Nga Mero Baze
Disa javë më parë, Sali Berisha fliste ndryshe. Ai qeshte dhe bënte ironi duke thënë se Besnik Dervishin e frikësoi Edi Rama duke i vënë tritol në Kryeministri. Pastaj qeshte dhe bënte ironi me aktet e tjera terroriste, me vrasjet, me tritolin që shpërthente nëpër makina dhe quante atentate vetëm ato që u ndodhnin njerëzve të tij. Në përkeqësimin e dukshëm të rendit, sidomos muajin e fundit kur vrasjet me tritol u bënë lajme të përditshme, në fjalorin e Sali Berishës ndjehej një relaksim dhe një dozë e shtuar ironie për përballjen e policisë me këtë situatë.
Pati një koment nga Fatos Lubonja, që i kërkonte prokurorisë të ndërhynte në hetime dhe të verifikonte nëse tritoli ishte vënë vetë apo ishte akt terrorist, për të mos lejuar spekulimin me terrorin, por si përgjigje mori një sulm të egër të Berishës krejt të pajustifikuar për atë që e sulmonte.
Kjo histori vazhdoi dhe në enturazhin e Berishës, dhe ironia me gjendjen e rëndë të rendit u bë një mënyrë për të bërë opozitë. Në një situatë të mbushur me lajme të këqija për rendin, në të vërtetë opozita duhet të jetë e ashpër dhe ndoshta dhe nervoze, por opozita jonë ishte e relaksuar dhe ironike.
Dje, kur polica bëri hapin e parë të madh në identifikimin e një grupi terrorist, që kishte vënë në shënjestër zyrtarë dhe biznesmenë, Sali Berisha humbi qetësinë dhe filloi të ulërasë në parlament totalisht jashtë kontrollit. Kjo ka shtuar paranojën se krimi ka mes të tjerash dhe një frymëzim politik, sidomos kur ndodh që disa orë pas bilancit spektakolar të policisë, hidhet sërish në erë makina e një biznesmeni italian, që ka një konflikt biznesi me një tropojan.
Por sa mund të qëndrojë në këmbë kjo paranojë?
Sali Berisha nuk është një tip efiçent në kontrollin e krimit. Ai nuk është një njeri i aftë, siç kërkon të shitet, që të ketë celulat e veta terroriste dhe atentatorët e tij, që i komandon. Ai nuk është as ndonjë strateg krimi apo takticien i akteve kriminale. Por Sali Berisha është një përdorues i shkëlqyer i krimit për të bërë politikë në këtë vend.
Sali Berisha mund të mos urdhërojë kurrë një vrasje në mënyrë direkte, por gjithmonë u lë të kuptojnë bashkëpunëtorëve të tij të botës së krimit, se do shpërblehen vetëm kur të bëjnë punë. Dhe ai përzgjedh mes punëve të tyre për të shpërblyer. Nëse dikush qëllon një kundërshtar të Sali Berishës, ai shpërblehet duke mos u arrestuar kurrë. Nëse dikush djeg apo hedh në erë një makinë, ai bëhet favorit i familjes së tij. Nëse dikush vret dhe merr gjak për Sali Berishën, ai bëhet bodigard apo biznesmen i familjes së tij. Nëse dikush vret një kundërshtar të Sali Berishës, ai ka të garantuar karrierën dhe biznesin e tij. Kjo është filozofia me të cilën Berisha ia ka dalë ta përdorë krimin për qëllimet e veta politike. Ai është ndoshta politikani më i aftë shqiptar në këtë drejtim, që ka arritur të përdorë jo vetëm krimet e të vetëve, por dhe krimet e kundërshtarëve, bile dhe vdekjet e Zotit, në favor të tij për politikë.
Në rastin konkret, Sali Berisha ka muaj të tërë që po përpiqet t’i japë sinjale të forta botës së krimit se ai është një aleat i tyre. Ai punoi fort me një strategji politike të thyente mitin e policisë dhe Ministrisë së Brendshme. Saimir Tahiri u bë njeriu më i sulmuar i tij, ende pa filluar punë, dhe retorika e vetme e tij që nga shtatori është ironia me pafuqinë e shtetit për të vendosur rendin.
Kjo mënyrë të sjelluri është në logjikën e përdorimit të krimit të tij, në shkollën e vet të përfitimit prej thyerjes së shtetit dhe triumfit të krimit në rrugë. Ai nuk la asgjë pa përsëritur që nga tritoli në shtylla që na riktheu në vitin 2000 e deri tek vënia në dispozicion e atyre policëve që i kanë mbetur brenda sistemit për t’i përdorur si informatorë të krimit dhe vetë atij.
Sot në Kuvend ishte ndoshta dita e parë që ai ndryshoi. Nuk bëri më ironi, nuk u tall më, nuk bënte dot më humor si i vendoset tritoli Dervishit apo Kollozit, por ulërinte sikur i kishin arrestuar pjesëtarë të familjes së tij.
Ai ka një problem real me mesazhet publike që jep politika dhe sot dukej më shumë se i çmendur nga fakti që aleati i tij disamujor, krimi i rrugës, kishte marrë një sinjal të ashpër nga shteti. Ai u përpoq të minimizojë atë që ka ndodhur, të minimizojë reagimin e policisë dhe të vazhdojë të inkurajojë ata, që ndoshta dhe nuk i njeh, por e di që i duhen në këto momente. Reagimi i tij është instiktiv, i natyrshëm dhe logjik për shkollën e tij politike. Ai ka vetëm një mënyrë t’i afrohet shpresës së tij, vetëm duke shpresuar se ky vend do destabilizohet nga krimi.
Ndaj dhe dukej si i çmendur në parlament. Ndaj dhe nuk i bënte goja të kërkonte së paku ndjesë për shpifjet që kish bërë lidhur me autorët e krimeve, tani që ata u zbuluan. Atij nuk i duhen emra kriminelësh, nuk i duhen gjyqe, nuk i duhen zbardhje vrasjesh, i duhet makth dhe terror nga krimi mbi shoqërinë. Është i vetmi politikan i mbetur gjallë, që ka besim se mes krimit dhe Atij, shqiptarët do zgjedhin Atë.