PS-së i duhet identitet, jo të kopjojë Berishën

0
32

Erjon Braçe

Nga: ERJON BRACE

Jemi mbledhur shpesh në harkun e këtij viti, por nuk kemi qenë më pranë. Kemi folur më shumë me njëri-tjetrin, por shpesh nuk jemi marrë vesh. Kemi debatuar më shumë, individualisht apo në grup, por vendimi nuk ka qenë i përbashkët. Kemi votuar më shumë e më të shumtë, por zgjedhja e zgjidhja nuk ka qenë e të gjithëve. Kemi nisur e jemi në mes të një beteje, por shoku në krah ka qenë edhe kundërshtar! Sot, secili ka kuptuar se po hyjmë në një fazë të re! Të dënuar ta kalojmë bashkë! Pa kushte që na largojnë, pa merita që na diferencojnë, me një qëllim: të bëjmë më të mirë, të fortë e demokratike PS, përmes saj të shpëtojmë të ardhmen, gjithnjë e më shumë në shitje, të Shqipërisë!

PS-ja është sot e vetmja mundësi për të luftuar Regjimin dhe shpëtuar Demokracinë, për të rrëzuar Qeverinë dhe shpëtuar Ekonominë. Pra, është e vetmja mundësi për çdo shqiptar të dhunuar e shtypur politikisht, të vjedhur e rrënuar ekonomikisht!

Roli ynë në këtë aspekt është jetik. Unë e shoh atë, së pari, në forcimin organizativ të PS; së dyti, në forcimin e identitetit të saj përmes një Programi përfaqësues, nga buron një ofertë politike dhe ekonomike për të dalë nga kriza!

Të nderuar kolegë,
Në 20 vitet e shkuara kemi rrëzuar një regjim diktatorial, kemi rrëzuar një regjim autokratik, por nuk kemi arritur të bëjmë demokracinë të funksionojë. Beteja e sotme është për të. Në thelb të saj qëndron Liria, liritë politike dhe ato civile. Testi për një demokraci funksionale janë zgjedhjet e lira, liria e kundërshtimit dhe e shprehjes. Tashmë është kombëtar dhe ndërkombëtar fakti se Qeveria nuk organizoi zgjedhje, por vjedhje.

Vjedhjet ishin të lira!! Por, ato nuk përmbush?n standardet më të larta afrikane!! Liria e shprehjes ka njohur rënie të fortë në indeksin matës të saj për median e shkruar dhe elektronike. Por, më i fortë është kufizimi i lirisë së shprehjes si e drejtë themelore e individit, në trajektoren nga qytetari tek deputeti.

Njerëzit kanë frikë të flasin! Më keq, institucionet nuk kanë më në themel të tyre vullnetin e popullit. Ato funksionuan për ta dhunuar popullin! Unë besoj se kaq duhet të mjaftojë për të organizuar dhe udhëhequr një kundërshti të madhe dhe demokratike, popullore ndaj Qeverisë dhe Parlamentit. E kemi ende lirinë për ta bërë këtë! Ka mbetur e vetmja mundësi për ta bërë demokracinë të funksionojë!

Nuk duhet ta kursejmë më këtë qeveri e atë Parlament! Demokracia është më e rëndësishme se çdo qeveri dhe se çdo Parlament! Për më tepër kur referenca është një qeveri e poshtër, një Parlament topall, produkt i një sistemi të korrupsionit politik, ekonomik, në fund, elektoral. Dua të theksoj: ne duam të bëjmë demokracinë të funksionojë, nuk duam pushtetin e Sali Berishës! Pushtete të tillë kanë treguar që janë të përkohshëm.

Ata nuk garantojnë demokracinë, kufizojnë liritë politike e civile. Kjo ishte gjëja më e keqe që mund të na ndodhte, kjo po konsumohet. Ndaj, largimi i qeverisë, praktikisht është çlirim! Ne nuk po kërkojmë zgjidhje simetrike, mobilizim të fortësh, gangsterë gjithfarësh dhe parash të pista, për të “garuar” në një palë e palo zgjedhje të radhës. Jo! Ky pushtet është edhe më i përkohshëm! Është pushteti i gangsterëve që na qeverisin, që hanë e pinë, vjedhin e pasurohen duke u paguar nga taksat tona! Nuk kanë turp nga korrupsioni i tyre, janë krenarë që na vjedhin, poshtërojnë e vrasin! Ky është sistemi i tyre!

