Mero Baze, 06.12.2010
Qeveria ka hedhur poshtë propozimin e fundit të opozitës për rikthimin e buxhetit në Kuvend dhe ristrukturimin e fondeve të investimeve në funksion të një projekti të integruar të sistemit hidroteknik të Shkodrës, ku përfshihet sistemi i Bunës, Liqenit dhe shtratit të Drinit. Edhe pse duket shumë mizore, ose “katil-llëk” siç do të thoshte Jozefina, refuzimi ndan gjykimin politik të qeverisë nga gjykimi teknik i opozitës.
Së pari duhet thënë se Berisha është në logjikën e vet, ose më mirë të themi brenda shkollës së vet politike, kur refuzon kërkesën e opozitës. Ajo që propozon opozita është një mënyrë se si paret të harxhohen për të shpëtuar Shkodrën nga përmbytja, kurse ajo që mendon Berisha është si të përdorë buxhetin për nevoja politike. Dhe në një vit elektoral si ky, është mizore t’i kërkosh Berishës të mos mendojë se si të shpenzojë çdo qindarkë të buxhetit për fushatë elektorale.
Nëse Berisha do t’ia jepte këtë luks opozitës, pra të bashkonte buxhetin e tij me idenë e Edi Ramës, do të thotë të dorëzojë Shkodrën tek kundërshtari i vet. Duke qenë se Shkodrën e quan bastion edhe nën ujë, ai po përpunon kundërpërgjigjen tjetër ndaj propozimit të Ramës, duke e akuzuar atë se kërkon të lërë Elbasanin pa tunel. Me këtë, përveçse lë Shkodrën bastion të vetin dhe nën ujë, ka shanse të rrisë retorikën e “veprave” kombëtare dhe për Elbasanin, ku fati politik nuk i ka ndritur kurrë.
Pra, kemi një diferencë të fortë arsyetimi në propozimin e opozitës dhe përgjigjen e Berishës. Propozimi i Ramës është tërësisht teknik dhe joproduktiv nga ana politike, pasi po bën presion të shpëtohet një qytet që nuk e voton, kurse Berisha po përdor këtë teknikalizëm që ka kapluar opozitën, për ta sulmuar atë në bastionet e saj sië janë Elbasani dhe Korça. Pra, janë dy mendje që punojnë krejt ndryshe, njëri si të tejkalohet një tragjedi që përsëritet, dhe një mendje tjetër politike që punon natë e ditë si të tejkalohet një humbje elektorale në zgjedhjet e pranverës.
Arsyeja e dytë përse Berisha nuk i hap rrugë propozimit të opozitës është vetë Shkodra. Megjithëse e ka plot pakënaqësi nga kjo që ka ndodhur, dhe megjithëse qartazi situata është përgjegjësi e keqmenaxhimit të territorit nga administrata, në qytet është krijuar një vetëdije për fatkeqësitë natyrore si një fat që nuk e ndryshojnë dot. Berisha dhe vetë zyrtarët e qeverisë kanë punuar fort për ta ngulitur këtë. Njerëzit aty janë më shumë të mërzitur për keqndarjen e ndihmave se sa për burimin e fatkeqësisë.
Njerëzit aty janë më shumë të irrituar nga problemet e keqmenaxhimit të situatës, për të cilën qeveria nuk ka dhe aq faj se aq mundësi ka, se nga arsyet e vërteta për të cilat qeveria ka faj. Dhe kjo ia ka lehtësuar punën qeverisë dhe vetë Berishës. Berisha e ka më të lehtë tani të bëj rolin e populistit, të kritikojë, bile dhe të shkarkojë zyrtarë të tij që nuk çojnë ujin apo makaronat në destinacion, por kurrsesi të shkarkojë Ilir Metën, Sokol Olldashin apo Genc Rulin që janë përgjegjës për situatën e krijuar nga mungesa e investimeve dhe papërgjegjësia mbi territorin.
Pra, në qytet legjenda e së keqes është operacioni i shpëtimit dhe jo djalli i fatkeqësisë. Këtë situatë e ka sjellë dhe inercia e medias që merret me hallet e përditshme të qytetarëve dhe ka mbetur brenda spiraleve të problemeve të krijuara nga përmbytja, dhe jo tek problemi që ka prodhuar përmbytjen. Në këto kushte Berisha është komod të jenë në anën e qytetarëve të mërzitur nga nëpunësit e rangut të ulët të tij, pasi kështu shpëton vetveten dhe qeverinë nga përgjegjësia reale që ka për situatën.
Por krye-arsyeja përse Berisha nuk do të pranonte propozimin e opozitës është dhe psikologjike. Ai nuk mund ta pranojë kurrsesi që opozita të bëhet engjëlli mbrojtës i Shkodrës. Edhe sikur Berisha të kishte sufiçit shtetëror në buxhet, ai kurrë nuk do të pranonte një propozim të opozitës që ato lek të harxhoheshin në Shkodër. Ai po krijon pak nga pak modelin e komunikimit me qytetin përmes fatkeqësive. Uji e përmbyt, Berisha shpik një arsye madhore, herë “hëna Blu” herë “çmendjen e lumenjve”, herë ciklin shekullor të përmbytjeve dhe pastaj merret me populizma të vogla ku u qan hallet njerëzve që kanë mbetur majë çative, mos u lagen këmbët.
Kjo mënyrë komunikimi e mban atë të lidhur me Shkodrën si xhelatin me viktimën. Kjo është një lidhje e pistë dhe perverse, por funksionale dhe pragmatiste për të, pasi varfëria, paniku dhe korrupsioni, janë mjete më të mira për ta mbajtur pushtetin mbi një qytet, se sa transparenca, siguria dhe mirëqënia. Ndaj Berisha po ja del me Shkodrën.