ADRIAN CIVICI, 25.06.2010
Reforma e financimit të Arsimit të Lartë në Shqipëri, duket se është tashmë një nevojë e domosdoshme, në radhë të parë për vetë cilësinë dhe perspektivën e universiteteve. Artikulimi publik në nivele politike, akademike apo financiare,e thelbit dhe qëllimit të kësaj reforme shumë të rëndësishme, ka ngjallur natyrshëm interesin dhe pjesëmarrjen në debat të mjaft ekspertëve të arsimit, financave, menaxhimit, institucioneve publike, etj.
Në fund të fundit, bëhet fjalë për një reformë që pritet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e financimit të universiteteve, format dhe metodat e administrimit dhe vendimmarrjes në to, hierarkinë e kompetencave dhe shkallën e autonomisë të mjaft strukturave të tyre. Sa më e plotë të kuptohet, konceptohet dhe aplikohet kjo reformë, ndoshta më e rëndësishmja në Arsimin e Lartë shqiptar në këto 20 vitet e fundit, aq më eficente pritet të jenë efektet e saj praktike. Ka ardhur koha të largohemi nga qëndrimi se “kaq janë mundësitë për financimin e universiteteve”, se “nga viti në vit po rritet përqindja e financimeve në arsim në raport me PBB”, etj.
Ky është një këndvështrim pjesor. Jemi akoma larg niveleve të financimit, në krahasim me vendet e BE, Kanadanë, SHBA, etj. Financojmë afërsisht 0,5-07% të PBB për universitetet, ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE-së është 1.7 – 2.2% të PBB, Kanadaja 2.5% të PBB, SHBA 2.7%, Japonia mbi 3%, etj. Ajo që bën diferencën në këtë rast, nuk është vetëm ndryshimi në përqindjen e financimit në raport me PBB, ku duket se ne jemi ndjeshëm larg, por edhe fakti se pothuajse në asnjë vend universitetet nuk financohen tërësisht nga fondet publike apo tërësisht nga ato private.
Në këtë këndvështrim, për reformën e financimit të Arsimit të Lartë duhen analizuar tre elemente të rëndësishme, duke synuar që ta zhveshim atë nga paragjykimet politike apo institucionale, frika ndaj një ndryshimi kaq substancial, krahasimi në mënyrë mekanike me modele apo vende të tjera, gjykimi vetëm i disa aspekteve të veçanta të tij, etj.
Së pari, qartësimi i qëllimit dhe objektivave kryesore të kësaj reforme. Në thelbin e saj, ajo duhet të synojë gjetjen e një mënyre të re të shpenzimit apo përdorimit të parave publike në Arsimin e Lartë. Stimulimi i një sistemi që krijon dhe gjeneron burime të reja dhe shumë më të mëdha financiare se sa thjesht dhe vetëm buxhetin e shtetit, si dhe një mekanizëm që mënyrën e financimit e kthen edhe në një instrument nxitës të fuqishëm për cilësinë dhe performancën e universiteteve.
Kolona vertebrale e kësaj reforme është kalimi nga financimi vetëm i ofertës, d.m.th., vetëm i universiteteve publike, në financimin e kërkesës, pra studentëve, pavarësisht se cilin lloj universiteti, publik apo jo-publik zgjedhin ata. Do të jenë studentët ata që duke preferuar fakultetet apo universitetet, do të bëhen faktor nxitës e seleksionues për rritjen e cilësisë dhe standardeve të ofertës universitare. Nën këndvështrimin e fondeve publike, kjo skemë është e njëjtë me “kuponin e edukimit” (voucher), sepse është studenti ai që e përfiton dhe mbart me vete këtë kupon të financuar nga fondet publike, duke zgjedhur dhe universitetin përkatës.
Gara për të thithur sa më shumë studentë, dhe për pasojë sa më shumë financime do të ketë vetëm një “pistë”: cilësinë e studimeve universitare dhe përshtatjen maksimale të programeve të studimit e diplomave me kërkesat e tregut të punës. Përballë vështirësive të buxheteve publike për të financuar tërësisht Arsimin e Lartë, konsiderohet e gabuar tendenca për ta përmbledhur sistemin universitar vetëm nën ombrellën e sektorit publik, ndërkohë që synohet për ta bërë atë një shërbim publik sa më cilësor, të mbështetur e financuar nga të gjithë aktorët e interesuar të shoqërisë.
Së dyti, vendosja në kushte të barabarta e të gjithë universiteteve shqiptare, publike ose jo-publike, vetëm në raport me standardet cilësore dhe zbatimin rigoroz, si të kërkesave të “ligjit të Arsimit të Lartë” ashtu edhe nivelit të implementimit të “Kartës së Bolonjës”. Kujdes të veçantë kërkon edhe trajtimi e vlerësimi i universiteteve si “pasuri publike” apo si “të mira publike” me interes të lartë kombëtar, pa i diferencuar ato thjesht nga forma e pronësisë apo financimit. Të gjithë universitetet, publike dhe jopublike, duhet të jenë në kushte të barabarta për të “fituar” studentin, pa u diskriminuar, si ka ndodhur deri tani, duke filluar nga elementi “çmim i studimeve”. Nga ana tjetër, edhe të gjithë studentët duhet të jenë të barabartë në shpenzimet që bëjnë për t’u edukuar dhe formuar profesionalisht në universitet.
