty jo për merita profesionale, por për përkatësinë e tyre partiake, janë në burg për vjedhje të “xhepave” të shqiptareve duke i gënjyer ata për ushqimet e karburantin, kjo parti nuk ka denjuar të bëjë asnjë deklaratë për këtë çështje, qoftë edhe një distancim sa për sy e faqe nga të korruptuarit e nga korrupsioni.
Asnjë deklaratë. Ndërkohë Ilir Meta, kreu i partisë, që po përballet për veten e tij në një gjyq me akuzën për korrupsion pikërisht këto ditë po bën takime partie me të rinj e të reja, duke mos folur fare për ato të rinjtë që ia janë futur në burg dhe që ishin miqtë e tij. Nga ana tjetër është kujdesur që edhe gjyqi i tyre të shkojë fjollë e mos tu hyjë gjemb në këmbë duke autorizuar avokatin e tij personal në mbrojtje të njërit prej të akuzuarve, një mik i vjetër e financues i LSI-së, Roland Çelmetës.
Çelmeta ka për avokat Gëzim Veleshnjen, një prej avokatëve të Ilir Metës. Sipas njoftimit të djeshëm të LSI-së, Meta bëri një takim me anëtarët dhe simpatizantët e Lëvizjes Rinore për Integrim, një forum i LSI-së ku Çelmeta ishte drejtues. Duket se kjo gjë nuk i ka shqetësuar të rinjtë, të cilët kanë marrë përkrahje nga kryetari i partisë që të vazhdojnë të militojnë në këtë parti se një ditë do të “shpërblehen”.
“Është forumi më aktiv dhe që përfaqësohet në mënyrë dinjitoze jo vetëm në strukturat e LSI-së por edhe në pushtetin vendor duke qenë pjesë e vendimmarrjes”, tha Meta duke folur para tyre. Ai shtoi se “unë mendoj që ky është një angazhim, i cili përfaqëson në radhë të parë një investim për të gjithë ju, një investim për të ardhmen tuaj”.