Pse amerikanët folën tullë

0
37

Nga Ilva Tare, 18 shkurt 2013

Dy vendime të drejtësisë për 21 Janarin dhe Gërdecin i dhanë krahë bindjes se në Shqipëri sistemi i drejtësisë është i padrejtë në raport me pritshmërinë e publikut, me logjikën e së drejtës dhe mbi të gjitha shumë i dobët profesionalisht për të mbuluar dorën e politikës që në mos e ka shkruar e ka frymëzuar. Edhe në radhët e komunitetit të gjyqtarëve komentet për arsyetimin e vendimit kanë qenë kritike ndaj nivelit të dobët dhe faktit që është shkruar keq, sidomos po të kihet parasysh miopia e trupit gjykues në interpretimin e ngushtë të akuzës së prokurorisë.

Debatit publik që është zhvendosur në tavolina kafenesh dhe restorantesh që kur televizionet më të mëdha në vend vendosën ta injoronin ngjarjen iu shtua edhe reagimi i Ambasadës amerikane, i cili u lexua dhe interpretua në mënyra të ndryshme varësisht nga bindjet politike të debatuesve. Personalisht, mendoj se ambasadori Arvizu jo vetëm që nuk ka folur në emrin e tij personal por të departamentit të politikës së jashtme amerikane që ai përfaqëson, por reagimi i tij shprehte ekzaktësisht atë që ndjenin shqiptarët që panë të akuzuarit e 21 Janarit të liroheshin në sallën e gjyqit. Deklarata e fortë e amerikanëve në mos përfaqësonte mendimin e të gjithë shqiptarëve, të paktën pjesa më e madhe e tyre e gjetën veten tek fjala tronditje për atë vendim që la pa fajtor vrasjen e 4 qytetarëve të një vendi demokratik që shpeshherë ka rrëshkitur në këto 20 vjet jashtë shinave të demokracisë.

Ndërhyrja e ambasadës amerikane erdhi në kohën e duhur dhe për ngjarjen e duhur kur FBI-së iu kërkua ndihmë nga shteti shqiptar për ekspertizën. Kështu mendon pjesa më e madhe e opinionit publik i cili ka filluar të heqë paralele midis drejtësisë së 2013-tës dhe Shqipërisë së 1996-tës. Të drejta apo të gabuara perceptimet janë matësi më i mirë i emocioneve të një populli që ka filluar të ndjehet i grabitur dhe i keqpërdor nga të gjitha hallkat e shtetit shqiptar. Në gjykatë nuk gjejnë drejtësi, në rrugë kërcënohen nga krimi, në shtëpi nga varfëria dhe në punë nga Jozefina që të urdhëron të dalësh në rrugë për koncertet e saj, përndryshe fluturon nga vendi i punës.

Tre janë mesazhet e alarmit që erdhën nga këmbana amerikane. I pari dhe më garantuesi për ata shqiptarë që besojnë ende te demokracia shqiptare është se amerikanët janë të interesuar për zbardhjen e 21 Janarit dhe nuk do të heqin dorë prej paj, pavarësisht se c’do të ndodhë me pushtetin edhe pas zgjedhjeve të 23 Qershoirit. Së dyti, dhe gjithashtu më e rënda është se drejtësia shqiptare nuk mund të japë vendime që janë diametralisht të kundërta me logjikën e qytetarëve, madje edhe të vetë së drejtës me gjithë shtigjet e shumta të interpretimeve të saj. Së treti, trupa e ardhshme gjykuese në apel merr një paralajmërim të rëndësishëm për ndjekjen me dylbi të veprimeve të saj nga partneri më serioz dhe më i madh i shqiptarëve, sic janë SHBA. Sinjali për gjykatësit e radhës është i thjeshtë, i prerë, i shkurtër: jepni vendimin e drejtë dhe profesional, pavarësisht interesave të politikës.

Nëse politika dhe instrumentat e saj që e kanë katandisur sistemin e drejtësisë në nivelet më të ulta të besueshmërisë zgjedh të injorojë sinjalet e shprehura tullë nga amerikanët rreziku që vendimet e drejtesisë së injoruara në 96-tën e largët të na afrohen jo vetëm në kujtesë por edhe me ngjarje të drejtpërdrejta përara syve tanë. Një mesazh duhet ta ketë marrë cilido ka shkruar arsyetimin për vendimin e 21 Janarit, që herë tjetër të përdorë numër më të madh të syzeve për ta lexuar ligjin ashtu sic duhet duke dalë nga rreziku i leximit të ngushtë të akuzës së prokurorisë.

Nëse prova e FBI-së, nuk ishte e mjaftueshme, gjë që do të shënojë një rekord botëror për ekspërtet amerikanë, atëherë të akuzuarit mund të ishin dënuar të paktën për shpërdorim detyre, keqpërdorim të armës e shumë arsye të tjera. Në mungesë të gjetjes së vrasësve të katër viktimave, shoqëria gjendet përballë dilemës se dikush duhet të shkojë në burg për pandëshkueshmëri, dhe ky mund të jetë ose prokurori ose gjyqtari. Përndryshe, tulla e ardhur nga departamenti i shtetit, do të bjerë në kokën e dikujt dhe zakonisht ai është populli…

JAVA