Enis Sulstarova
Ata më thanë: “Nëse has një skllav në gjumë, mos e zgjo se mund të jetë duke ëndërruar për lirinë”. Unë u përgjigja: “Nëse hasni një skllav në gjumë, zgjojeni dhe flisni me të për lirinë”.
Xhibran K. Xhibran
Pse po këmbëngulin që ta burgosin Albin Kurtin në Kosovë? Sepse nuk pëlqejnë të vërtetat që ai ua thotë përditë në sy ndërkombëtarëve dhe politikanëve të Prishtinës. Sepse ai e ka treguar dhe po tregon dëmin që po i vjen Kosovës nga Pakoja e Ahtisarit që është kushtetuta e vërtetë e republikës.
Fundi i negociatave të Vjenës u mbështoll me një letër shkëlqyese për t’iu paraqitur shqiptarëve si një dhuratë: Pakoja e Ahtisarit. Pakoja paraqitej nga politikanët ë Prishtinës si arritja e pavarësisë së shumëkërkuar nga shqiptarët, si jetësim i saj, por Albin Kurti ka kohë që me veprimtarinë dhe me shkrimet kërkon të na thotë të vërtetën që gjendet brenda Pakos: pavarësia pa sovranitet! Ata në Kosovë, që janë nën ndikimin trullosës së shkëlqimit të Pakos, besojnë se qëllimi u arrit – “Bac u kry!” – mirëpo Albini mendon ndryshe. Në një nga faqet e librit të tij, “Zgjohu”, ndeshim në një pohim të thjeshtë dhe me kuptim të thellë: “Në diktaturë e vërteta është radikale” (f. 134). Ai fare mirë mund të kishte shtuar edhe se “e vërteta të zgjon nga ëndrrat e gjumit”. Albini kërkon që e vërteta e tij të përshkojë më shumë mendje e të zgjojë më shumë vullnete në mesin e shqiptarëve. Përpara se të jetë shumë vonë. Albin Kurtin me plot gojën mund ta quajmë si heroin e së vërtetës mbi Kosovën.
Temë qendrore e Lëvizjes Vetëvendosje është mohimi që i bëhet vetëvendosjes së popullit të Kosovës, që do të thotë mohim i lirisë. Vetëvendosja është shprehje e vullnetit të popullit, d.m.th. është akti i bërjes së tij subjekt dhe veprimi i tij si subjekt është provë e lirisë së tij. Vullneti i popullit të Kosovës për pavarësi është themeli i legjitimitetit të institucioneve qeverisëse së Kosovës, sikurse vlen për shtetet e tjera sovrane dhe të pavarura. Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti bëjnë thirrje për kthim te logjika e politikës, kthim te themeli i saj, sovraniteti. Sovraniteti është aktual, nuk është një term abstrakt dhe i paprekshëm politiko-juridik, por ka të bëjë me përditësinë e jetës së një populli. Kurti na kujton se sovranitetin e marrim të mirëqenë kur e kemi, për të nuk flasim fare, thuajse ai nuk ekziston, por ai shfaqet dhimbshëm pikërisht atëherë kur mungon. Si në rastin e Kosovës.
Politikat e ndjekura më parë nga UNMIK-u, por edhe Pakoja “shpëtimtare” e Ahtisarit, në rastin më të keq përgatisin kthimin e Serbisë në Kosovë dhe në rastin më të mirë e zhveshin një Kosovë të pavarur prej sovranitetit. E thënë ndryshe, e zbrazin pavarësinë nga përmbajtja, duke e lënë vetëm si lëvozhgë. Si ndodh kjo? Shkrimet e Albin Kurtit e shpjegojnë mjaft qartë. Së pari, është pranuar ndarja e Mitrovicës dhe e veriut të Kosovës nga pjesa tjetër e vendit. Albini i ironizon dhe i akuzon politikanët shqiptarë që thonë se nuk do ta lejojnë ndarjen e Mitrovicës: “Në fakt, nuk është çështja se si të mos ndahet Mitrovica dhe veriu i Kosovës, por si të bashkohen ato duke qenë se janë të ndara” (f. 47 e librit “Zgjohu” të Albin Kurtit).