Ky sistem rrëzohet me forcën e njerëzve që çdo darkë numërojnë qindarkat e punës së ndershme, asistencës lëmoshë, pensioneve të shkurtuara, shpërblimeve të jetës të mohuara, rrogave të mbitaksuara, pagesave të mezimbledhura, për të paguar faturat e shtuara 2-3 fish të energjisë që nuk ndriçon, ujit që nuk të lan, ushqimeve që kequshqejnë, shëndetësisë që jetëshkurton, arsimit që profesion nuk të mëson! Arroganca e këtij Sistemi po kufizon liritë dhe mundësitë e mbi 3 milion shqiptarëve!

Sali Berisha, Kryeministri që me vetëdije po kufizon liritë politike e civile, po mundohet të bindë shqiptarët se rritja ekonomike më e lartë në Europë (e propaganduar, por e konfirmuar shtetërisht si rënie dramatike ekonomike), rritja e pagave dhe pensioneve (e thënë, por e pandodhur për shkak të rritjes së frikshme jo të çmimeve, por faturave), heqja e vizave për qëllime turistike dhe afatshkurtra (premtuar çdo 6 muaj dhe e pandodhur prej 2 vitesh); i bëjnë të padobishme liritë politike e civile. Në fakt, nuk është kështu.

Rënia e fortë ekonomike që të gjithë po e ndiejnë në lëkurë të tyre deri fëmijëve, pasiguria ekonomike e shprehur hapur për të tashmen dhe si projeksion për të ardhmen afatshkurtër, ka lidhje me mungesën e të drejtave dhe lirive demokratike. Është momenti kur qeveria nuk ka më frikë nga populli! Qeveria është në kushtet kur drejtimi i saj është ndarë dukshëm nga procesi i kontrollit dhe kundërshtimit demokratik! Zgjedhjet e lira, liria e shprehjes dhe kundërshtimit, janë instrumentet që e bëjnë një Qeveri të jetë e përgjegjshme për politikat ekonomike e sociale të saj, por edhe të mbetet e ndershme në administrimin e të mirave publike. Njerëzit gjykojnë me votë.

Kur Qeveria këtë hall e zgjidh duke vjedhur votat, atëherë interesi i saj për mirëqeverisjen nuk ekziston më! Tamam kështu, kufizimi i lirive politike prodhon keqqeverisjen, pasojat e së cilës tani janë thelbi i krizës së ekonomisë. Kriza po dëmton rëndë ekonominë kombëtare, më ngushtë, ekonominë familjare! Por, po na kthen me këmbë në tokë. Sa here që Sali Berisha është në pushtet, mënyra jonë e jetesës ndryshon, mirëqenia nuk vjen nga puna, por vjen prej borxheve. Kriza po ndryshon sërish mënyrën e jetesës, mirëqenia tani është kthyer në vuajtje dhe mungesa të mëdha, rroga e pensione që humbin vlerën e tyre reale për të larë borxhet e Qeverisë! Kjo është jeta e gënjeshtërt që Sali Berisha ndërton në këtë vend prej shumë vitesh! Kjo po ndodh!

Të nderuar kolegë,
Beteja jonë për Liri duhet të përfshijë çdo shqiptar, nuk duhet të zhgënjejë qoftë edhe njërin prej tyre! Kjo betejë kërkon të jemi të mirëorganizuar, funksionalë dhe efikasë në çdo strukturë. Por, edhe përfaqësues të interesave të shqiptarëve të zakonshëm si forca themelore e zhvillimit të këtij vendi.

1.
Sot, kurimi i çdo qelize partiake, për ta bërë të qëndrueshme dhe demokratike është jetik. Besoj se ky është shqetësimi i të gjithë socialistëve që duan një parti më të mirë, demokratike, të hapur, të lirë, institucionale, funksionale, por edhe me rregulla e fituese. Unë jam rritur në këtë parti, kam marrë këtu shumë mbështetje, shumë respekt e shumë dashuri! Ndaj, kam detyrimin e të folurit ndershmërisht. Kam folur në Asamble dhe do doja ta bëja dhe këtu. Jo për të sfiduar ndokënd, por për t’u fokusuar tek puna! Unë mendoj që Partia jonë ka probleme!

