Nga Mustafa Nano, 25 qershor 2013
Këtë shkrim po e bëj pasditen e datës 24 qershor, pak pas ores 17.00, një ditë pra pas zgjedhjeve parlamentare. Janë numëruar më shumë se 30% e votave, dhe vihet re një avantazh i qartë i opozitës së sotme, që nuk mund të çbëhet më. Del ndonjë si Bogdani apo Bregu, që pretendojnë se fitorja në fund do t’u buzëqeshë atyre, por me këta as nuk duhet qeshur, pasi me këtë tregojmë se i marrim sadopak seriozisht.
Në anën tjetër, ka opozitarë optimistë që rezultatin që ka dalë nga numërimi i votave deri më tani e shtrijnë në kohë deri në përfundim të procesit të numërimit, dhe për rrjedhojë bëjnë parashikime “shock”. Maxhorancës së ardhshme i japin 84 vende në parlament, dhe maxhorancës së sotme i japin 56 vende. Si zor që humbja e Berishës të jetë në këto nivele (nëse po, do duheshin nxjerrë ca përfudnime të rëndësishme, por le të presim më mirë para se të ngutemi), por janë të gjitha gjasat që koalicioni Rama-Meta të kapë pa frikë 78 deputetë në rastin më “katastrofik” për ta. Ndërsa 84 deputetët do të përbënin një rast ideal për opozitën, dhe një rrethanë që do të bënte të gjithëve t’i bënim ndryshe, shumë ndryshe, llogaritë, arsyetimet, pritmëritë dhe frikërat për nesër, etj. Por po e lë këtë skenar, si tepër futurist.
Po përmbushet “profecia” e kompanisë italiane të sondazheve, IPR Marketing, e cila në vijimësi gjatë muajit të fundit ka dhënë pak a shumë këtë rezultat që po verifikohet. Pakkush i ka besuar shifrat që dhanë përfaqësuesit e kësaj kompanie, dhe aq më pak i kanë besuar shifrat që u dhanë për exit poll-in, menjëherë pas mbylljes së qëndrave të votimit. Kam dëgjuar opinione përqeshëse për këo shifra. Unë vetë isha në një ndërdyshje të siletshme. “Ky njeri, tok me të vetët”, thoja parmbrëmë për Antonio Noto-n, Presidentin e kompanisë në fjalë që mori përsipër t’i mbronte vetë rezultatet faqe botës, “ose e dinë mirë se ç’po bëjnë, ose po bëjnë një të pabërë kolosale pa e ditur”. Në fakt, rezultoi që ish e para. Ata e dinin mirë se ç’po bënin. Ata kanë lexuar saktësisht atë që ne të këtushmit s’kemi mundur ta lexojmë. Dhe të vjen të pyesësh veten, apo ta shtrosh si pyetje për të gjithë: Pse vallë ne të tjerët, ne aktorët lokalë pra, nuk kemi mundur ta vëmë re këtë frymë gati plebishitare kundër regjimit të Sali Berishës? Pse vallë as partitë e opozitës nuk kanë qenë në gjendje ta parashikojnë këtë që po ndodhte?
Ka një numër arsyesh në këtë mes. Së pari, është media që ka krijuar një realitet tjetër, që s’ka lidhje me – më ndjeni për këtë togfjalësh tautologjik – realitetin real. Dhe kjo ka ardhur më së shumti nga edicionet informative të televizioneve, të cilat kanë qenë në stilin propagandistik. Propaganda në një numër rrethanash ka qenë e shpërndarë në mënyrë të balancuar, sidomos gjatë fushatës, por në disa televizione ka qenë e dominuar nga ideja se regjimi mbahej fort, dhe se shqiptarët kanë qenë të kënaqur me mënyrën se si rridhnin gjërat këtyre anëve. Nga ana tjetër, opinionistët e analistët që kanë marrë pjesë në studiot e debateve kanë qenë të ndarë në mes; pothuaj gjysma e tyre i janë mbajtur idesë se regjimi nuk ishte regjim, përkundrazi ishte një mrekulli që ekzistonte për fatin tonë të mirë, dhe gjysma tjetër i janë mbajtur idesë së kundërt. Vektori rezultant ka prodhuar një mesazh neutral.
Së dyti, vetë fushata e koalicionit të djathtë, për shkak të mobilizimit të pazakontë elektoral e për shkak të parave që janë hedhur pa hesap, krijoi iluzionin se mbështetja në favor të tij vijonte të ish në nivele spektakolare. Duhet thënë se opozita i harxhoi të gjitha bateritë (“bateritë”, në të gjitha kuptimet), gjithashtu, duke ia dalë të organizojë një fushatë po njësoj spektakolare, dhe pikërisht kjo gjendje ka krijuar në rastin më të mirë idenë e një gare sup më sup.
