Pse është Thaçi optimist?

0
33

Nga. SHKELZEN MALIQI, 13 Tetor 2010

Si sot dhjetë vjet më parë, Dr. Ali Spahia ndërroi jetë në një spital në Pavia (në veri të Italisë), i rrethuar nga miqtë, i ngushëlluar deri në ditët e fundit të jetës së tij nga gruaja dhe familja të cilën e donte aq shumë. Unë isha – dhe akoma jam – një nga miqtë që kishin privilegjin të ndjekin nga afër aktivitetin e tij politik që në kohën kur punonte si kryetar i Bashkisë së Shkodrës dhe gjatë gjithë karrierës së tij si deputet (1991-1997) dhe si një nga udhëheqësit kryesorë të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Viti 2000 shënon për ne sot vetëm gjysmën e rrugës që nga fillimi i kthesës vendimtare politike për Europën dhe Shqipërinë në vitin 1990. Dhjetë vjet më pas, Shqipëria vuante ende pasojat e ngjarjeve traumatike të 97-s dhe në të njëjtën kohë duhej të përballej me pasoja të rënda të luftës në Kosovë në 1999-n. Por drejtimi i vendosur politik që Shqipëria kishte zgjedhur dhe ndërmarrë në fillim të viteve ’90, falë politikanëve kurajozë si Ali Spahia, nuk ishte vënë kurrë në diskutim.

Në të vërtetë, nuk kishte mëdyshje për aspiratën europiane të Shqipërisë, gjë që ishte konfirmuar me anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës, më 13 korrik, 1995, një nga arritjet kryesore të përpjekjeve politike të Ali Spahisë. Përpjekjet e Shqipërisë drejt Europës çuan në anëtarësimin në NATO, si dhe në aplikimin formal për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2009, me një perspektivë pozitive të deklaruar nga vetë BE-ja. Pas pak ditëve, shqiptarëve do t’u jepet e drejta të lëvizin lirshëm dhe pa viza në shumicën e vendeve të Europës!

Dr. Ali Spahia vizitoi Këshillin e Europës në Strasburg që në vitin 1991, për të filluar programet e para të asistencës europiane për vendin e tij duke hedhur bazat për pjesëmarrjen e Shqipërisë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit si dhe në Kongresin e Autoriteteve Lokale e Rajonale. Që në vitin 1992, ai për pesë vjet ishte anëtar, dhe më pas kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë pranë Këshillit të Europës.

Në këtë funksion, Ali Spahia, sëbashku me politikanë të tjerë, luajti një rol aktiv në diskutime e fjalime për çështje si shpërbërja e ish-Jugosllavisë, politika e Shqipërisë në Ballkan, zhvillimet në Shqipëri si dhe për anëtarësimin e mëtejshëm të disa vendeve të tjera të Europës Lindore (ish-Bashkimi Sovietik) në familjen e vendeve demokratike të Këshillit të Europës. Angazhimi i Ali Spahisë vlerësohej gjithmonë shumë pozitivisht nga kolegët e tij nga shumë shtete nga të cilët gëzonte respekt dhe shpesh herë interesim dhe mbështetje miqësore, jo vetëm për diskutimet e tij brilante, për durimin dhe vëmendjen e tij të jashtëzakonshme, por edhe për kontributet e mirëpërgatitura dhe mirëarsyetuara gjatë diskutimeve.

Vetë Dr. Ali Spahia ishte një europian i vërtetë. Ai ndiente personalisht shumëllojshmërinë e pasur dhe të gjithanshme të traditave kulturore europiane si një eksperiencë jete. Për të, Europa ishte rruga drejt arritjeve më të larta të mundshme të njerëzimit bazuar në lirinë fizike dhe shpirtërore të gjithsecilit si dhe njohja dhe vlerësimi i dinjitetit të çdo individi pa asnjë dallim. Liria është çelësi në këtë vizion të botës dhe të njerëzimit, liria e bazuar në hapjen e mendjeve të njerëzve dhe të shoqërisë, e kombinuar me një sens real të përgjegjësisë personale dhe shoqërore.