I mendoj ato parimore! Në këtë mes beteje në të cilën ndodhemi, edhe unë besoj që mesazhi duhet të jete ai i betejës me regjimin, dhe jo i një beteje me njëri-tjetrin, këtu apo kudo tjetër, publikisht. Në anë tjetër, kjo nuk mund të jetë arsye që të na pengojë të korrigjojmë seriozisht funksionimin tonë, në çdo strukturë, pra funksionimin institucional. Këto muaj, përballë nesh, ka pasur shokë që na kanë treguar pa institucione, pa rregulla, pa vendimmarrje, duke e ngatërruar keq këtë me arsyen e vërtetë se përse pas 28 qershorit ne nuk jemi në pushtet! Është koha të themi përfundimisht: ka shumë prova të tregojmë se më 28 qershor ne na vodhën!

Por, ka edhe prova që burojnë nga funksionimi ynë kaotik/jo institucional, vendimmarrja formale/ jo përfshirëse, struktura organizative e paqëndrueshme/ jo efikase e jo militante, që dëshmojnë se ne vetë, për të gjitha arsyet e mësipërme bëmë harakiri duke i hequr vetes çdo mundësi të ishim të përgatitur dhe të motivuar për t’u mbrojtur nga vjedhja! Korrigjimi sa më parë i këtyre gabimeve duhet të jetë avantazhi ynë për të fituar betejën që po udhëheqim! Po hyj pak më thellë!

Prej 6 muajsh është e pamundur të kuptosh ku nis e ku mbaron institucioni, kush lexon e respekton rregullat, si nis e ku merret vendimi, kush e zbaton e cili vepron kundër këtij vendimi.

Kjo nuk është çështje personale apo sfidë për kë mendon ndryshe! Por, çështje e së sotmes dhe e së ardhmes së PS, natyrisht që ka të bëjë me individin dhe njërën prej arsyeve se përse ai duhet të jetë apo mbështesë PS. Por, ka të bëjë edhe me atë që PS-ja ofron për cilindo që do të rritet duke kontribuar në PS. Vakumi institucional në të cilin ndodhemi prej muajsh, dukshëm, ka zbehur fuqinë organizative e funksionale të partisë, në momentin më të rëndësishëm për ne.

Ky vakum, nga baza në qendër, ka qenë një hapësirë e mjaftueshme për ambicien dhe delirin e kujtdo që bën analizën që i duhet, por pa fakte, qëllimin personal shërbyer si strategji partiake, karrierën e pamerituar duke shkelur çdo rregull të përbashkët. Për fat të keq, secili prej këtyre faktorëve nuk është korrigjuar ende! Për të folur për to, bën mirë, nuk bën dëm!

Së pari: Organizimi në nivelin bazë

-Pranimi në parti është në kaos: nuk merr vesh kush hyn, ku militon, si funksionon, ç’rregulla zbaton, si kontribuon, ç’rezultate arrin, si del dhe si rihyn përsëri; fiktiv, ndikohet nga qëllimi personal (karriera apo përfitimi personal) dhe instrumentalizimi i zgjedhjeve në çdo nivel;

-Rregullat e përbashkëta që garantojnë e administrojnë lirinë dhe qëllimet e secilit, në liri institucionale e qëllime të përbashkëta, shpërfillen;
Së dyti: Struktura, qëndrueshmëria dhe funksionaliteti

-Organizatat bazë janë në një proces zgjedhor prej 6 muajsh, ende i papërfunduar, duke ndikuar në paqëndrueshmërinë e tyre; zgjedhjet në shumicë u keqpërdoren nga qëllimi personal, inspiruar nga kandidimet brenda partie për zgjedhjet lokale, shmangën garën, konkurrencën, alternativën në votim;

-Asambletë, ngritur mbi këto zgjedhje janë fiktive, jo funksionale dhe në shërbim të qëllimit personal të atij që do të bëhet kandidat;

-Koordinimi, për shkak të një autonomie shpërndarë dhe vetëmarrë nga drejtuesit kandidatë, nëpër e mes njësive vendore është i pamundur;

-Funksionimi statutor dhe i programuar i partisë po zëvendësohet nga spontaniteti, më keq partia po vihet në lëvizje nga qëllime personale për ta sunduar, jo për ta drejtuar atë;

Së treti: Institucionet dhe vendimmarrja

-Kryesia e Partisë nuk funksionon; për shkak se është bërë e pamundur që kryesia aktuale të funksionojë larg interesave personale dhe në shërbim të Partisë, duke pasur qoftë edhe një produkt minimal: të mos i bëjë dëm kauzës së përbashkët për votën e lirë;