Sado që të vazhdojmë me rritjen e kuotave të pranimeve në universitetet publike, shpesh pa shumë sens e në dëm të cilësisë e mundësive reale të tyre, përsëri, të paktën 25-30% e kërkesave mund të plotësohen vetëm në universitetet jo-publike. Pra, të gjitha këto familje detyrohen të paguajnë 2-3 herë më shumë për të shkolluar fëmijët e tyre. Në këtë rast, institucionet vendim-marrëse duhet të fokusohen në hartimin e një politike publike universitare cilësore, për të garantuar një shërbim publik cilësor, që ka në plan të parë kontrollin dhe garantimin e performancës së kërkuar nga gjithë sistemi universitar, pavarësisht llojit të tij publik apo jopublik.
Së treti, garantimin e një autonomie reale e substanciale për universitetet publike, për hapësira vetëmenaxhimi për të motivuar stafet, për të çliruar energjitë e potencialet e pedagogëve dhe studentëve. Niveli i autonomisë financiare të tyre është ende i brishtë dhe i limituar, ndaj ka nevojë urgjente që universitetet publike të menaxhohen përmes mekanizmash bashkëkohorë duke futur në universitetet publike mekanizmat e tregut, të cilat e kanë provuar epërsinë e tyre në të gjithë sektorët dhe po ashtu në sistemet universitare më të avancuara në botë.
Këto universitete duhet të kenë lirinë dhe hapësirën më të madhe të mundshme për stafet akademike dhe drejtuese të tyre, në mënyrë që të përcaktojnë vetë kuotat, tarifat, investimet për infrastrukturën mësimore dhe kërkimin shkencor, zgjerimin e kapaciteteve, nivelin dhe standardin e pagave, krijimi i çdo hapësire të mundshme ligjore për sigurimin e të ardhurave suplementare dhe tërheqjen e financimeve të ndryshme nga ana e tyre; etj. Natyrisht që reforma e financimit të Arsimit të Lartë duhet të ketë në thelbin e saj edhe këtë çështje mjaft sensitive.
Koncepti dhe thelbi i kësaj reforme është i thjeshtë në përmbajtjen dhe objektivat e tij, por realizimi praktik duket se kërkon disa reforma e vendime politike të rëndësishme.
Eksperienca e mjaft vendeve që e kanë zbatuar apo janë në diskutim për ta zbatuar, është e larmishme dhe ndryshon në mjaft elemente ndaj njëri-tjetrit, çka e bën të vështirë “kopjimin” apo adoptimin e një modeli të vetëm. Pothuajse në të gjitha vendet aplikuese të këtij sistemi, përveç koncepteve të përgjithshme evidentohen mjaft “kufizime” dhe “rregulla” specifike, të cilat duhen të kenë një përgjigje, duke u bazuar në eksperiencën dhe mundësitë shqiptare. Në kontekstin shqiptar, duket se çështjet themelore që po shkaktojnë debat, por që mbi të gjitha kërkojnë politika e vendime specifike për të cilat kërkohet konsensus i gjerë, sidomos në mjediset universitare dhe vendimmarrëse.
Pyetja e parë dhe më e rëndësishme duket se është: si do të bëhet përcaktimi i universitetit “ligjërisht të përshtatshëm” për të përfituar nga fondet publike, sipas sistemit të financimit bazuar tek studenti? Këtu duhen zgjidhur dy çështje të rëndësishme: realizimi sa më shpejt i procesit të “klasifikimit” apo “rating-u” i universiteteve dhe ndryshimi i statusit të universiteteve private, duke synuar një orientim të tyre drejt fondacioneve apo organizatave jo-fitimprurëse. Pyetje tjetër e rëndësishme: cili duhet të jetë përcaktimi i “studentit ligjërisht të përshtatshëm” për të përfituar nga fondet publike, mesatarja e notave, rezultatet e Maturës Shtetërore, statusi social, etj.
Më e përshtatshme, në stadin ku ndodhet Shqipëria mendoj se do të ishin rezultatet e Maturës Shtetërore dhe diferencimi i studentëve në raport me to. Kjo do t’i jepte rëndësinë dhe peshën e duhur vetë sistemit të Maturës Shtetërore. Pikëpyetje të tjera që kërkojnë debat e sugjerime konkrete janë gjithashtu edhe ato që lidhen me vlerën e fondeve publike, që do të përfitojë çdo student dhe çfarë elementesh duhet të mbulojë ajo (studimet, jetesën, etj.); Përcaktimi i “çmimit i studimeve” nga çdo universitet dhe cila do të jetë e drejta e universiteteve për të aplikuar tarifa shtesë për studentët që regjistrohen me “kuponin edukimit”?;
Si do zgjidhet problemi apo menaxhohen efektet për degët apo fakultetet pa kërkesa për regjistrime, degët me interes kombëtar, universitetet rajonale apo shumë të specializuara, etj., për të cilat do të duhen detyrimisht politika të veçanta dhe mbështetje speciale e mirë-orientuar; Si do të bëhet financimi i universiteteve dhe cilat do të jenë kriteret për zgjerim kapacitetesh, përmirësim të infrastrukturës, laboratorë e pajisje, kërkim shkencor, etj.?
Të gjithë universitetet duhet të kenë të drejtë të aplikojnë për financime publike dhe kriteri i vetëm i fitimit të tyre duhet të jetë përdorimi cilësor i fondeve publike dhe përputhja e përdorimit të tyre me objektivat e strategjisë kombëtare të zhvillimit të Arsimit të Lartë. Së fundi, çfarë formash të tjera financimi publik ose jo-publik mund të jenë të nevojshme dhe të pranueshme për universitetet?, dhe adresimi i çështjes se si do të funksionojë sistemi i bursave të meritës, bursave sociale, bursave për arsye të veçanta, sistemi i kredisë studentore,etj., të cilat janë elementet e rëndësishme në funksionimin dhe efektivitetin e krejt reformës së financimit?