Së dyti, decentralizimi e ndan Kosovën në linja etnike dhe e pamundëson efektshmërinë e statusit të pavarësisë. Shtimi dhe zmadhimi i atyre që hapur cilësohen si komuna serbe në Kosovë, në fakt do ta shkatërrojë edhe shumetnicitetin që UNMIK-u dhe Pakoja e Ahtisarit pretendojnë se e mbrojnë, sepse në fakt do të jenë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Beogradit. Jo pa qëllim 3/4 e Pakos i kushtohet decentralizimit. Pakoja e Ahtisarit përgatit boshnjakëzimin e Kosovës. Megjithatë ajo është pranuar nga politikanët shqiptarë, por jo nga Serbia. Serbia edhe me refuzimin e pavarësisë së Kosovës del e fituar territorialisht në Kosovë, kurse shqiptarët edhe me pavarësinë dalin të humbur.
Së treti, manastiret dhe kishat ortodokse, me territore qindra hektarëshe rrotull tyre, sipas Pakos së Ahtisarit, do të kenë status të veçantë, “ekstraterritorial”. Ekstraterritorialiteti është fitore e rëndësishme e Serbisë, sepse pranohet që objektet ortodokse të kultit janë “serbe”, pra shqiptarët janë një realitet jashtë tyre, nuk kanë pjesë në to, përkundrazi fajësohen si dhunues të tyre. Shqiptarëve u rrëmbehet historia dhe trashëgimia kulturore, duke u paraqitur si (vetëm) serbe. Përveç etnizimit, në këtë mënyrë kryhet edhe fetarizimi i Kosovës, kur në fakt lufta e Kosovës nuk kishte aspak një natyrë fetare. Tragjik është fakti se, siç thotë Albini, “duke përvetësuar të kaluarën e Kosovës, Serbia sulmon edhe njerëzit ende të palindur në Kosovë, edhe brezat që do të vijnë. Uzurpimi i historisë është edhe uzurpimi i së ardhmes” (f. 187).
Së fundi, praktika e tanishme e mohimit të sovranitetit, do të vazhdohet nga Pakoja e Ahtisarit, sepse sërish vendimet themelore do të jenë në duart e të huajve: “Misioni Civil Ndërkombëtar do të jetë një oligarki neokolonialiste” (f. 320-321). Midis të tjerash ai do të kujdeset që Kosova të paguajë borxhet e jashtme. Vini re paradoksin: Kosova pa qenë akoma shtet sovran, pa iu paguar asaj dëmet njerëzore dhe materiale të shkaktuara nga Serbia, pa pasur nën zotërim të plotë burimet e veta të zhvillimit, duhet të fillojë të paguajë borxhet! Vetëm për këtë lejohet që ajo të ketë përfaqësim ndërkombëtar. Kosova vepron si subjekt në arenën ndërkombëtare vetëm kur paguan borxhet dhe përsëri i mohohet statusi i sovranit. Prandaj Kurti e quan Pakon e Ahtisarit si “pako të Pandorës” (po aty).
Shqiptarët e duan presin pavarësinë e Kosovës. “Pavarësia” është fjala kyçe dhe atyre pikërisht ajo do t’u jepet, d.m.th. fjala. Arsyeja është sepse, siç e shpreh Kurti, “kjo fjalë është fiksim psikologjik kolektiv i shqiptarëve… [ndërkombëtarët] ofrojnë simbolikë, sepse edhe ashtu politikanët shqiptarë ua kanë dëshmuar ndërkombëtarëve se vetëm simbole duan” (f. 83). Por ndërkombëtarët nuk mjaftohen me kaq, ata edhe simbolikën nuk ua lejojnë lehtë shqiptarëve, sepse “rikthimi propagandistik i pavarësisë [bëhet] përmes mbiemrave që e kontestojnë…: pavarësi e kushtëzuar, pavarësi pa sovranitet, pavarësi me sovranitet të kufizuar, pavarësi e mbikëqyrur etj.” (f. 5).