-Sekretariati Ekzekutiv funksionon personalisht apo nuk funksionon në sektorët më kyç, atë politik e të strategjisë, programor, zgjedhor, organizativ, ligjor etj; për shkak se objektivat e disa prej shokëve drejtues janë dukshëm në kundërshti serioze, deri në veprim kundër e kalim përtej hendekut parimor e kushtetues që na ndan me Sali Berishën, pra kundër me atë që deri tani është aksioni politik i PS në mbështetje të kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri;

-Asambleja Kombëtare shpesh bie në formalizëm, ndërsa prej muajsh është braktisur nga anëtarë, për këtë shkak mbetet e paplotë;

-Grupi Parlamentar ende është larg rolit natyral të kontrollit sistematik, të përditshëm, politik e profesional, të Qeverisë e qeverisjes;

-Vendimmarrja pothuajse gjithnjë është emergjente dhe e paprogramuar, spontane dhe e kufizuar, diktuese dhe formale, shpesh nga jashtë forumeve statutore, aq sa “vendimin”, “vendin” dhe “kohën e duhur” e lajmëron një aleat, jo një drejtues i kësaj Partie, pra e ngushtë dhe pa fuqinë e vërtetë që të japin strukturat legjitime e funksionale;

Të nderuar kolegë,
Shërbimi i parë që shqiptarët kërkojnë nga ne socialistët, është një parti e fortë, e organizuar, socialiste; për të kundërshtuar regjimin antipopullor në pushtet, por edhe si alternativë e tij! Të ndërtojmë një shoqëri të vogël, të organizuar, institucionale, ligjore, të hapur, demokratike, të ndershme, funksionale në PS, si modeli më i mirë përballë sistemit të korrupsionit politik, ekonomik dhe elektoral të Sali Berishës, duhet të jetë qëllimi ynë. Ndaj, duhet që tani, rregullat e reja statutore t’i japin fund vakumit institucional ku jemi, jo për të përjashtuar, por për të funksionuar:

-midis kryetarit dhe anëtarësisë të jenë institucionet (jo një grusht njerëzish, respekti për të cilët nuk mund t’i kthejë në oligarkë, nuk mund të zëvendësojë institucionet, vendimmarrjen institucionale), pra institucionale jo oligarkike;

-institucionet të ndërtohen përmes konkurrimit, alternativave, votimit (jo emërimit; në parti njëherë zgjedh, ditën kur bëhesh anëtar, çdo herë zgjidhesh), pra përfaqësuese jo të emëruara;

-vendimmarrja të burojë nga institucionet, nga debati dhe votimi, të jetë e të gjithëve dhe e detyrueshme për zbatim (opozita e opozitës nuk është vlerë, nuk garanton bashkëjetesën por ndarjen), pra kolegjiale jo e ndarë;

-funksionaliteti i çdo strukture partiake të burojë nga qëllimet e përbashkëta të administruara nga rregullat statutore (një organizatë demokratike nuk mund të vihet në lëvizje nga paraja, as nga qëllimet e parashumëve; paraja e korrupton partinë, zhbën demokracinë, çdo normë e rregull, në fund dhe vetë partinë), pra parimore jo personale; në fund, PS të udhëheqë një koalicion real ku partitë mbajnë dhe shtojnë veten, interesat që përfaqësojnë, duke maksimizuar fuqinë politike dhe elektorale (ne jemi Partia Socialiste, jo një nga partitë e radhës në koalicionin e radhës).

2.
Beteja në mes të së cilës jemi duhet të jetë e drejtë dhe e vërtetë, përfshirëse dhe masive, përfaqësuese dhe bindëse! Demokracia duhet të funksionojë për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, jo vetëm për pushtetarët. Njerëzit e zakonshëm, liritë, të drejtat, mundësitë, jeta e tyre, duhet të jenë thelbi i betejës sonë. Arroganca, kërcënimi, kufizimi i lirive, të drejtave, mundësive, si aksion i qeverisë, nuk duhet të zbehë forcën e betejës sonë. Ne pame të provuar më 28 qershor se njerëzit e dhunuar priren të pranojnë gjendjen e tyre për shkak të nevojës për mbijetesë, ndaj ata mund të mos kenë kurajën të kërkojnë ndryshim, më keq, si zgjidhje gjejnë të përshtatin mundësitë dhe kërkesat e tyre me atë që e konsiderojnë të mundshme mes dëshpërimit!