Ai kurrë nuk ishte dakord me idenë që Europa ishte thjesht një bashkim për rritje ekonomike. Atë e shqetësonin problemet që mund të lindnin në një vend ku mendjet e njerëzve janë të përqendruara vetëm tek paraja dhe përfitimi ekonomik.

Ai ndante gjithmonë shqetësimin kryesor për siguri dhe stabilitet për bashkëkombësit dhe për kombin e tij në raport me fqinjët.
Por ai ishte gjithashtu i bindur se bashkëqytetarët dhe vendi i tij meritonin më shumë se thjesht prosperitet dhe stabilitet. Europa në fakt, është me të vërtetë më shumë se aq! Ajo do të thotë pjesëmarrje e barabartë ndërmjet qeverive dhe institucioneve, dhe madje akoma më shumë ndërmjet vetë njerëzve, përtej kufijve kombëtarë në të gjithë Europën pa linja ndarëse.

Është një rreze e gjerë bashkëpunimi gjithëpërfshirëse europiane. Është integrimi i të gjithëve në një projekt dhe vizion të përbashkët europian për të ardhmen, që është krijimi, konsolidimi dhe shijimi i një zone të gjerë demokracie të vërtetë, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Për Dr. Spahinë ishte padyshim kështu. Në jetën e tij politike, ai kishte kaluar një sërë përvojash që kishin lidhje me politikën në një sens demokratik: Nuk është lufta për pushtet si një pronë private, por për ndarjen e përkohshme dhe të revokueshme të kompetencave dhe përgjegjësive. Të gjithë pjesëmarrësit, partia në pushtet, opozita si dhe qeveria, janë partnerë që luajnë dhe shkëmbejnë role të ndryshme në të njëjtën lojë.

Kundërshtarët nuk janë armiq, por të lidhur bashkë për të mirën e ndarjes së përgjegjësive dhe për funksionimin e rregullt të institucioneve demokratike. Në të vërtetë, Ali Spahia kishte një koncept shumë kërkues ndaj rolit të politikanëve, i karakterizuar nga njëra anë nga mungesa e interesit personal, nga integriteti, modestia, sensi i drejtësisë dhe përmbajtjes (personalisht urrente vjedhjen dhe korrupsionin) dhe nga ana tjetër nga besimi dhe përgjegjësia strikte personale.

Në të gjitha këto aspekte, Dr. Ali Spahia i ka lënë vendit të tij një trashëgimi të rëndësishme shpirtërore dhe ka veçanërisht një aspekt ku trashëgimia e tij është shfrytëzuar me rezultate jashtëzakonisht pozitive, ky aspekt është pozicioni i sotëm i Shqipërisë në Europë. Vitet e fundit, Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm në rrugën e saj drejt Europës të shtruar më herët nga politikanë si Ali Spahia. Sot, Shqipëria është fare pranë integrimit të plotë në Europë dhe në institucionet e saj të përbashkëta më të përparuara.

Shqipëria respektohet si një partner aktiv në një sërë programesh dhe projektesh të bashkëpunimit europian dhe si një faktor i besueshëm dhe stabilizues në rajon. Shqiptarët e kanë mundur pesimizmin dhe kanë besim në të ardhmen e tyre, ata gëzojnë lirinë e tyre për iniciativa të suksesshme individuale dhe kolektive dhe më në fund shqiptarët janë në gjendje të lëvizin lirshëm përtej kufijve dhe të ndërveprojnë me popujt e tjerë në të gjithë Europën; në të njëjtën kohë ata po përjetojnë rritjen e lëvizshmërisë brenda territorit të tyre dhe lidhje të shpejta me vendet fqinje.

Çfarë arritjeje e admirueshme krahasuar me gjendjen e para 20 vjetëve!
Unë jam i sigurt që askush nuk do ishte aq thellësisht i padrejtë sa të injoronte meritat e pafund të Dr. Ali Spahisë për këtë arritje.
Ai do të mbetet përherë në kujtesën tonë një europian i vërtetë dhe njëkohësisht një shqiptar i madh.
Për mua ai mbetet miku im. Nëse më pyesni përse, unë do të përgjigjesha si Montaigne: sepse ishte ai!

*Ish-drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve Politike në Këshillin e Europës