Në këtë sistem, roli i politikanëve shqiptarë është ai i shërbëtorëve të kolonizatorëve. Kujtojmë se parti politike të shqiptarëve kishte edhe nën regjimin shtypës të Millosheviçit, ato kryenin votime, madje nuk e pushuan ekzistencën e tyre as gjatë luftës. Kosova e pushtuar kishte një president, paçka se qeverinë e kishte në mërgim. Cili ishte kumti, programi politik që atëherë jepnin politikanët? Përgjigjet Kurti: “Fjalia kryesore me të cilin politikanët kryesorë atëbotë i drejtoheshin popullit ishte: ‘Mos bini në provokime’! Dhuna dhe terrori i Serbisë reduktoheshin në provokim, në të cilin populli nuk duhej të binte” (f. 208).
Edhe nën UNMIK-un kishte kuvend, qeveri, zgjedhje, parti, president, por të gjithë këta së bashku u treguan të pazotë t’i jepnin pavarësi të vërtetë dhe sovranitet vendit, të ndalnin copëtimin territorial. Dhe meqenëse janë të pazotë për ta bërë këtë, çfarë bëjnë? Me dëshirë e entuziazëm bëhen pjesëmarrës të defaktorizimit të Kosovës.
Politikanët zotohen se nuk do ta negociojnë statusin e Kosovës me Serbinë, pikërisht kur janë duke e bërë këtë gjë. Ata propagandojnë shpëtimin që sjell Pakoja e Ahtisarit, pa e vrarë mendjen mbi problemet që do të dalin për zbatimin e saj dhe prej zbatimit të saj. Mjafton që ata të jenë sërish në majë të pushtetit dhe të privilegjeve të tij. Për bisedimet e Vjenës Albini shkruante: “Nuk është ekipi negociator mjet për Kosovën. Kosova është mjet për ekipin negociator” (f. 166). Ata nuk duan kundërshtimin e sistemit në të cilin janë ata ndër përfituesit, prandaj dhe e ruajnë atë.
Po sjellja e serbëve të Kosovës si interpretohet në këtë prizëm? Ata e kanë lejuar veten të jenë vegla të Beogradit dhe kanë hequr dorë nga të drejtat që si pakicë do të kishin në shtetin e pavarur kombëtar të Kosovës. Prandaj, thotë Kurti, ata nuk bashkëpunojnë edhe sikur t’u jepet gjysma e ministrive në qeveritë e UNMIK/Kosovës: “Ata nuk duan kompetenca, ata nuk duan të drejta dhe liri. Ata duan territore. Ato i kanë dashur në Kroaci dhe s’i kanë fituar; i kanë dashur në Bosnjë dhe i kanë fituar; tani i duan në Kosovë” (f. 84). Serbisë nuk i intereson aspak gjendja njerëzore e serbëve të Kosovës, sepse kërkon që vazhdimisht t’i përdorë për planet e saj të copëzimit dhe gllabërimit të Kosovës. Serbia nuk e do Kosovës si të tërë, si dikur. Ajo do ta marrë, por me kufij të brendshëm që do të shënonin territoret serbe në të (f. 111). Prandaj i ka organizuar dhe dirigjuar deri tani serbët e Kosovës. Prandaj serbët e ikur nuk pranohen të kthehen aty ku kanë shtëpitë dhe pronat, por në komunat e reja “serbe”, diçka që paraqet një rikolonizim të ri të Kosovës (f. 144).
