Mero Baze, 12 April 2015
Padia penale ndaj Lulzim Bashës, për shkak të urdhërit të tij për ngritjen e helikopterit me lëndë helmuese më 21 Janar, ka ngjallur reagimin e ashpër të Sali Berishës.
Në një koment të tij në Facebook, Berisha e pranon si të mirëqenë faktin që Basha ka urdhëruar ngritjen e helikopterit dhe debaton me Tahirin vetëm për termin e korrigjuar, që është një version “homogjene” dhe një version “lakrimogjene”.
Reagimi i Berishës është i ashpër dhe me tone alarmuese, ç’ka duket se ai po piketon mënyrën sesi Basha duhet të mbrohet në gjykatë.
Sipas Berishës, Basha mund të mbrohet duke thënë që ishin lëndë homogjene dhe jo lakrimogjene. Kjo në të vërtetë nuk ka asnjë rëndësi, pasi një lëndë homogjene nuk do të thotë që nuk është helmuese ose paralizuese, ashtu sikundër një lëndë e përzier mund të mos jetë e dëmshme.
Interesant nga reagimi i Berishës është se ai pranon urdhërin e Bashës.
Këtu historia merr një tjetër drejtim.
Shkelja ligjore e Bashës në këtë rast ka të bëjë me faktin që ka dhënë urdhër. Në asnjë ligj dhe nen të ligjeve për Policinë e Shtetit, ministri i Brendshëm nuk merr komandën e operacionit policor, pasi ajo i përket drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Kjo është shkleja e parë, që e çon Bashën tek akuza e përdorimit të policisë për qëllime shtypëse politike.
Por, shqetësimi i rritur i Berishës duket se nuk ka të bëjë vetëm me këtë. Më e sigurtë është se urdhëri është dhënë nga zyra e Sali Berishës dhe Basha vetëm sa i ka dalë në telefon personit përgjegjës në protokoll që shënon urdhërat. Basha atë ditë ka shëtitur i shqetësuar nga zyra e Berishës, tek zyra e Olldashit dhe në fund tek e Topit, duke shfaqur gjithandej pafuqinë e tij për situatën.
Frika reale e Berishës në këtë rast është se një çështje banale si ky urdhër mund ta çojë atë tek rihapja e çështjes së 21 Janarit dhe marrja si i pandehur për shkak të rolit të provuar si prishës i provave, duke fshirë serverin e Kryeministrisë, shpikës i puçit të shtetit (ajo që ka bërë Tom Doshi s’është asgjë para asaj të Berishës) dhe sulmi i paprecedentë ndaj Prokurorisë, duke refuzuar dhe zbatimin e urdhërave të saj.
Nga reagimi i Berishës është e qartë se urdhëri është dhënë, por sipas tij është i parrezikshëm për shkak të lëndëve, që ai pretendon që e di se çfarë janë, po nuk i thotë. Kjo për ne ka pak rëndësi.
Procesi i 21 Janarit ka nevojë për një fakt të ri që të implikojë ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin në përdorimin e policisë për vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm, të paarmatosur, të parrezikshëm dhe të pambrojtur në mes të bulevardit. Ato vrasje u bënë para kamerave dhe përgjegjësia u shmang duke sulmuar Prokurorinë, presidentin, opozitën, gazetarët dhe duke sajuar dhe puç shteti.
Pikërisht këtu qëndron alarmi i vërtetë i Berishës për këtë akuzë. Ai nuk e ka hallin tek lënda që do përdorte Basha, nëse ishte homogjene apo lakrimogjene, (çudi nga e mësoi dhe këtë, se Tahiri nuk e tha), por tek fakti që dosja e 21 Janarit do të rihapet dhe atij mund t’i hapet çështja e jetës, me të cilën do të përballet deri sa të vdesë.
Shpesh persona të dhunshëm në politikë, që kanë mbijetuar përmes vrasjeve dhe kaosit, kanë fatin e keq që të përsërisin në fund të jetës së tyre gjithë çfarë kanë bërë në jetë. Berisha mu duk seriozisht i trembur pikërisht për këtë shkak.
(Marrë nga Gazeta Tema)