PS, jo më parti biznesmenësh
Të nderuar kolegë,
Prej një viti po vuajmë efektet e një kompleksi të madh, të ndarë në dysh, në: “të qenit të moderuar” dhe “të qenit të majtë apo liberalë”. Të dyja kanë të bëjnë me identitetin tonë. Nëse beteja jonë për Liri po kuron të parën, duke bërë të qartë se moderacioni nuk është butësi hyjnore, përmes një aksioni të fortë politik që po na largon namin se “jemi partia që as të mban, as të rrezon”, sot kemi mundësinë dhe instrumentin të kurojmë të dytën.

Programi është instrumenti që kuron identitetin dhe u jep shqiptarëve ofertën tonë politike. Programi ynë u shkrua në vitin 1992. Shërbeu për transformimin e PS në një parti të majtë socialdemokrate dhe mirëvendosjen, funksionimin dhe pjesëmarrjen e saj, tani në një shoqëri që jetonte, funksiononte dhe zhvillohej në e prej Lirisë. Atë kohë kjo ishte jetike për partinë, por edhe për Shqipërinë. Ky Program është revizionuar shpesh, janë mbartur përmirësime! Ndryshimet kësaj here nuk duhet të jenë një revizionim i radhës. Për më tepër, një revizionim i keq që na heq edhe atë çik identitet që na ka mbetur.

Po e them që në fillim se, “formulimi i ri” sipas të cilit, “PS është parti politike përfaqësuese e spektrit të qendrës së majtë dhe liberale”, është i papranueshëm. Në 18 vite secili prej nesh ka ndryshuar, partia ka ndryshuar, konceptet mbi të majtën, interesat e përfaqësuara prej saj kanë ndryshuar. Mbi të gjitha, po ndryshon koncepti për Lirinë. Liria po shihet sot jo vetëm si mjeti kryesor i zhvillimit shoqëror. Zgjerimi i lirive po vlerësohet gjithnjë e më shumë si qëllimi themelor i zhvillimit! Gjithçka në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës.

Prej këtej ka lindur një model i qartë dhe bindës i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik, që e sheh “Zhvillimin si Liri”. Një program që mbështetet në 5 llojet e lirive instrumentale që ndikojnë drejtpërdrejt në lirinë që kanë njerëzit për të ndërtuar jetën siç ata dëshirojnë. Pra, në:

-liritë politike; mundësitë që kanë njerëzit për të përcaktuar se kush do të qeverisë dhe mbi ç’parime; duke përfshirë të drejtat për t’u informuar, kritikuar e kundërshtuar Qeverinë, për të pasur lirinë e shprehjes politike dhe të shtypit të pa censuruar;

-lehtësitë ekonomike; mundësitë që kanë njerëzit për të përdorur burimet ekonomike, kombëtare e lokale, për qëllime konsumi, prodhimi, shkëmbimi, pra tregtie; përfitimet ekonomike që një njeri ka, do të varen gjithnjë e më tepër nga burimet që ai zotëron apo disponon, mundësitë që ai ka për t’i përdorur si dhe nga kushtet e shkëmbimit ku funksionimi konkurrues i tregjeve është jetik;

-mundësitë shoqërore; rregullimet që shoqëria bën për arsimin, kujdesin shëndetësor kryesisht, etj., të cilat ndikojnë në lirinë substanciale të tij për të jetuar më mirë; krijojnë mundësi jo vetëm për një jetë me shëndet të mirë, por edhe për një pjesëmarrje më të efektshme në veprimtarinë ekonomike e politike;

-garancitë e transparencës; të cilat kanë një rol për parandalimin e korrupsionit, mungesës së përgjegjshmërisë financiare dhe të marrëveshjeve të ndaluara

-sigurinë mbrojtëse; nevojën për të pasur një rrjet sigurie shoqërore për të parandaluar rënien e popullsisë në mjerim; përfshirë rregullimet e caktuara institucionale, siç janë përfitimet nga papunësia, përfitimet në pagesa për të varfrit e të pamundurit fizikisht etj.