Çfarë duhet bërë? Mungesa e lirisë është problemi dhe rifitimi i lirisë është përgjigjja. Dhe për lirinë duhet vepruar, duhet flijuar: “Ne s’jemi fajtorë për mungesën e lirisë në të kaluarën, por jemi e do të jemi përgjegjës për vazhdimësinë e mungesë së saj në të ardhmen. Jemi përgjegjës edhe për ata që ende s’kanë lindur. Ne po i sakrifikojmë ata, duke mos sakrifikuar vetë; ne po i rrezikojmë ata nesër, duke mos rrezikuar vetë sot” (f. 110).
Lëvizja Vetëvendosje kërkon ndërprerjen e negociatave të mëtejshme dhe bllokimin e zbatimit të Pakos Ahtisari. Si do të kryhen këto? Së pari me të anë zgjimit të popullit nga gjumi dhe ëndrrat me pavarësi. Kurti kërkon jo më pak se një revolucion në Kosovë dhe “nuk ka revolucion pa rilindje dhe s’ka rilindje pa besim në forcat vetjake. Natyrisht që kjo rilindje është popullore. Kurrsesi elitiste” (f. 135). Pra, kthim te populli dhe besim te faktorizimi i tij, sepse pikërisht këtë gjë përpiqen ta pengojnë: “Kur populli është në pyetje, populli është përgjigjja” (f. 147).
Çfarë qëndrimi duhet mbajtur ndaj institucioneve që po zbatojnë Pakon e Ahtisarit? “Mosbindja është akti i lirisë sot”, thotë Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje Po zhvillon prej kohësh fushatat e saj për ta bindur popullin të pengojë funksionimin e institucioneve robëruese përmes mosbindjes qytetare.
A është mosbindja qytetare lëvizje kundër faktorit ndërkombëtar? Sigurisht që jo! Kurti e shpjegon se “kundërshtimi i UNMIK-ut [sot EULEX] nuk është kundërshtim i tërë botës, e as i bashkësisë ndërkombëtare”. Kundërshtimi i UNMIK-ut dje dhe i EULEX-it sot bëhet pikërisht në emër të vlerave të bashkësisë ndërkombëtare: “Administratorët e UNMIK-ut nëpër vendet e tyre gëzojnë të drejtat që ua mohojnë vendasve në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje e lufton UNMIK-un në emër të vlerave të OKB-së; e kundërshton administratën në emër të vlerave demokratike të vendeve prej nga vijnë administratorët. Po kështu i ka ndodhur çdo lëvizjeje dekolonizuese. Kolonizimi s’të bën dot me shtet, s’të ofron dot mirëqenie. Dekolonizimi është parakusht për to (f. 118).
Mosbindja qytetare e popullit të Kosovës a do të fitojë aleatë ndërkombëtarë? Sigurisht që po! Por më parë vetë populli duhet të jetë popull! Ai nuk duhet ta varë të gjithë shpresën te ndërkombëtarët. Pafuqia e tij është argument për të kundërtën: “E qartë se nuk jemi të mëdhenj e të fortë, por saktësisht për këtë arsye nuk duhet që t’ia lejojmë vetes komoditetin për t’u mbështetur tërësisht në fuqitë e mëdha. Sepse fuqitë e mëdha për interesa edhe më të mëdha do të na sakrifikojnë neve” (f. 43). Pa u bërë populli faktor i fuqishëm, as ndihma e ndërkombëtarëve nuk vjen, sepse kush është ai që kërkon të lidhet me më të dobëtin? Sa kohë që populli në Kosovë nuk është faktor, por e pret lirinë nga jashtë, zëri i Serbisë do të dëgjohet më shumë.
Zëri i Albinit duhet dëgjuar dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet përkrahur, sepse përpiqen për bërjen e popullit dhe për çështjen kombëtare shqiptare. Përmes tyre vjen zgjimi dhe ndërgjegjësimi për të gjithë shqiptarët që të mos kalojnë një shekull tjetër të përgjumur.