Nga Mero Baze, 2 Dhjetor 2011
Kemi rënë dhe tetë shkallë poshtë renditjes botërore sa i përket indeksit global të korrupsionit. Transparency International thotë se parametrat e Shqipërisë janë më të këqijat në Evropë dhe për koincidencë, baras me ato të Suazilandit, një mbretërie despotike në zemër të Afrikës, që qeveriset nga Mbreti Msuati III-të, i njohur për 13 gratë e tij dhe përtëritjen e tyre çdo vit me nga një virgjëreshë, pas ceremonisë së kërcimit të Kallamit…
Çfarë e ka bërë Sali Berishën të barabartë me Mbretin Msuati III të Suazilandit?
Gratë, jo. Berisha ka një jetë korrekte familjare dhe gruaja e tij ka pushtet të plotë. Ai nuk ka harem dhe nuk organizon ceremoni të tipit “Kërcimi i Kallamit” për të zgjedhur virgjëresha të reja çdo vit. Edhe pse nuk e ka këtë mangësi, ai është i barabartë në klasifikimin ndërkombëtar të qeverive të korruptuara me Mbretin Msuati III, i Suazilandit.
Por pikat e tjera i kanë njësoj. Mbreti Msuati III i Suazilandit, ka shkarkuar para një muaji sipas lajmeve nga ai vend Ministrin e Drejtësisë dhe e ka futur në burg se e tradhtonte me gruan e tij të 12-të. Ky është ndëshkimi i vetëm për ministrat e tij. Abuzimet e tjera lejohen. Ministri i Financave mund të bëhet milioner në atë vend të varfër duke mbajtur nga pas njerëzit e tij biznesmenë si një familje, Ministri i Brendshëm mund të abuzojë me liritë njerëzore dhe të vrasë kundërshtarë të regjimit, Ministri i Shëndetësisë mund të zhdukë miliardat që shkojnë aty për luftën kundër SIDA dhe të jetojë në luks, Ministri i Mjedisit mund të shkretojë të ardhmen e vendit duke lejuar shkatërrimin e vendit për interesa të tij. Ky standard ndëshkimi nuk ekziston. Ata ndëshkohen vetëm për një gjë, për tradhti ndaj Familjes Mbretërore. Viktima e fundit është Ministri i Drejtësisë.
Ky realitet është si dy pika uji me Shqipërinë. As këtu Ministri i Financave nuk e ka për gjë të pozojë drekave e darkave me një grup biznesmenësh, që i ka bërë milionerë me politikat e tij të evazionit fiskal. Edhe këtu Ministri i Brendshëm ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm se po protestonin para qeverisë duke lënë dhjetë fëmijë jetimë dhe vetë pozon rrugëve me fëmijët e tij a thua se janë racë e zgjedhur në raport me fëmijët që ka lënë jetimë. Edhe këtu Ministri i Mjedisit ka bërë ndotjen më të madhe të mundshme të mjedisit në një vend duke shpërthyer një depo municioni, ka vrarë 26 vetë dhe ka lënë pas pasoja të pariparueshme njerëzore dhe ekologjike.
Dhe është përsëri ministër. Edhe këtu Ministri i Shëndetësisë i ka kthyer spitalet shtetërore në sportele abuzimi me ilaçe të skaduar të firmave të njerëzve të vet dhe partisë së tij, duke lënë në mëshirë të fatit mijëra qytetarë në nevojë. Dhe është prapë ministër. Dhe këtu njësoj si nën Mbretërinë e Msuati III i Suazilandit, i vetmi Ministër që e ka paguar, është ish- Ministri i Ekonomisë, i cili denoncoi publikisht një njeri të Familjes të lidhur me afera nafte virgine dhe pastaj u detyra të bëjë publike dhe një video të zëvendëskryeministrit. Deri tani nga gjithë ky skandal e ka pësuar vetëm denoncuesi. Të denoncuarit janë ende me imunitet dhe pjesë e pushtetit.
Një tjetër veçori e qeverisjes nën Mbretin Msuati III i Suazilandit, janë mungesa e zgjedhjeve të lira. Në atë Monarki zgjedhjet janë një rit si festë karnavalesh ku njerëzit votojë dhe Mbreti shpall rezultatet. Dhe nëse dikush nuk e ka mendjen dhe ndonjë kundërshtar i Mbretit merr më shumë vota, ndëshkohet dhe fitorja anulohet. Shqipëria e Sali Berishës ka demonstruar këtë vit sërish mungesën e shpresës për zgjedhje të lira. Në sytë e gjithë botës, ajo rrëmbeu fitoren e opozitës në Tiranë dhe emëroi aty një kollovar të Familjes në pushtet, i cili tashmë qeveris me motrën, kunatin dhe dashnoret e kunatit. Ata bëjnë punët publike të Bashkisë, ata panairet dhe tenderët, ata janë bërë zot të karrotrecave dhe trojeve të ndërtimit. Njësoj si në një nga skutat e Oborrit të Mbretit Msuati III i Suazilandit, dhe Bashkia e Tiranës është kthyer në një çiflig që Monarku Berisha ja ka dhuruar kollovarit të fundit të Familjes në pushtet për të bërë çfarë të dojë me të.
Nuk kam qenë ndonjë herë në Suaziland, që të krahasoj infrastrukturën e atij vendi me tonën dhe as nivelin e arsimit apo kulturës me tonën, por kështu si e ka rrënuar sistemin e vlerave Sali Berisha, çdo gjë i ngjan një shkretëtire kulturore dhe vlerash. Në këtë pikë edhe sikur të mos na kenë krahasuar, nuk besoj se ka më keq se ne.
E sigurt është që Monarku Berisha ngjan me Monarkun e Suazilandit tek kriteret që përdor për të ushtruar pushtetin dhe për të mbrojtur të korruptuarit. Në të dy këto vende nuk ndëshkohen të korruptuarit, por kundërshtarët e Familjes, nuk bëhen zgjedhje, por diktohen ato, nuk bëhet drejtësi, por ndëshkim në emër të Pushtetit të Familjes. Dhe jemi njësoj. E vetmja shpresë është që Transparency International të quajë korrupsion 13 gratë e Mbretit Msuati III, që ai t’ia kalojë Berishës, duke bërë të paktën një gjë më keq. Ose t’i quajë 13 gra të Berishës ministrat e qeverisë sonë.