Siç e shihni, një model që nuk përqendrohet në efektivitetin e shtresave të larta të shoqërisë, por në mirëqenien e atyre që qëndrojnë në shtresat e ulëta e të mesme të shoqërisë. Një model që po trondit parimet e derisotme të zhvillimit njerëzor, një model që ka një vlerësim me çmim ‘Nobel’, të cilin e mban profesor Amartya Sen. Unë mendoj se na duhet një debat mbi këtë model. Duke bërë pak mënjanë nga përqendrimi ekskluziv mbi rritjen ekonomike dhe të ardhurat për frymë, pra nga përfitimi, rishpërndarja e tij, më tej përfitimi nga disa të drejta që kanë përparësi absolute, duke përfshirë dhe të drejtën e pronës, drejt lirive substanciale, heqjen e kufizimeve mbi këto liri dhe në cilësinë e jetës! Në fund të fundit, çdo parti, përmirësimin e cilësisë së jetës ka si qëllim fundor të saj. Nëse në 1992-shin na duhej të pranonim, përshtateshim dhe të rriteshim me Lirinë, sot na duhet një Program i Lirisë!

Në kushtet e një krize të thellë e të gjatë që ka në bazë kufizimet dramatike të Lirisë në mënyrë të përsëritur, kjo është gjëja e duhur për të përfaqësuar interesat e një populli të tërë, të dhunuar në liritë e tij e mbetur pas, shumë pas, në zhvillim për këtë shkak. Ky model përfshin të gjithë ata që ende dyshojnë në atë që ne përfaqësojmë, mbrojmë e ofrojmë për ta e Shqipërinë. Ndaj, mendoj se duhet të ridimensionohet marrëdhënia jonë me:

-Së pari; lirinë politike dhe lirinë e shprehjes; beteja jonë për zgjedhje të lira nuk duhet të ketë kthim apo të këmbehet me çdo gjë tjetër, të përfshijë modernizimin e sistemeve për t’i larguar nga ndikimi kriminal i qeverive dhe të kthejë në votues çdo shqiptar të emigrimit; liria e shprehjes të kapërcejë kufizimin në lirinë editoriale të medias për t’u përqendruar tek liria e shprehjes, legjitimiteti i saj dhe lufta kundër betejës qeveritare që delegjitimon fjalën e kujtdo përmes presionit qeveritar dhe sulmit kriminal, personal, mbi çdo shtetas.

-Së dyti, lehtësitë ekonomike për të hequr kufizimet ndaj qytetarëve në përdorimin e burimeve ekonomike për të prodhuar e tregtuar; ngritur sipërmarrje të vogla e të mesme, hyrë në treg e konkurruar ndershmërisht; punësimi të shënjohet si e drejtë themelore e qytetarit, jo si një fenomen ekonomik që matet me përqindje të pa vërteta.

-Së treti, pronën, duke dalë nga vetëkufizimi në çështjen e ish- pronarëve, në të drejtat pronësore të cilitdo, vënë në rrezik nga një pushtet i korruptuar që grabit cilindo, me ligj e me vulë, çdo muaj, por edhe në krijimin dhe zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme, për të krijuar mundësinë e patjetërsueshme që zotëruesi i pronës, ta shohë e përdor pronën si e mirë, si mundësi ekonomike për vete e familjen e tij, jo si hall që i merr jetën.

-Së katërti, sistemin fiskal, pra taksimin, për të bërë drejtësi në radhë të parë; sot, të ardhurat nga puna taksohen njësoj me fitimet nga sipërmarrja, më keq, taksohen njësoj me pasurinë e paligjshme dhe të ardhurat nga krimi! Të gjitha 10%! Ky nuk mund të jetë sistemi ynë, për ne nuk mundet që punëtori të taksohet njësoj me sipërmarrësin, me kompanitë e korporatat, më keq me keqbërësin e krimbërësin!

-Së pesti, fshatin dhe zhvillimin bujqësor, mbetur në feudalizëm; sot, në fshat nuk ka asnjë marrëdhënie që të tregojë se ekonomia e tregut ekziston; t’i garantojmë bujqve të drejtën mbi pronën, mundësitë për të përfituar nga prona, përdorimin e saj si garanci financimi dhe njësi ekonomike prodhuese, mundësinë për të marrë pjesë në treg; mbi të gjitha krijimin e tregut të punës, pra punonjësve të bujqësisë me kontratë; kushte këto për futjen e kapitalit në bujqësi.

