
Nga Mero Baze
Besoj se çdo shqiptar që ka parë qoftë dhe dy minuta nga debati Berisha – Rama rreth ndërtimit të parlamentit të ri, nuk ka mbetur i çuditur nga batutat e dy të mëdhenjve, pasi përgjithësisht profili i të dyeve është i njohur në opinionin pubik, por nga banaliteti i së tretës, që nuk dihet për çfarë aryse rrinte si arbitër mes tyre. Është fjala për Jozefina Topallin. E mendova gjatë, por më shteronte arsyetimi përse Berisha ja kishte dhënë atë rol dhe pse e la të turpërohej në sytë e gjithë shqiptarëve kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë.
Bashkë me të, kishte në dekor dhe “kryesinë e vogël” të PD-së, ata që janë dhe nuk janë ende në krye të saj, por që të sikletosur nga sjelljet e kryetares, ulnin kokën dhe bënin grimasa njerëzish të mërzitur. Kur shikoje ata njerëz të salduar rreth kryetarit, të cilët as janë zgjedhur më dhe as janë konfirmuar, por thjesht janë përzgjedhur prej tij, m’u kujtua fillimi i viteve ‘90-të, kur Partia e Punës po degradonte dhe Ramiz Alia hapi mbledhjet e Byrosë Politike për të parë shqiptarët kë kishte në krah.
E gjitha bëhej që ne të hutoheshim pas budallallëkut të Lenka Çukos, apo vulgaritetit të Pali Miskës dhe të thoshim ashtu si jo pak vetë thanë, se “shoku Ramiz paska të drejtë” se “shiko ç’budallenj e rrethojnë”. Dje Sali Berisha ka bërë pikërisht këtë gjë me rrethin e tij të ngushtë, por e vetmja që ka rënë viktimë e kësaj manovre të tij ishte Jozefina Topalli. Me një vulgaritet të paimagjinueshëm që rrezatonte servilizëm, inferioritet, mungesë kulture, injorancë politike dhe mbi të gjitha mungesë të dinjitetit femëror, ajo ishte në të vërtetë inskenimi më i rëndë që mund t’i bësh një njeriu në politikë, për ta nxjerrë përfundimisht prej saj.
E gjithë kjo pandehmë bëhej më bindëse kur shikoje se si heshte Sali Berisha kur përpiqej t’i dilte në krah zonja Topalli, apo si ndjehej ngushtë kur ajo përpiqej t’i justifikonte dhe lajthitjet e tij. Po ashtu i çuditshëm ishte roli i saj si arbitër në një takim mes dy të mëdhenjve të politikës, të cilët duhet të debatonin për një çështje serioze të zhvillimit urban dhe të mekanizmave administrativë që duhen përdorur.
Roli i zonjës Topalli në atë tryezë, mund të ishte protokollar, dhe të shërbente për të çelur diskutimet, por devijimi vulgar që ajo i bëri tryezës dhe shija që ka lënë tek publiku, në të vërtetë justifikojnë ikjen e saj nga postet formale që mban në krye të PD-së. Kjo po ndodh disa javë pasi PD mbush një vit nga Kuvendi i saj i fundit, i cili nuk ka zgjedhur ende institucionet drejtuese të PD-së, siç është kryesia, nënkryetarët apo sekretarët. Me shfaqjet e saj të fundit, zonja Topalli ka bërë të ndjehet keq çdo anëtar i asaj partie, sidomos ata që mbajnë mend degradimin e elitës së emëruar në fund të komunizmit në Shqipëri.
Zonja Topalli ishte dje tërësisht vulgare, sa herë që hapte gojën dhe rrotullohej e ekzaltuar në karrige, nga ato që dëgjonte por nuk kuptonte dhe sidomos nga ato që fliste dhe nuk kuptoheshin. Askush në atë karrige, që nga viti 1920, nuk ka qenë në atë nivel, edhe nëse llogarisim Vitori Çurrin si kryetare të Kuvendit Popullor dhe jo thjesht një ish-nënkryetare. Qetësia me të cilën Berisha po dorëzon ushtarët e vet, duke i bërë qesharakë, është imitim i vonuar i asaj se si u bë e paqënë prej Ramiz Alisë Byroja e fundit Politike e komunizmit në vitin 1990. Dhe për ironi të fatit dhe atëhere për Enver Hoxhën ziheshin.







