Pse i duhet thënë PO “Dekretit për shkishërim”?

0
87

TONIN GJURAJ, 24 shtator 2012

Kohët e fundit ka pasur një shtim të frikshëm të numrit të vrasjeve për gjakmarrje, hakmarrje apo motive të tjera, veçanërisht në Veriun e vendit. Kjo situatë ka alarmuar, me të drejtë, opinionin e gjerë publik në Shqipëri, por, në veçanti, Kishën Katolike. Dëshmi e këtij alarmi ishte edhe vendimi i Arqipeshkvisë së Shkodrës, Sapës dhe Lezhës, për shkishërimin e të gjithë atyre katolikëve që vrasin për gjak, me anë të shpalljes së një dekreti të veçantë. Dekreti ka ardhur, me sa duket, si reagim i pafuqisë së shtetit dhe institucioneve të tjera sociale, përfshirë edhe shoqatat e shumta të pajtimit të gjaqeve, ndaj vrasjeve të shumta, veçanërisht gjatë këtij viti, si rrjedhojë e gjakmarrjes.

Po t’i bëjmë një analizë të shpejtë sociologjike institucionit të fesë, në perspektivën Weber-iane, mund të thuhet, pa hezitim, se ajo ushtron ndikim në strukturën shoqërore dhe shfaqet si një forcë potente për ndryshim social. Feja priret të jetë racionale dhe lidhet edhe me ndikimin e individëve karizmatikë, siç janë, në shumicën e rasteve, misionarët dhe/apo udhëheqësit fetarë katolikë. Rëndësia e fesë në përcaktimin dhe rregullimin e sjelljes shoqërore ka bërë që reagimi i klerikëve katolikë: Imzot Angelo Massafra dhe Imzot Luçiano Agustini, të ngjallë interes dhe të komentohet gjerësisht prej opinionit publik.

Në këtë kontekst, dekreti i shpallur meriton vëmendje dhe i duhet thënë “PO” për disa arsye. Së pari, nisur nga fakti se personi njerëzor është i patjetërsueshëm, dekreti ka të bëjë drejtpërsëdrejti me mbrojtjen e shenjtërisë së individit, i cili është parim sublim për fenë katolike. Simbolika e këtij dekreti është shumë e madhe, por pesha e ndëshkimit, edhe pse e rëndë, është e merituar për një katolik që vret.

Së dyti, dekreti, si akt dhe simbolikë, tregon qartë superioritetin jo vetëm moral, të institucionit social të fesë mbi institucionet e tjera sociale, si: familja, shkolla, masmedia, ekonomia dhe qeverisja. Ai nxjerr në pah një rol të ri social të Kishës Katolike, si shprehje e drejtpërdrejtë e përgjegjshmërisë së saj dhe një vëmendjeje më të madhe ndaj kontekstit social e kulturor ku vendoset dhe shërben feja. Edhe pse ndoshta pak i vonuar, dekreti përbën, megjithatë, një akuzë të fortë kundër institucionit të qeverisjes dhe sistemit të drejtësisë, të qeverive shqiptare të pas viteve ’90, të cilat dështuan en bloc në zhdukjen e kësaj dukurie negative.

Dekreti nuk është mjet i Kishës Katolike për kontroll social (sipas perspektivës marksiste), por një rizgjim i saj, si reagim ndaj “pushteteve të munguara”. Së treti, individi i shkishëruar do të ndihet i margjinalizuar, po t’i referohemi përkatësisë së tij/saj në një komunitet moral, si një element tjetër i rëndësishëm i fesë. I shkishëruari nuk do të lejohet të besojë më tej se ndan me të tjerët vlera dhe besimin e përbashkët, qoftë dhe nominalisht, pasi janë pikërisht vlerat dhe mënyrat kulturore të njerëzve që ruajnë tek ata sensin e identitetit dhe solidaritetit.