Së treti, dhe ndoshta më e rëndësishmja, e gjitha ka të bëjë me vetë regjimin. Regjimet krijojnë mitin e pathyeshmërisë së tyre. Kam takuar plot opozitarë katër vitet e fundit, të cilët ishin me idenë se “Berishës nuk ke ç’i bën”, ishin të sigurtë se opozita nuk ka fuqi t’i mbrojë votat, se Berisha i ka të gjitha në dorë për të bërë një manipulim të rezultatit, se ai kot nuk i shtiri në dorë të gjitha institucionet e shtetit, se ai e tregoi me Tiranën që është në gjendje ta bëjë manipulimin sy për sy të atyre që vëzhgonin, dhe të mos i hyjë asnjë gjemb në këmbë, se ai arriti të urdhërojë vrasjen e katër protestuesve në bulevard, dhe nuk reshti së qeni arrogant dhe i pacipë me të gjithë (madje, dhe Arvizu-së që në atë rast iu ndodh fatalisht pranë, nuk i demonstroi as respekt, as mirënjohje), etj, etj. Të gjitha këto pra i bënin opozitarët që të ishin të frikësuar, dhe gati-gati të dorëzuar.
Së katërti, regjimet nuk të lejojnë ta sondosh opinionin me sy të lirë. Regjimet krijojnë një klimë hegjemonie e homogjeniteti. Ato krijojnë dhe një klimë frike, gjithashtu, e në këtë klimë frike secili e ka të vështirë të kuptojë se çfarë mendon secili. Në rastin tonë, kjo klimë frike kish pushtuar biznesmenët dhe pjesëtarët e administratës publike, të cilëve u kërkohej të mos hidhnin vickla opozitare, përndryshe u mbinin te dera tagrambledhësit, apo u jepej në dorë pusulla e shkarkimit nga puna. Dhe kjo nuk është sendërgjí. Kjo ka ndodhur gjithë kohën. Vetëm të liqtë e idiotët nuk kanë mundur ta vënë re, e ta denoncojnë.
Mobizilimi i administratës publike dhe shtrëgimi që u bëhej punonjësve të saj për të marrë pjesë në tubimet elektorale të PD-së ka qenë një nga gjërat më të shëmtuara që kanë ndodhur këtyre anëve pas rrëzimit të regjimit komunist. Berisha ia doli të ndërtonte një polici të vetën, një gardë të vetën, një ushtri të vetën (prandaj hoqi dhe tre gjeneralët gjatë muajit të fundit), një TVSH të vetën, shërbime sekrete të vetat, etj, por nuk besohej se do të arrinte që ta shtrinte dorën e vet të rëndë tek arsimi e tek administrata. Ndodhi më shumë se njëherë gjatë fushatës, por edhe para fushatës, që janë mbyllur shkollat e janë nxjerrë nxënësit në rrugë për të pritur e brohoritur Berishën apo Topallin, ndodhi disa herë që Berisha merrte takim me fëmijët e shkollave dhe u fliste atyre për ligësinë e antishqiptarizmin e Edi Ramës (ky gjest ka qenë një nga më perversët që ka bërë ky njeri), ndodhi shpesh që punonjësit e administratës mobilizoheshin për qëllime partiake. Me siguri, disa mijra prej këtyre punonjësve të administratës kanë votuar kundër regjimit më datë 23 qershor, por është e habitshme se si denoncimet e presioneve që ushtroheshin mbi ta kanë qenë me pikatore.
Të gjitha sa më sipër, por ndoshta dhe arsye të tjera, e kanë bërë të vështirë të besohej se shqiptarëve u kish ardhur në majë të hundës deri në këtë farë feje, e se kishin një ndjeshmëri të tillë ndaj një regjimi të tillë. Mirëpo, po rezulton e kundërta: Shqiptarët kanë mjaft cene si qytetarë e si shtetas, por si votues, nëse lejohen të zgjedhin të lirë brenda kutisë së votimit, kanë instiktin të mos gabojnë. Ata me votë rrëzuan një regjim të ndyrë. Tani do duhet të jenë vigjilentë, pasi vetë ata, ne të gjithë dmth, kemi talentin për t’i falur besim e mbështetje një dore të fortë. Edi Rama na është ofruar edhe si i tillë, dmth si një dorë e fortë. Por nuk është kjo, për të cilën kemi nevojë, Ne na duhet një shtet ligjor, një demokraci funksionale, dhe një drejtim i vendit me autoritet e me përunjësi. Që të trija këto kanë lidhje me dorën e fortë aq sa ka lidhje Berisha me fitoren e zgjedhjeve më 23 qershor 2013.
Shqip