-Së gjashti, arsimin e shëndetësinë, dy elementët themelore të mundësive shoqërore, lirisë substanciale të njeriut për të jetuar më mirë; duke krijuar mundësi për shëndet të mirë dhe pjesëmarrje në punësim; burra e gra po jetojnë më pak, sepse humbin jetën nga sëmundje lehtësisht të kurueshme, që nuk kurohen për shkak të shërbimit që mohohet apo është i paarritshëm për shkak të shtrenjtësisë së tij.

-Së shtati, sipërmarrjen, duke marrë pozicionin e qartë si një parti që krijon mundësi, me rregulla ligjore, të drejta e të barabarta, të taksimit e konkurrencës, ndarjes së kontratave qeveritare, pasurisë apo lejeve e koncesioneve publike; pra një parti që nuk e bën klient sipërmarrjen apo më keq, tregton, shet vendimmarrjen politike e administrative tek sipërmarrja kliente, me qëllim të ardhura të paligjshme; përfaqësimi politik me sipërmarrjen nuk duhet të kapërcejë në asnjë rast konfliktin e interesave,

-Së teti; korrupsionin e transparencën; ndëshkimi i zyrtarëve si detyrim politik e ligjor duhet të rithemelojë kulturën e ndëshkueshmërisë administrative e penale, kësaj here edhe për përfituesin nga korrupsioni, pa i ndarë në klientë tanët, të kundërshtarit apo dy palëve bashkë! Ka një dyshim të madh ndër njerëz: ky vend drejtohet nga një grusht politikanësh dhe klientela e tyre ekonomike, ndaj nuk ndëshkohet kush! Sot në gazeta keni shembullin tipik: një biznesmen që i ka marrë çdo gjë politikës, ul në tavolinë Kryeministrin dhe ish-Kryeministrin për t’i bërë gropën PS dhe Shqipërisë. Sepse, kështu përfiton më shumë. Ne duhet t’i bindim se do të bëjmë drejtësi për të gjithë përfituesit politikë, familjarët e klientët e tyre, nga korrupsioni i begate i këtyre viteve. Pa dallim.

Të nderuar kolegë,
Programi i qeverisë mund të shërbejë për të tërë, Programi i Partisë duhet të jetë për socialistët dhe për cilindo që kërkon të bashkohet me ne. Një program i mire kuron dhe identitetin e politikanit përfaqësues, krizën e identitetit në përfaqësim që ne po e vuajmë. Njerëzit besojnë në ofertën politike, por kultura tradicionale e ndërvar besimin dhe tek përfaqësuesi politik. Një kokë me brilantinë, duar zbukuruar me unaza diamanti e ora 10 mijë euro, një makine 50-60 mijë euro, një shtëpi 200 mijë euro, më tej pallate 5-6 milionë euro bërë pa djersën e ballit, por me lehtësinë e ndereve e favore politike e administrative, paratë e korrupsionit, nuk janë sende, por mënyrë jetese.

Ajo përfaqëson interesin, por jo kauzën, aq më pak punëtorët, të papunët, bujqit, mjekët, mësuesit, shërbëtorët e shtetit, studentët, emigrantët. Aksioma se duhen në krye njerëz të pasur se nuk vjedhin, doli e pavërtetë dhe banale. Ndaj, na duhet një qasje e re etike, në thelb të identitetit tonë përfaqësues!

Të nderuar kolegë,
Unë besoj tek Liria, ndaj besoj te kauza e përbashkët! Unë besoj tek e Majta, ndaj besoj tek fitorja! Tek një e Majtë përfaqësuese, jo sipërmarrëse! Ne nuk e mundim dot Berishën duke bërë apo duke u bërë si Ai, duke i marrë apo duke i blerë klientët, politikë apo ekonomikë! Ne e mundim Berishën si të majtë! Duke përfaqësuar interesat e shumicës së majtë në këtë vend dhe duke i shërbyer çdo shqiptari që kërkon të jetojë ndershmërisht këtu!

Kongresin e shkuar dikush shkroi se, “ora e të majtës ka ngelur”, duke parashikuar shpërbërjen dhe panevojshmërinë tonë! Por, ne jemi këtu! Gjallë e të fortë! Në krye të një beteje për të sotmen dhe të ardhmen, të cilën duhet ta fitojmë me popullin dhe për popullin! Nga sot, nuk ka rëndësi ku do të jem unë nesër, rëndësi ka të fitojmë!!!