Duke besuar se brenda të njëjtit komunitet moral, individët kultivojnë vlera, zakone dhe rite të përbashkëta, në përputhje me kodin moral që kanë pranuar të gjithë anëtarët e komunitetit, pas shkishërimit, pritet, përtej krimit të kryer, të ndodhë, të paktën, pendimi. Në fund të fundit, një fe e caktuar portretizohet nga raportet ndërmjet misionarëve të fesë, librave të shenjtë dhe besimtarëve, nga mënyra se si ata funksionojnë, si dhe nga ritet dhe kodet që udhëheqin komunitetin. Së katërti, si çdo institucion, feja ka rregullat e veta të jetës në komunitet. Këto rregulla përbëjnë “ligjin” e komunitetit dhe zbatohen me përpikëri nga anëtarët.

Çdo komunitet fetar respekton dhe zbaton masat e veta “të ndëshkimit” dhe “të shpërblimit” për anëtarët. Ndëshkimi maksimal është përjashtimi nga komuniteti, kështu që kush vret, duhet të dënohet maksimalisht. Kjo është arsyeja që shumë prej rregullave ose normave të institucionit të fesë gjejnë fushë veprimi edhe në shoqëri, prandaj dhe institucioni i qeverisjes huan drejtpërsëdrejti ose indirekt, norma ose rregulla të institucionit të fesë dhe formulon madje shumë nga ligjet e veta. Siç thotë Rousseau-i, “të gjitha ligjet kanë origjinë hyjnore”.

Natyrisht që ka dyshime lidhur me disa teknikalitete të dekretit, për shembull, se si do të veçohet apo dallohet bashkëpunëtori në vrasje prej vrasësit, apo ata që ndihmojnë vrasësin. Po ashtu, nëse dikush vret, si do të ndreqet padrejtësia e bërë që parasheh dekreti, apo si do të veprojë Kisha nëse kushdo, përfshirë edhe Kishën, njeh vrasësin, ekziston bindja që ai/ajo kanë bërë vrasjen, por vrasësi mund të mos kryejë dënimin e paraparë prej ligjit (ka pasur dhe ka me dhjetëra raste të tilla), sepse me Drejtësinë në vend kanë ndodhur dhe po ndodhin “çudira të mëdha”.

“Nuk ka të fajshëm apo të pafajshëm, – thotë një avokat i njohur, por ka avokat të mirë dhe avokat të keq”. Kush është praktikant i rregullt katolik njeh dhe zbaton një prej urdhrave të Zotit: “Mos vra”. Kështu që kush vret, nuk është besimtar, ose një besimtar dhe praktikant i rregullt i kishës nuk mund të vrasë, prandaj dhe dekreti pritet të paraqesë vështirësi në zbatim. Po ashtu, problemi është se gjaqet tani, në përgjithësi, nuk ndjekim parimet e Kanunit, por vetëm një ide të mjegullt të tij, kështu që Kisha ndërhyn dhe vepron, duke qenë midis deformimit të Kanunit dhe mosfunksionalitetit të shtetit. Në këto rrethana, dekreti është vendim i guximshëm, sepse vë në provë vetë autoritetin e Kishës dhe koha do të tregojë se sa e suksesshme do të jetë si iniciativë.

Në përfundim, përtej këtij akti, sot kërkohet një rol edhe më i madh i kishave për ndërmjetësim, për parandalimin e konflikteve në territoret (famullitë) ku ata shërbejnë, sa kohë ekziston një konflikt apo ngatërresë midis individësh katolikë apo familjesh të tilla, pasi Kisha disponon njerëz shumë të zotë për të negociuar dhe ndërmjetësuar, si dhe gëzon autoritet moral të padiskutueshëm. Sado dyshues apo mosbesues të jemi, dekreti sapo ka dhënë, në fakt, impaktin e parë pozitiv: ka rizgjuar shtetin. Kryeministri, pas dekretit, ka propozuar ndryshime thelbësore në Kodin Penal, duke kërkuar ndëshkim maksimal për ata që vrasin për gjakmarrje. Le të shpresojmë në impakte të tjera pozitive…